Mos na prekni historinë - po klithin falsifikatorët e historisë



Nuk janë turqit ata që duan të na ndryshojnë historinë, atë na e ka falsifikuar shoku Enver Hoxha dhe shërbetorët e tij

Pas deklaratave të ministrave turq Dinçer e Davutoglu për problemet që ka historiografia e jonë në raport me turqit dhe me Perandorinë Osmane u ngrit turma e atyre që pretendojnë të jenë historianë se nuk lejojnë të ndryshohet historia, se të prekësh historinë është të prekësh shtyllën kurrizore të kombit etj. etj. etj..

Kjo e vërtetë duket shumë cinike. Ata që prekën shtyllën kurrizore të kombit janë falsifikatorët e historisë, shërbëtorët e shokut Enver Hoxha (1908-1985) dhe nxënësit e tyre.

Këta falsifikatorë të historisë për më së gjysmë shekulli indoktrinuan breza të tërë me histori të rreme, me gjysmë të vërteta dhe me komente të çoroditura.


Lëvizja komuniste në Drenicë?!!! Lëvizja balliste në Drenicë?!!!

Falsifikimi u bë aq i paskrupullt sa ta zëmë ka njeri që ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës me temën "Lëvizja komuniste në Drenicë 1941-1945". Emrin nuk po i përmendi për të mos krijuar idenë se po sulmoj individin dhe jo dukurinë. Krejt Drenica e di që në atë kohë s'kishte asnjë komunist në Drenicë dhe rrjedhimisht as lëvizje komuniste.

Po i njëjti person, pas rënies së komunizmit shkroi librin "Ballit Kombëtar në Drenicë" duke i konsideruar si ballistë të gjithë nacionalistët shqiptarë të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Në gjithë Kosovën në atë kohë kishte vetëm dy anëtarë të Ballit Kombëtar. Ata ishin dy profesorë të gjimnazit "Sami Frashëri" në Prishtinë, kurse në Drenicë s'kishte as edhe një ballist të vetëm.

Nacionalistët e Drenicës si edhe ata të gjithë Kosovës ishin përkrahës së qeverisë kuislinge me seli në Tiranë deri më 1943, dhe më 1943/44 përkrahës të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në krye me Rexhep Mitrovicën (1887-1967) e Xhafer Devën (1904-1978), ndërsa më 1945/46 përkrahës të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare dhe përkrahës të kryengritjes së Shaban Polluzhës në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht këtu nuk po i llogarisë për nacionalistë një grup komunistësh të mbledhur rreth Fadil Hoxhës (1916-2000) të cilët edhe ashtu kishin rrol minor derisa u krye Lufta e Dytë Botërore.

Ky shembull eklatant tregon se sa në mënyrë bizare është shkruar historia e jonë.


Falsifikimi i deklaratës së pavarëssisë së Shqipërisë

Vargu i falsifikimeve me te cilat edhe sot e kësaj dite furnizohen nxënësit e studentët në Kosovë e Shqipëri është tejet i gjatë dhe prekë çdo pore të historisë sonë.

Disa nga këto falsifikime janë dalë në shesh pas rënies së komunizmit siç është rasti i shlyerjes së nënshkrimeve të Rexhep Mitrovicës (1887-1967), Mit'hat Frashërit (1880-1949) e të tjerëve nga dokumenti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por shumica e falsifikimeve ende kanë ngelur.


Falsifikimi i emrit të Ismail-Qemail bej Vlorës në Ismail Qemaili

Falsifikimi prek edhe vet Ismail-Qemail bej Vloren (1844-1919).

Meqë Enver Hoxha i kishte shkatërruar gjithë familjen Vlora sikurse edhe gjithë familjet tjera patriotike në mbarë Shqipërinë, atëherë kryeministrit të parë të Shqipërisë iu hoq mbiemri Vlora dhe titulli bej. Pjesa e dytë e emrit Ismail-Qemail iu bë mbiemër dhe kështu Ismail Qemail bej Vlora u tjetërsua në Ismail Qemaili. Edhe sot e kësaj dite shkollat, rrugët dhe sheshet në Kosovë e Shqipëri mbajnë tabelat ku shënohet Ismail Qemaili e jo Ismail-Qemail bej Vlora.


Vasil Shanto - terroristi komunist që mësohet si hero

Ende sot në Shqipëri rrugë dhe shkolla mbajnë emrin e heroit të popullit Vasil Shanto (1913-1944) "heroizmi" i të cilit ishte vrasja e djalit të Isa Boletinit (1864-1916), major Adem Boletinit (_________________________-1943), komandant i xhandarmerisë në Shkodër.


Falsifikimi i nënshkrimit të Bajram Currit: letër Leninit

Dr. Krist Maloki (1900-1973) ishte tronditur kur në muzeun e Shkodrës gjatë vizitës së tij si profesor austriak viteve të 60-ta, iu kishte prezantuar dokumenti i "nënshkruar" nga Bajram Curri (1862-1925) ku kinse ky i kishte dërguar letër "Hazreti" Leninit (1871-1924). Krist Maloku pohon se e kishte njohur personalisht Bajram Currin dhe se Bajram Curri ishte analfabet dhe kurr nuk kishte vënë nënshkrim. Natyrisht ky fakt nuk e zvogëlon rrolin e Bajram Currit në dërgimin nëpër shkolla të të rinjëve shqiptarë nga Kosova.


Falsifikimi më i dëmshëm: ai për Kongresin e Berlinit

Vargu i falsifikimeve është i gjatë, por më të dëmshmin na e provon Jusuf Buxhovi.

Ky ka të bëjë me qëndrimin "armiqësor" të Anglisë dhe Gjermanisë ndaj çështjes shqiptare në kongresin e Berlinit më 1878. Edhe pse Jusuf Buxhovi me prova të dorës së parë dëshmon se Anglia e Gjermania në Kongresin e Brerlinit kishin ndaj Shqipërisë qëndrim identik me atë çfarë patën këto vende ndaj Kosovës më 1999, prap se prap librat tona të historisë, nga ku mësojnë nxënësit e studentët tanë, vjellin vrer kundër Anglisë e Gjermanisë së asaj kohe. A nuk është dëmtim i shtyllës kurrizore të kombit falsifikimi i raporteve të kombit me miqtë më të mirë të tij: Anglinë e Gjermaninë?


Wikileaks. Viki-Çka?

Kur ka falsifikim të fakteve, atëherë komentimi i historisë bëhët akoma më banal. Ata që kanë shkruar historinë mbi bazën e fakteve dhe kanë komentuar drejt kurr nuk i tremben rishikimit të teksteve të historisë. Ata që kanë falsifikuar klithin sllogane patriotike për të fshehur krimin qe kanë bërë.

Nga Wikileaksi nuk frikësohet askush që ka folur hapur, drejt e sinqerisht në çdo kohë e çdo vend. Për ata që gënjejnë e intrigojnë: Wikileaks, Viki-Çka?.



Autor: Nexhmedin Spahiu, shtator 2011.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...