A veç për Myslimanët, Kosova është shtet Laik?!



Ndonëse njihemi shtet me popullsi me shumicë Myslimane, në Kushtetutë me Pakon e "famshme" të Ahtisarit na është imponuar që Kosova është shtet "Laik", njëri nga shumë çmimet që dha Kosova për të fituar Pavarësinë. Dhe marr guximin të them se në Kosovë vetëm Shqiptarët dhe Myslimanët janë të nënçmuar.

Në çdo fundvit në mediumet tona, jemi të detyruar të shikojmë programet dhe njoftimet për ardhjen e "festës" së Krishtlindjeve e që një gjë e tille nuk është bërë kurrë për Festat e Bajramit , duke i shtuar edhe filmat që duhet t'i ndjekim çdo vit, vdekjen e ringjalljen e Krishtit.

Por, të huajt (ndërkombëtarët) nuk na cilësojnë kështu, jemi dëshmitarë që për Festat e Bajramit, Kosova merr urimet nga e gjithë bota, ndërsa për Krishtlindje nuk kam dëgjuar që liderët tanë ndonjëherë të ketë merr ndonjë urim.

Amerika Kosovën e njeh për vend Islam! Vlen të përmenden urimet që na vijnë për çdo Bajram nga Presidenti, Sekretari i Shtetit dhe nga Kongresmenët Amerikanë, Republikanë dhe Demokratë. Qeveria Amerikane kurrë nuk e mbaj mend që ua ka uruar popullit të Kosovës Krishtlindjet, ashtu siç din të urojë gjithmonë në çdo Festë të Bajramit.

Kjo jep të kuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë shumë të vetëdijshëm se pjesa dërmuese e popullit të Kosovës i takojnë besimit ISLAM, ani pse, elita politike dhe ajo gazetareske e shumë institucione të tjera të vendit insistojnë vazhdimisht t'i përfaqësojnë qytetarët e Kosovës gabim para të huajve ('Më katolikë se vet Papa'), duke u munduar kështu ta fshehin dhe mohojnë një realitet dhe identitet që nuk mund të fshihet dhe mohohet asnjëherë, se në këto Troje Shqiptare Feja Islame është dominuese.

Kështu vepronte me shqiptarët dikur edhe Sllobodan Millosheviçi "Kasapi i Ballkanit" kur nuk i lejonte ta paraqesin zërin, zullumin dhe kërkesat e tyre para Botës. Njësoj po veprojnë përfaqësuesit tanë "shkije" të veshur shqiptarçe para ndërkombëtarëve duke e fshehur dhe mohuar kategorikisht çdo gjë që ka të bëjë me identitetin fetar që ka ky popull.

Por, përveç Kosovës edhe në Shqipëri është e njëjta situatë, vitin e kaluar ish-Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Jozefina Topalli, tani deputete nga radhët e Partisë Demokratike (PD), pati mbledhur fëmijët e deputetëve dhe festuan Krishtlindjet brenda mjediseve të Kuvendit të Shqipërisë edhe pse Shqipëria ashtu si Kosova në Kushtetutë e kanë të deklaruar si shtete Laike.

Po të kërkonim ne Myslimanët që edhe Falja e Bajramit të bëhet brenda mjediseve të Parlamentit të Kosovës apo Shqipërisë do na quanin "Ekstremistë Islamik". Dhe lind pyetja: "A vetëm për Myslimanët shteti i Kosovës dhe Shqipërisë janë shtete Laike a"?! Mos harroni se gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, 96% e kosovarëve me vetëdëshirë dhe pa asnjë presion janë deklaruar si Myslimanë, gjithashtu edhe në Shqipëri rezulton se mbi 70% janë Myslimanë ...!!!

Po ua sjell një fragment të Miroljub Jevtiç - "Babai i kombit serb" i cili shkruan kështu në librin e tij "Islam i Albanci": Të ashtuquajtur "Liderë të Shqiptarëve", për shkak të kompleksit evropian e urrejnë popullin e vet dhe çdo gjë shpirtërore siç është Islami tek ta, prandaj ne jemi fitues kur kjo ndodhë ngase çdoherë kur populli shqiptar pret me së shumti nga liderët e tyre, atëherë zhgënjehet nga ta sepse janë më se të gjithë pa moral shpirtëror dhe janë pjellë e ateizmit që arrita personalisht t'ua imponoj në literaturën e tyre dhe krenohem me këtë gjë ngase janë patriotë që si term e mësuan këta barinj me rroba evropiane.

Liderët laikë shqiptarë do të krenohen me ortodoksizmin tonë apo kryqin katolik në Kosovë në kohën kur atje janë religjion minoritar dhe çdo gjë autoktone që i ruajti si shumicë nga sllavizmi ishte Islami dhe shumë shpejt duke mos e vërejtur shqiptarët, hanë si ne, pinë si ne, flenë dhe argëtohen si ne dhe brenda njëzet vitesh Serbia do të ketë këtë krahinë pjesë të sajën duke llogaritur edhe në Shqipërinë.

Si përfundim duke pasur parasysh që toleranca fetare është vlerë kombëtare, shkrimin do e mbyllja me një thënie Kuranore. "Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!", (El-Kafirunë: 6).



Shkroi: Mirsad ZEKA

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...