Je i vonuar, zv. kryetar i Komunës së Vitisë



Kur njeriu i lexon shkrimet tuaja kundër Fesë Islame, me të vërtetë vështirë është të gjinden arsye, motive logjike, bindje, shkaqe ... pse ti flet me aq vrer? Thjesht, pse more burrë ke aq shumë urrejtje ndaj fesë islame? Nuk është problemi vetëm shamia që sot po të pengon. Pak para shpalljes së statusit të Kosovës ty të pengonte mbishkrimi në Viti në gjuhën shqipe "URIME RAMAZANI", ku njerëzit që kishin agjëruar tërë ditën i shti në mbrëmje të heqin atë mbishkrim. Po mirë, po të shkruante "urime nata e shtrigave" ose "urime dita e të vdekurve"? Ty po të pengon ezani, po të pengon xhamia. Po të pengon gjuha në të cilën Zoti e ka zgjedhur me ju drejtuar njerëzimit. A i mendon more burrë prindërit tu? A e mendon nënën tënde, rahmetliken, që si myslimane është varrosur. Allahu e mëshiroftë. A të vjen marre more Xhevat prej babës tënd që për mysliman e dimë dhe të gjithë e njohim. Pashë Zotin kallëzo drejt a i ke thënë babës tënd kur je nisur për Francë "unë babë e kam Leninin", siç ashtu flitet?


Identiteti fetar

O Xhevat, nuk është marre të tregosh haptas identitetin fetar. Secili duhet të jetë krenar me identitetin fetar të vetin. Unë jam krenar me identitetin tim fetar islam. Shumë jam krenar. Kurrë nuk e kam fshehur, kurrë nuk jam turpëruar, as nuk kam hezituar të tregoj, as kurrë nuk e ndërroj. Lus Zotin xh.sh. që të vdes me këtë identitet fetar dhe kombëtar dhe kërkoj nga të gjithë lexuesit e këtij shkrimi që të luten për mua që unë të vdes me këtë identitet. Mos harro, nuk dua të të lë hapësirë në pallavrat tua që do të pasojnë, se ti kurrë, ama bash kurrë, nuk je më shqiptar se unë! Kurrë nuk e ndërroj me asgjë këtë identitet kombëtar në të cilin më ka falur Zoti i Madhërishëm.

E tashti po hy në shkrimin tënd të datës 19 mars 2010, të botuar në të përditshmen "Kosova Sot". Unë veç do të kaloj nëpër shkrim. Kërkoj nga historianët, analistët, studiuesit e fesë, gjykatësit (me të cilët do të kemi punë unë dhe ti), filozofët, psikologët, priftërinjtë, popat, policët, intelektualët dhe inteligjencën kosovare të sapoformuar të merren me shkrim tënd. Sepse ti nga pozita e zëvendëskryetarit të Komunës së Vitisë (apo ndoshta ti mendon që si ta kalosh pragun e derës së Komunës nuk je më zëvendëskryetar) ju ke drejtuar opinionit mbarëshqiptar dhe ke prekur, ke lënduar apo më mirë të them ke bastarduar historinë e kombit tonë, ke lënduar, ofenduar, sharë të gjithë besimtarët islamë të këtij kombi. Sa për balancë ke prekur edhe kishat.

Po ia nisi me bismilah, secilën punë e nisi me bismilah. E di që ty s'të pëlqen, ama ky popull e di që kurrë mirë nuk i del në çdo punë që niset pa bismilah.

Ke thënë: "Tendenca të tilla që feja ta bëjë ligjin ...". Ne fillim të thash: Je vonuar! A e di ti që pjesa dërmuese e ligjeve kanë bazë fetare. Nuk është kjo tendencë e tanishme, ama ti je vonuar dhe të duket tendencë.

Ke thënë: "Ta kontrollojë shoqërinë, ta vendosë normën e sjelljes, të moralit dhe të mënyrës së jetesës janë mjaft aktuale dhe kanë ngritur krye". Je vonuar ti. Është normale që feja i jep shoqërisë normat e sjelljes, të moralit, të familjes, të punës, të edukimit, të shkencës, të kulturës, të respektit, të mirësjelljes, të mbrojtjes së atdheut! Ama ti je i vonuar! Nuk është punë që kanë ngritur krye siç thua ti. Është provuar në shtetin tonë amë, në vendin e vetëm në botë (që di historia, apo më mirë të them, që di unë) se çka ndodh me shoqërinë që s'ka norma fetare të sjelljes, respektit, moralit. Prapë je vonuar. T'u ka ndalur ora. Shqipëria ecën me norma të reja ndaj atyre që ty t'u ka ngulitur në kokën tënde. Edhe ne ecim ... sigurisht ke dëgjuar që në shtetin tonë amë tani është përligjur mbajta e shamisë nëpër të gjitha institucionet. E di që ti nostalgjinë e ke për atë shtetin ateist. Duaje edhe këtë shtet se yti është, po aq sa është edhe imi.


Mbajtja e fesë apo konvertimi

Ke thënë: "Madje, nganjëherë po i tregojnë edhe dhëmbët në hapësirën shqiptare". I vonuar je. Nuk do të merrem me këtë thënie.

Ke thënë: "... që dikush po "investon" dhe do të donte ta quante dhe ta shndërronte në hapësirë "islamike" arabe". Këtu si duket fare nuk je vonuar, dhe do të ndalem pakëz. Çka ta merr mendja more Xhevat, te një popull mysliman a më shumë duhet investuar që të mbajë fenë e vete, apo më shumë duhet investuar që ai popull të konvertohet. E besa qysh shihet puna e jote goxha investim ka bërë dikush në ty. Mirë, të pyes a më shumë duhet bërë investime për grim, apo më shtrenjtë kushton operacioni plastik. Haptas shihet që ti ke bërë operacion plastik! E sa për islam po të them menjëherë: "Hipokrizia është më e rëndë se mosbesimi".

Është mëkat më i madh ta praktikosh islamin sa për sy të dikujt, se sa mos ta praktikosh fare, e leje më, Allahu na ruajt dikush me bërë adhurime "të investuara". Nuk na duhen myslimanë hipokritë që mashtrohen me investime! Këtu janë 95% myslimanë, e pse mos të them është hapësirë islame në aspektin e besimit. Jo nuk është arabe. E dimë të gjithë që është, ama ne nuk e themi veç me e ruajt tolerancën ndërfetare të kultivuar historikisht. Dhe do ta ruajmë përkundër zjarrit që ndeze ti dhe surrogatet e tu. Dije se këtu i vonuar je. Nuk po e di populli arab merr pjese diku me 20% të popullsisë islame. Pse po i thua arabe? Pse nuk i thua shqiptare?! Tani po të pyes? Kush vallë ka investuar në shkencëtarin, ish-ministrin francez, Rozhe Garodi, që është bërë mysliman kaherë. Edhe libra shkruan, ka të përkthyera në shqip. Ose lexoje frëngjisht. Ti e di mirë "gjuhën frënge". Edhe diçka, për të mirën e shëndetin tënd shpirtëror hyn dhe hallkat në internet dhe e gjen gazetën amerikane "Newsweek", e cila në numrin e botuar më 27 korrik 1998 në faqen e parë të saj dha titullin "Shkenca gjeti Zotin". Aty po ashtu i gjen provat se në Universitetin e Harvardit, në universitetin me famë më të madhe botërore nuk mund të gjesh një njeri të vetëm ateist në katedrën e shkencave ekzakte. Ndoshta në filozofi ka mbetur ndonjë gjurmë.

Shkencërisht është rrezuar përtokë "teoria e Darvinit", mësimet e të cilit i ka proklamuar shumë i dashuri yt, Lenini. Është kohë e teorisë së "Big Bengut". Është Zoti fuqiplotë që e ke bërë "Big Bengun". Duke i marrë të gjitha këto parasysh, duke e ditur që vlerësimi nga të gjitha instancat shkencore njeriu më meritor që ka shkelur në sipërfaqen e Tokës është i dërguari i Zotit Muhamendi a.s.. Shih çka kanë thënë Tolstoi, Bonaparta, Bizmarku, Uiliem Mur, shih çka kishte thënë Fan Noli. Pyet çka ka thënë vitin e kaluar kryetari i Komunës se Gjakovës, z. Pal Lekaj për Muhamedin a.s.? Prapë të them për këtë pjesën e fundit. I vonuar je ti!

Ke thënë: "Por, me sa duket, jo vetëm politikanët, që çdo fjalë a punë të tyren e matin me votë, por edhe inteligjencia jonë (me ndonjë përjashtim) disi është e hutuar dhe ndoshta edhe e frikësuar nga këto lëvizje dhe rryma fetare, që janë bërë kërcënim për qytetërimin dhe të ardhmen e kombit tonë". Besa po më qeshet. I vonuar je ti. Këtu është esenca. Këtë çështje po ua lë historianëve le të tregojnë se kush e ka shpëtuar kombin tonë nga asimilimi dhe po e citoj Faik Konicën që ka thënë: "Shqiptarët do të ishin më shumë në numër nëse nuk do ta pranonin islamin, ama shqiptarë nuk do të ishin". Nëse nuk e kam qëlluar, historianët le të më korrigjojnë.


Barsoleta

Të paska ngacmuar Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi! Nuk e ka ditur Avokati i Popullit se këtu je i hershem. Këtu nuk je vonuar, në asnjë mënyrë këtu ti nuk bën vaki të jesh vonuar. Nuk e ka ditur ai. Po nuk e ka ditur ai që ti asnjë njeri të vetëm të gjallë apo të vdekur të këtij kombi nuk ka mundësi ta shohësh mbi veten tende. Ti mendon se krejt dynjaja janë kundër teje. Ti edhe në Kuvendin e Kosovës mendoje se të gjithë parlamentarët janë kundër teje. A kurrë s'ke dëgjuar barsoletën: "Vocërrakut nga Vitia kur po del në foltore të Kuvendit të Kosovës duhet vendosur një pasqyrë të madhe para tij, në mënyrë që mos t'i shohë parlamentarët. Po i duken që të gjithë janë kundër tij. Le ta shohë vetëm veten e tij"! Në telashe i ke pas qitur edhe shokët e tu dhe shokët e mi të cilët të kthyen në Viti vetëm për t'u çliruar nga ti. Sot e atë ditë rahati në Viti nuk ka. Si të ketë rehati kur ti veten e sheh mbi ligj, mbi gjyq, mbi polici, mbi qytetar, mbi shokët e tu, mbi miqtë e tu. Ne mënyrën më të turpshme i përjashtove drejtorët nga shkolla (edhe unë mendoj që disa duhej përjashtuar). Ama metodën nuk e zgjodhe. Ligjin nuk e respektove. Pastaj, i fute në mes vete në kundërthënie deri maksimalisht acaruese ish-ushtarët e UÇK-së. Disa punëtorë në administratën komunale, disa të punësuar në polici.

I detyrove ish-ushtarët e UÇK-së, policët e sotshëm t'i arrestojnë ish-ushtarët e UÇK-së, punëtorë të administratës komunale. Pse e bërë punën të vijë aty. Sepse ti vetën e shihje dhe e sheh mbi të gjithë, mbi ligj, mbi gjykata ... Ti je kah ecën në duar me kokë ulur dhe të gjithë ata që ecin në këmbë, që ecin normal ty të duken se ecin mbrapsht. Shumë lehtë e ke, kthehu në këmbë dhe ec mbarë. Ec qysh ecin tërë qenia njerëzore. Po mirë hajt të lutem a të shkon ndonjëherë në mendje pse ti në zgjedhjet e fundit komunale në komunën e Vitisë i ke fituar vetëm 203 vota. Po të pyes pashë Zotin kallëzo drejt sa votues i ka mëhalla jote?

Si ka mundësi ti ta shohësh veten mbi tërë sistemin Juridik Kushtetues në Kosovë? Ne fare nuk jemi të kënaqur me funksionimin e drejtësisë, ama nuk kemi asgjë kundër gjykatësve, të cilët zanat e kanë, (flas për gjykatës të ndershëm, të pakorruptuar) profesion e kanë, ata gjykojnë me çka i jep sistemi. Çka kanë faj ata. Si mund të jesh aq mendjemadh. Apo edhe këtu ndoshta je i vonuar!

Paske thënë: "... Çështja e shamisë ... feja e ndanë nga shteti ...", të them: Edhe këtu i vonuar je! Çka të pengon ty shamia në shkollë. Mirë, uniforma në rregull ashtu si e përcakton shkolla. Nuk ka rregullore që përcakton me mbajte në kokë. Pse ty s'të prishin punë veshjet çoroditëse të një pjese të nxënëseve me të cilat habiten krejt "kombet" që vijnë këndej pari. Veshje më të cullakuar shumë mirë di që askund në botë nuk ka. As në Francën "tënde" nuk ka. Së këndejmi është e vërtetë që feja është e ndarë nga shteti. Shteti te ne nuk jep lekë për fenë. Në perëndim ndryshe është. Çka ka lidhje që feja është e ndarë nga shteti me bartjen e shamisë në shkolla. Edhe këtu ti po mendon se e njeh ligjin më shumë se Avokati i Popullit dhe Gjykatat. Prapë ty po të duket vetja si lepurit pianec! Çka ka të keqe nëse një vajzë e vendos edhe shaminë në kokën e saj duke e veshur edhe uniformën që e përcakton shkolla. Me aq dije sa kam për fenë time shamia është farzë (obligim) për femra myslimane. Vete babën tënd të tregon se shaminë te ne në kohën e Rankoviqit e ka pas hequr sistemi komunist i Jugosllavisë e në kohën e shokut Stalin.


Cullakhanja në vend të shamisë

Atëherë e kanë pas hequr shaminë, për ta sjellë cullakhanen në ditë të sodit. Apo e sheh që prapë je i vonuar! Sot ti thua shamia arabe!!!. O shqiptar, e di që sot në Angli femrat police të besimit islam mbartin shami dhe krenohen me to. Mbartin shami bashkë me uniformen e policisë. Ligji ua lejon se është e drejtë elementare e shprehjes së besimit e garantuar edhe me Konventa Ndërkombëtare. Shami ka pasur edhe nëna jote. Shami ka edhe nëna ime. Shami ka pasur edhe gjyshja ime, edhe hallat e mia, shami mban dhe krenohet me të edhe gruaja ime, edhe motra ime, edhe kunata ime, edhe vjehrra ime. Qysh nuk të vjen marre prej kryetarit të Vitisë, Nexhmedin Arifit? Të ka bërë zëvendëskryetar të Komunës me vetëm 203 vota të fituara nga elektorati me 41438 votues. O njeri shamia nuk është arabe. Shamia është islame. Shami ka pasur edhe Mejremja e ndershme. Shami ka pasur edhe mbretëresha Belkize në kohën e Sulejmanit a.s.. Shamia gjatë tërë historisë njerëzore ka qenë e lidhur dhe është e pandashme me besimin. Paske thënë: "Për fe është Xhamia". Këtu s'ke lënë hapësirë për koment. Mua jo. Nuk e di qysh mundet njeriu jo me dy ditë shkolle, por me dy fije mend në krye të mendojë se deri te dera e xhamisë duhet shkuar "pa fe", e te dera e xhamisë, apo te shkallet "e merr fenë, bëhet me fe" dhe hyn në xhami!!! Mendo çka ke thënë.

Paske thënë: "Kosova është e tejngopur me xhami e me kisha". Po të pyes kur i ke ra në cilindo qytet të Kosovës përreth ndonjë xhamie në kohën e Xhumasë? Dil shihi xhematin ditën e xhuma të Xhamia e Vitisë. Dil nuk është marre. Zëvendëskryetar i Komunës je edhe për ata që falen shkallëve të Xhamisë (harrova që Xhamia është larg Komunës 100m, e ti ndoshta si të dalësh prej Komune mendon që s'je më zëvendëskryetar, po de, se ke të drejtë të shkruash çka të duash!!!). Dil e shihi gjërat në mënyrë horizontale. Ose dil kur të qetë puna në cilëndo Xhami në Prishtinë edhe shihi studentët, bashkë me profesorët e tyre të rreshtuar në safa nëpër oborre të xhamive, nëpër trotuare dhe rrugë. As oborret nuk po i nxënë. Eja te xhamia "Dardania" këtu në Prishtinë, këtu ku unë zakonisht e fal xhumanë. Ishallah qëllon dita kur hoxha në mënyrë jashtëzakonisht i ngushtuar i drejtohet xhematit me mbi 2000 veta. "Vëllezër, sot është dita kur duhet të paguhet qiraja mujore për xhami. Bëna halla mos u ngushtoni nga sa të mundeni"?! Dhe çdo herë tregon me saktësi sa lekë janë grumbulluar muajin e kaluar. A s'të vjen keq që në mesin e popullatës me 95% mysliman nuk ka xhami të mjaftueshme. Në Prishtinë dhe qytete jo se jo. A po e kupton që ne jemi shumë krenarë për durimin, sabrin dhe tolerancën që tregojmë ndaj Katedrales së ndërtuar për nja 30 e ca familje të krishtera në Prishtinë. Mirë, ne prapë themi le të ndërtojnë nëse ju duhen. Ndoshta kurrë s'ke kaluar në kohë të xhumasë përreth ndonjë xhamie. Këtu nuk po e kam të qarte pse dhe kur je vonuar. I vonuar po se po.


Shqiptarët, 95 për qind myslimanë

Paske thënë: "Gjykatat dhe vendimet e tyre nuk mund të jenë mbi ligjin dhe mbi interesat e vendit". Këtu mirë e ke. Vetëm ti mund të jesh mbi gjykata, mbi ligjin, dhe mbi interesat e vendit. Të them: ti je kundër interesave të këtij vendi dhe të këtij populli. Ky popull është me 95% myslimanë sipas statistikës së Don Anton Kqirës. TË JESH KUNDËR MYSLIMANËVE TË KËTIJ KOMBI, DMTH TË JESH KUNDËR KËTIJ KOMBI. Kjo është matematikë shumë e thjeshtë. Edhe po të jesh kundër të krishterëve të këtij kombi, je kundër këtij kombi. Sepse shumica e këtij kombi kurrë nuk ka qenë kundër pakicës së këtij kombi. Kurrë nuk kanë qenë kundër vëllezërve të tyre për nga gjaku. E di që askush s'ta ka thënë, s'ta ka thënë se të thashë më herët që është shumë punë e urryer të merrem me ty. Tani me kujtohet një thënie e Akademikut tonë shumë të nderuar Rexhep Qosja: "Nuk duhet vlerësuar kush po flet, por duhet vlerësuar çka po flet". Unë e kam dëgjuar këtë thënie përafërsisht para gjashtë vjetëve, ndoshta e ka thënë edhe në raste tjera të mëhershme. Prej atëherë mundohem t'i përmbahem kësaj teze. A po e vëren? Edhe populli ka filluar të bëjë vlerësime kush çka po flet. Nga 41438 votues ke fituar vetëm 203 vota. Kështu të kanë vlerësuar qytetarët e komunës së Vitisë.

Ke thënë: "Pothuajse, të gjithë shqiptarët, fatkeqësisht, jetojnë nga dhe me bukën e botës së krishterë ("të kaurëve"), madje edhe turistë (haxhinj) shkojnë me paratë e fituara nga bijtë e tyre në vendet e krishtera, ndërsa altoparlantët gjëmojnë në të katër anët e Kosovës si të ishe në Arabi"!! Besa këtu dhe për paragrafin paraprak më së shumti është kompetencë e psikologëve, apo më mirë të them është brumë, është temë për ndonjë disertacion/doktorature të kësaj lëmie. Qysh nuk të vjen gjynah nga mërgimtarët. Nga ata që janë gjallë dhe që kanë rënë dëshmorë. Kush e ka ndryshuar gjendjen ekonomike sociale të këtij populli prej viteve 70-ta të shekullit të kaluar e deri me sot?. Pashë Zotin e Madh qysh s'të ra ndërmend që familja më nammadhe e të gjitha kohëve të historisë sonë, familja e ndritur e Adem Jasharit. Ajo familje, ata burra me djersën e ballit, me mundin e vet, me përmallimin për prindërit, gratë fëmijët e familjet e tyre, me dashurinë për atdheun ... me dhembje e mërzi, e sakrificën, e rrezik, e lodhjen ... në këtë mënyrë e kanë fituar Bukën e tyre. Nuk është "bukë e botës krishtere" siç thua ti. Baci Ramush, baba i komandant Mjekrrës-Njazi Azemit të gjithë e dimë që është i sëmurë prej unazave të boshtit kurrizor nga puna e rëndë në Zvicër. Të pyes e kujt ka qenë buka e tij? Kjo pyetje vlen për bukën e të gjithë mërgimtareve. Aha, harrova, se edhe ti ke qenë në Francë dhe veten e sheh mbi të gjithë mërgimtarët!!

Edhe këtu je vonuar. Historikisht je vonuar. Ti je kthyer nga azili në Kosovë ditën që është çliruar Vitia. Pse more burrë nuk u ktheve një ditë para çlirimit?. Po de, ti çdo herë kundër. Në kohën kur trimat mërgimtarë që nga tejatlantiku dhe të gjitha vendet e botës ku kanë qenë, kishin lënë jetën luksoze dhe iu kishin përgjigjur vendlindjes, duke e ofruar gjakun e tyre në kompensim me lirinë e vendit, ata që mbetën gjallë filluan të kthen në vendet nga kanë ardhur, ndërsa ti "triumfalisht" u ktheve në vendlindje!!! Unë nuk po t'i humb 2.5 vjet burg që ke mbajtur për këtë vend dhe angazhimin tënd. Ama i tërë angazhimi yt nuk bën as sa një minutë lufte në vijën e frontit. Po ti përmendi me emra: Komandanti i Brigadës 173, Selami Neziri, u kthye në Zvicër, shefi i policisë ushtarake, Besim Beqiri, nga Radivojci, u kthye në Zvicër. Ismail Arapi nga Sllatina u kthye në Gjermani. Ramiz Neziri nga Tërpeza u kthye në Gjermani ... Le të më falin të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së nga Pozharani, Lubishta, Smira, Verbani, Gërmova, Sadovina, Skifteraj, Beguca, Tërsteniku, Remniku, Kabashi, Sllatina etj., emrat e të cilëve nuk po i përmendi e që kryen detyrën e vet historike dhe triumfalisht u kthyen në vendet nga kishin ardhur për të vazhduar me fitimin e bukës. Goja ime nuk mund të thotë "bukën e botës së krishterë".

Po mirë, nafta është në vendet e myslimaneve, ndërsa është "bukë" e atyre që punojnë për vete dhe familjet e tyre. Je i vonuar. I vonuar shumë. Të lus mos u vono, ik nga ku je. Ik mos u vono. Mësohu njëherë për t'u mos u vonuar. Ik nga pozita e zëvendëskryetarit të Vitisë. Nëse ti nuk e bën, kërkoj nga kryetari i Komunës zotni Nexhmedin Arifi që të shkarkojë (shumë veta më kanë thënë që vota për kryetarin në balotazh ka qenë kusht që Xhevat Bislimi mos të jetë zëvendës) nëse është ashtu të lutem kryetar mbaje premtimin. Nëse Ju z. Kryetar nuk e shkarkoni kërkoj nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ta bëjë shkarkimin e tij. Nëse Kryeministri nuk e bën, goja ime nuk mund të kërkoj nga Piter Fejt të bëjë këtë.

Xhevat, mirupafshim në gjykatë, për ofendimin e ndjenjave fetare. Dhe kurrë më me ty nuk merrem. Do të jetë pune e gjykatës.



Autor: Milaim Sylejmani, ekonomist,
(ish-shef i Shtabit të Brigadës 173, "Bajram e Gursel Sylejmani" të UÇK-së).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...