Mbi Ekstremizmin - ISIS-i dhe islamofobia!



Mbi Ekstremizmin

Ekstremizmi i Shtetit Islam në Irak dhe Sham (ISIS), në besim dhe praktikë, është një fenomen i përçmueshëm që duhet dënuar dhe frenuar. Por duhet pranuar po ashtu se ISIS-i është vetëm një simptomë e një problemi më të madh, një problem që gjendet në zemër të ekstremizmave të botës moderne, dështimi i sistemit ndërkombëtar, ndjenja e dëshpërimit dhe nihilizmit, padrejtësia politike dhe ekonomike, dhe marrëdhënia e paqetë midis traditës dhe modernitetit.

Ashtu si tërë lëvizjet ekstremiste, qoftë fetare apo shekullare, ISIS-i mund të kërkojë ta përligjë ekstremizmin e tij duke iu referuar burimeve islame, si Kur'anit apo jetës së Profetit Muhamed. Siç vënë në dukje mendimtarë dhe dijetarë të shumtë muslimanë, metodologjia e keqdrejtuar dhe ideologjia e keqvendosur mund të përdoren për të shtrembëruar çdo tekst fetar dhe çdo precedent historik. Al-Kaeda, Boko Harami, dhe tani ISIS-i, i shfrytëzojnë, apo, më saktë, i keqshfrytëzojnë, burimet dhe referencat fetare për të krijuar një ideologji ekstremiste.

Një grup i madh juristësh, dijetarësh, intelektualësh dhe akademikësh muslimanë i shkruan një letër të hapur el-Bagdadit, udhëheqësit të hamendësuar të ISIS-it, për ta kundërshtuar këtë, duke treguar hollësisht dhe me autoritet se si ekstremizmi i dhunshëm i ISIS-it ndaj muslimanëve të sekteve të tjera dhe njerëzve të feve të tjera është hedhur poshtë nga tradita islame. Mesazhi më thelbësor i kësaj letre është mbështetur nga miliona muslimanë të moderuar e tradicionalë anekënd botës.

Askush nuk ka të drejtë ta përdorë fenë për të justifikuar atë çka është në esencë dhe para së gjithash një objektiv tokësor: pushtetin. ISIS-i dhe zëdhënësit e tij mund të citojnë ajete nga Kur'ani, mund të thërrasin "Allahu ekber" (Zoti është i madh). Por kjo nuk i bën aktet e tyre fetare apo të shenjta. Kur'ani vetë paralajmëron ndaj atyre të cilët përpiqen t'i manipulojnë urdhrat e Zotit për përfitimet e tyre. ISIS-i është një shembull tipik i një organizate të dhunshme, në kërkim të pushtetit, që përdor justifikimin fetar, por që në fund dështon në vijimësinë logjike dhe në autoritetin fetar. Problemi është se jo i gjithë ekstremizmi është i mbështetur domosdoshmërisht në fenë. Ekstremizmi nuk ka nevojë për fenë që të lindë. As ka nevojë t'i qëndrojë besnike frymës së vërtetë të fesë për t'i kryer aktet e tij të dhunshme.

Ekstremizmat e botës në të cilën jetojmë sigurojnë goxha material për çdo lëvizje që të shkojë në ekstreme. Ka një listë të gjatë të ekstremizmit që vjen në forma të ndryshme: dy luftërat botërore të shekullit të fundit, pushtimet, kolonializmi ekonomik dhe kulturor, miliarda dollarë të harxhuara për armatim, armët e shkatërrimit në masë, hendeku në zgjerim midis të pasurve dhe të varfërve, individualizmi ekstrem i shoqërive moderne, drogat, brutalitetet e kapitalizmit modern, trafikimi njerëzor, ndryshimi i klimës, kriza mjedisore, helmimi i ushqimit, ujit dhe ajrit tonë, varësia nga teknologjia që arrin maja të reja, dhe filmat e dhunshëm, videolojërat e dhunshme ...

Këto dhe shumë forma të tjera të ekstremizmit kanë hyrë përvjedhurazi në jetën tonë të përditshme, në ligjërimet politike, në sistemet arsimore, në politikat ekonomike, e në shumë fusha të tjera të botës së jetës sonë. Ato i shtrëngojnë njerëzit e zakonshëm të marrin qëndrime ekstreme në të tëra çështjet kyçe, qoftë në perceptim dhe sjellje, apo në praktikë. Ne veç mashtrojmë vetveten duke mbyllur njërin sy ndaj këtyre. Nuk mund ta reduktojmë ekstremizmin vetëm në vrasjet e dhunshme. Ato vrasje, si të kryerat, për shembull, nga ISIS-i së fundi, duhen hedhur poshtë dhe duhen ndaluar. Ama nuk duhet ta humbim sysh tablonë më të madhe këtu: ne jetojmë në një kohë ekstremitetesh, për shkak të së cilës të bësh diçka në një mënyrë të mesme e të moderuar nuk është e kënaqshme, as shënohet, apo nuk pranohet, si e pamjaftueshme për të marrë atë që dëshironi. Sistemi aktual i marrëdhënieve ekonomike dhe politike i shtyn njerëzit në shumë forma të kapshme dhe jo aq të kapshme drejt skajeve, ekstremeve. Ata të cilët e vijojnë jetën në mënyrën e tyre modeste dhe të moderuar nuk dëgjohen, nuk respektohen apo, madje, nuk mbrohen. Sistemi fillon t'u kushtojë vëmendje vetëm kur ju nisni të bëni shumë potere dhe të bëheni të dhunshëm.

Në të gjitha lëvizjet ekstremiste ka një vijë ndarëse të hollë midis marrjes së një qëndrimi të vendosur dhe radikal për drejtësi dhe pengimit në ekstremizëm. Ka vende ku duhet të jesh radikal dhe i pakompromis: kur keni detyrimin për të mbrojtur gratë dhe fëmijët, të drejtat njerëzore, të drejtat e pakicave, për të luftuar kundër pushtimit të vendit tuaj dhe për të luftuar kundër terrorizmit. Por gjërat bëhen delikate dhe të ndjeshme pikërisht aty ku përfundon ky radikalizëm i përligjur moralisht dhe ku fillon ekstremizmi i dhunshëm. Ekstremitetet e botës moderne e bëjnë tejet të lehtë ta bësh atë hap nga të qenit i vendosur dhe i pakompromis moralisht te kthimi në një ekstremizëm të dhunshëm.

Pikërisht në këtë na nevojitet një rivlerësim i përparësive tona moderne dhe diskutimi në mënyrë kritike i drejtimit të përgjithshëm të gjendjes së tanishme të njerëzisë. Hedhja poshtë e ekstremizmit në tërë format e tij, qoftë terrorizmi i ISIS-it, vrasjet sektare, të shtënat në shkolla ose dhuna hollivudiane, ka për të qenë hapi i parë në drejtimin e duhur.


ISIS-i dhe islamofobia

Kur muslimanët bëjnë vërejtje se fajësimi i Islamit për Shtetin Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS) çon në islamofobi, kjo është kundërshtuar si shmangie e komentit kritik dhe e vetëkritikës. Ndërsa është e vërtetë se muslimanëve u duhet të bëjnë shumë mbi mendimin kritik dhe të vënë rregull në shtëpinë e tyre, fakti është se ISIS-i dhe të ngjashmit me të manipulojnë politikën globale, dhe ligjërimet islamofobike marrin më shumë terren e sigurojnë rekrutë të rinj. Apeli i tyre, me sa ekziston midis një miliardë e gjysmë muslimanëve të botës, ka marrë jetë jo aq shumë nga ajo çka ata besojnë, por, më saktë, nga çka hedhin poshtë.

Këtu ne jemi përballur me një rreth vicioz: ideologët e ISIS-it dhe këmbësit e tyre i dënojnë hapur padrejtësisë që i shohin si shkelje të të drejtave të tyre. Ata kryejnë akte të tmerrshme barbarizmi në emër të kërkimit të drejtësisë, por përfundojnë duke kërkuar shpagim. Ata përdorin gjuhë fetare për t'i përligjur veprimet e bëra. Dhe kjo pavarësisht faktit se shumica dërrmuese e muslimanëve i hedhin poshtë ligjërimet dhe justifikimet e tyre.

Kjo i bën ca në Perëndim ta lidhin Islamin me ekstremizmin dhe terrorizmin. Ata e shpërfillin faktin se terrorizmi është një fenomen global i përdorur nga individë, grupe dhe shtete të ndryshme, pa marrë parasysh racën, fenë apo kulturën. Islamofobët e shfrytëzojnë ISIS-in për ta barazuar Islamin me terrorizmin, dhe i paraqesin muslimanët si të dyshimtë. Ata u bëjnë thirrje qeverive të tyre të marrin masa të ashpra, e madje të bëjnë luftë kundër qytetarëve muslimanë dhe komuniteteve emigrante. Në emër të çrrënjosjes së radikalizmit, bëjnë tamam lojën e grupeve si ISIS-i. Në thelb, një formë ekstremizmi ushqen tjetrën.

Ky rreth vicioz ekstremizmash dhe fobish të ndërsjellta krijon atë që unë e quaj "tokenizëm musliman", ku muslimanëve u kërkohet t'u përgjigjen pyetjeve mbi ISIS-in kur marrja në pyetje e tillë nuk pritet për njerëzit e besimeve të tjera. Më dëmshëm, udhëheqësit, akademikët, dijetarët, profesionistët, e madje artistët muslimanë janë ftuar të flasin vetëm mbi "çështje të nxehta muslimane", pra, mbi ekstremizmin, radikalizmin, terrorizmin, etj. Supozimi i nëntëshëm në raste të këtilla është se muslimanët nuk mund të flasin për çështje të tjera, të tilla si ndryshimi i klimës, artet, ulja e varfërisë, misionet hapësinore apo lufta kundër ebolës.

Industria e islamofobisë e shpërfill në mënyrë të volitshme përsëri faktin se ISIS-i ka vrarë më shumë muslimanë se jomuslimanë, ka shkatërruar qytete në vendet muslimane më tepër se ç'ka sulmuar objektiva perëndimore, dhe ka krijuar një klimë frike dhe diskriminimi kundër muslimanëve të zakonshëm anekënd botës.

Tasnim Nazeer, një gazetare e pavarur fituese çmimesh, autore, poete, dhe një muslimane britanike, përjetoi në mënyrë jo të habitshme një akt ngacmimi publik prej një qytetari të rëndomtë në Gllasgou. "Kurrë nuk kam përjetuar një incident paragjykimi për të qenit muslimane deri tani vonë, kur po ecja nëpër qytetin e Gllasgout", thotë ajo. "Një njeri m'u afrua në mes të qendrës së ngarkuar të qytetit duke përdorur një gjuhë të pistë dhe duke më kërkuar të lyp ndjesë për veprimet e ISIS-it". Në një kohë që Nazeer-i është kritike e hapur e ISIS-it, ajo prapëseprapë është trajtuar si disi përgjegjëse për veprimet e ISIS-it.

Muslimanët në Francë po ashtu ankohen me të drejtë se janë viktima të ISIS-it dhe islamofobisë. Por dënimi prej tyre i ISIS-it, el-Kaedës, dhe grupeve të ngjashme, ka humbur në zhurmën e injorancës, paragjykimit dhe fanatizmit.

Ka mësime për t'u nxënë nga antisemitizmi. Historia e zezë e antisemitizmit ka krijuar me të drejtë një kulturë dhe etikë dallimi, me të cilën kërkohet të bëhet ndarja midis veprimeve individuale dhe identitetit kolektiv hebre. Për shembull, politikat e shtetit të Izraelit nuk mund t'u atribuohen individëve dhe bashkësive hebreje rreth e qark botës, e as duhet t'u atribuohen atyre.

New York Times botoi një raport të hollësishëm mbi valët e reja të antisemitizmit në Europë pas luftës së fundit izraelite në Gaza. Morali i historisë është se nuk mund t'i fajësoni dhe, në këtë mënyrë, t'i urreni hebrenjtë për veprimet e shtetit izraelit.

Raporti vinte në dukje se, "... ka gjithashtu shqetësim mbi atë që disa e shohin si një tendenciozitet tinëzar antihebre "më të butë", që ata frikësohen se po depërton pa bërë zë në prirjen e përgjithshme europiane dhe po minon njëzëshmërinë e pas luftës për ta shkulur nga rrënjët antisemitizmin".

Çfarë ngjet kur muslimanët kërkojnë të njëjtin dallim, e presin një ndarje të qartë midis veprimeve të ISIS-it dhe besimit të përgjithshëm të pjesës më të madhe të muslimanëve? Në të shumtën e herëve, çdo ndjenjë e duhur dallimi është zëvendësuar me përgjithësime e stereotipizime që do të hidheshin menjëherë tutje po të përdoreshin për besime e bashkësi të tjera.

Nga furia e Anders Behring Breivik-ut më 22 korrik 2011, që u mori jetën 78 njerëzve në Oslo dhe Utoja, në Norvegji, te filmi rrengshor, i bërë lirë, "Pafajësia e muslimanëve", i vitit 2012, i cili shkaktoi protesta dhe vdekje në mbarë botën, individët dhe grupet islamofobike kërkojnë ta përflasin besimin musliman e të shpifin për të. Në këto veprime është vënë gishti më pas nga ekstremistët, për ta paraqitur tërë botën perëndimore si islamofobike.

Një ndreqëse e rëndësishme e kësaj do të qe të pranohej se ISIS-i dhe simotrat e tij i bëjnë vetë muslimanët viktima të shtrembërimit doktrinar dhe ekstremizmit në njërën anë, e të islamofobisë dhe të stereotipizimit kolektiv në anën tjetër. Në vend të fajësimit të njëri-tjetrit, muslimanët dhe jomuslimanët kanë një interes të përbashkët në prishjen e këtij rrethi vicioz.



Autor: Ibrahim Kallën [*]
Përktheu: Bujar M. Hoxha



_________________________

[*] - Autori mban titullin e ambasadorit në kabinetin e Presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...