Organizimi i shërbimit 'sekret' vehabist në një qytet shqiptar



Duke qënë se Vehabistët kanë një organizim të largët, ata kanë krijuar shumë eksperiencë në lidhje me fshehjen e aktivitetit të tyre. Për këtë arsye më duhet që në këtë shkrim ta quaj organizimin e tyre gjithëpërfshirës si Shërbimi "Sekret Vehabistë".

Përhapja e doktrinës Hanbelite të përzier me ideologjinë Vehabiste të Arabisë Saudite, në Shqipëri filloi në fillim të vitit 1992, ndërsa në Kosovë filloi në vitet 1998-1999, menjëherë pasi NATO-ja ndaloi operacionet kundër objektivave serbe. Sipas studiuesve, që kane shkruar për përhapjen e Selefizmit në Shqipëri dhe Kosovë, Arabia Saudite ka ndërtuar rrjete ndërkombëtare të përhapjes, mbështetjes financiare dhe propagandës së ideologjisë fondumentaliste të tyre, si një mjet për të rritur ndikimin në mbarë botën, në Ballkan, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Duke qënë se Vehabistët kanë një organizim të largët, ata kanë krijuar shumë eksperiencë në lidhje me fshehjen e aktivitetit të tyre. Për këtë arsye më duhet që në këtë shkrim ta quaj organizimin e tyre gjithëpërfshirës si Shërbimi "Sekret Vehabistë". Kjo pa dyshim nuk do të ishte bërë e mundur pa përfshirjen aktive të vetëshërbimit sekret Saudit dhe ministrisë së tyre të jashtme, të cilat prej dekadash tashmë kanë mundësuar mbështetjen e aktiviteteve, organizatave, shoqatave, etj., të tyre nëpërmjet ambasadave dhe misioneve diplomatike të tyre në mbarë botën.

Kjo shprehet në planifikimin dhe organizimin me shumë kujdes të aktiviteteve, pa u ndarë aktivisht në rrjetet sociale, duke u munduar që këto të shpërndahen vetëm në rrethin e njerëzve dhe rrjeteve të tyre. Nëse agjensitë tona të inteligjencës, duke filluar nga ato amerikane, gjermane, etj., por dhe agjensive tona do të ishin më të vemendshme për aktivitetin e tyre në kohë të gjatë "long term plan" do të kuptohet se organizimet e tyre, publikimit e tyre në rrjetet sociale, komentet, etj., shprehin mënyrën e aktiviteteve të tyre për të ardhmen. Për këtë qëllim ajo që unë do të doja të sygjeroja është ndjekja me vëmendje e aktiviteteve të tyre pa ndërprerë, pasi që kjo do të bënte të mundur të kuptuarit drejt të veprimtarisë së tyre.

Organizimet, marrja dhe shpërndarja e mesazheve fillon nga ligjëratat e caktuara të imamit "Bossit" apo drejtuesit të caktuar fetar të frymës Vehabistë, i cili i shpërndan këto mesazhe nëpërmjet ligjërimeve të cilat në shumicën e rasteve nuk janë publike, me përjashtim të atyre që simpatizantët periferik arrijnë t'i regjistrojnë e pastaj t'i shpërndajnë në rrjete sociale të grupeve të caktuara, pasi, mësime, ideologji, mesazhe dhe ligjërata të tilla janë përçmuese, fyese dhe nënçmuese ndaj institucionit, personit ose çdo grupimi të cilin e kanë përcaktuar si "rrezik" të zbatimit të planit, aktivitetit dhe ideologjisë së tyre.

E gjithë aktiviteti fillon me një ligjërim të "mbyllur" në xhami, në ndonjë kafe apo objekt të cilin ata e përdorin për përhapjen e ideologjisë së tyre Vehabiste, të cilat frekuentohen vetëm nga vehabistë, duke shfrytëzuar muajin e ramazanit, ndonjë organizim Akika, iftarin, me pas duke e vazhduar diskutimin e tyre në grup në aplikacionin e telefonit WhatsApp, Viber, Signal, Botim, etj., duke përdorur emra, titullime, emërtime, etj., që i motivojnë anëtarët e tyre të përzgjedhur, besuar dhe motivuar me një rregull strikt që çdo gjë që diskutohet në grup nuk duhet të dalë jashtë tij. Arsyeja e përdorimit të aplikacionit WhatsApp, Viber, Signal, Botim, etj., është se ata e kanë informacionin se ato nuk përgjohen nga agjensitë ligjzbatuese. [1]

Në këto mbledhje bëhet organizimi i tyre, merren mesazhe se si duhet të veprohet edhe pse përmbajtja e këtyre mesazheve nuk është shumë e qartë. Kjo drejtohet nga hoxha Vehabist i cili konsiderohet si "shefi" i Vehabistëve, dhe nën drejtimin e tij përcaktohet strategjia për propagandën kundër organizimeve dhe aktiviteteve të BIK-ut, në mënyrë që të dështojnë dhe të bojkotohen (për dështimin e aktiviteteve të tilla dhe për bojkotin kemi dëshmi dhe foto të njërit nga organizimet e dështuara). Një aktivitet tjetër që duhet theksuar është edhe aktiviteti i tyre kundër botimit të librave që janë botuar nga BIK-u, të cilat iu prishin punë në ideologjinë e tyre (edhe për këtë ka dëshmi të bisedave që kanë dalë nga këto grupe), aty bëhet organizimi dhe propagandë denigruese kundër imamëve që i pengojnë në zbatimin dhe implementimin e ideologjisë së tyre, aty përdoren fjali ofenduese dhe nënçmuese, duke vendosur dhe përdorur nofka fyese për Imamët Hanefi.

Më pas këto mesazhe merren dhe shpërndahen nëpërmjet porosive tek simpatizantët e tyre, nëpërmjet ligjërimeve të imamëve të tyre, të cilat në përmbajtjen e tyre janë fyese për rajonet e tjera të Kosovës dhe banorëve që jetojnë në këto rajone. Arsyeja për këtë është se në atë qytet apo rajon ushtron aktivitetin fetar një imam i cili kundërshton me të drejtë ideologjinë vehabiste apo ndonjë analist apo politikan tjetër që ka kritikuar vehabizmin (ligjërata të tilla fyese dhe nënçmuese për banoret e regjioneve të ndryshme të Kosovës janë publikuar edhe në internet, madje ka ndodhur që Bashkësia Islame e Podujevës ka reaguar zyrtarisht ndaj një "hoxhe" që ka fyer e nënçmuar regjionin e Llapit).

Më pas këto fyerje shpërndahen në qytetin në të cilin ushtron aktivitetin grupi i "WhatsApp-stëve" kundër imamëve Hanefi, të cilët nuk janë me prejardhje nga ai qytet (kuptohet fyerjet drejtohen ndaj imamëve nga fshatrat dhe atyre që kanë prejardhje nga fshati e që shërbejnë si imamë në qytet). Kjo bëhet vetëm kundër Imamëve Hanefi, po ashtu për këtë frymë përçarëse, urrejtjeje dhe fyerjesh kemi dëshmi të publikuara në publik nga personi që është pjesë e familjes së një imami vehabistë dhe sigurisht i ndikuar nga ligjërimet e këtij imami, ligjërime fyese dhe nënçmuese ndaj banorëve të regjioneve të ndryshme të Kosovës. [2]

Kjo bën të mundur që një pjesë e njerëzve të mobilizohen për të ndjekur ligjëratat e imamëve vehabistë dhe të bojkotohen imamët Hanefi, duke i paraqitur ata si të dështuar, pa mbështetje dhe me pak ndikim në popull, në një kohë që është i njohur fakti se shumica dërmuese e imamëve janë Hanefi. Kjo strategji është një strategji e pastër që të paraqesë përpara syve të popullit, se organizimi i institucioneve fetare në Kosovë është i dështuar, në mënyrë që ata të duken sikur imamët Hanefi po bojkotohen nga masa e ndjekësve të tyre.

Kur vjen muaji i Ramazanit, një muaj i begatë për vjeljen e Sadaka-së dhe Zeqatit duhet aktivizim dhe punë maksimale andaj grupet e WhatsApp-it bëjnë një organizim të madh që Sadkatul Fitri të derdhet sa më shumë në xhamitë ku ushtrojnë veprimtarinë imamët e ideologjisë Vehabiste, dhe nëse objektivi për grumbullimin e të dhënave nuk arrihet, atëherë futet në përdorim Zeqati, i cili dhurohet në xhamitë e tyre në emër të Sadakatul Fitrit, me të vetmen arsye që të paraqiten si imamë të suksesshëm (sipas propagandës së tyre, institucionet fetare shohin vetëm aspektin financiar, ndërsa e vërteta është që janë këta që si "Zot" kanë paranë).

Këto grupe bëjnë organizimin e njerëzve për ligjëratat javore, ku imamët vehabistë (edhe pse kohët e fundit jemi dëshmitarë që të gjithë, madje ka dëshmi me fotografi se numri i njerëzve që ndjek ligjëratat e tyre javore nuk i kalon 10 personat, duke bërë që ligjëratat e tyre në kamera të mos shfaqin xhemati por vetëm hoxhën) në të cilën bëhet propagandë për bojkot apo nxitje për bojkot për pjesmarrjen në ligjëratat, namazet ditore dhe namazet e Xhumave në xhamitë e imamëve Hanefi. Arsyet dhe justifikimet janë banale dhe të ulëta, të veshura kinse me çështje fetare, se kinse aty ndalohet falja e namazit për shkaqe të ndryshme fetare, por në momentin që ndodh që imami Hanefi nuk është në xhami për arsye të ndryshme apo është duke e zëvendësuar imamin Hanefi për një kohe të caktuar një imam me ide vehabistë, atëherë aty do gjesh grup vehabistësh të organizuar. Kjo tregon dyfytyrësinë e shitjes së fesë së tyre, duke thyer ato rregulla fetare që sipas tyre ua ndalonin faljen në atë xhami deri në atë moment.

Në ato grupe të WhatsApp-it fillon dhe plasohet një shpifje ndaj një imami Hanefi, e pasuar nga njëri nga drejtuesit e vehabistëve të qytetit apo simpatizant i tyre, kuptohet i nxitur nga imamë vehabistë, e pastaj pasojnë ligjërime e shkrime, ajete e hadithe për temën në fjale që të vërtetohet "përmes fesë" se një Hoxhë i caktuar është kështu apo ashtu, në xhaminë 'x' nuk pranohet namazi, aty fillojnë idetë e organizimeve të ndryshme, motivet e ndryshme, aty fillon organizimi i mbledhjes së fondeve për një aktivitet të caktuar dhe pastaj është i "detyruar" që secili të shpërndajë fotot e atij aktiviteti të "suksesshëm të hoxhës vehabist 'x'. Më pas, pas publikimit të aktivitetit, këto grupe vehabistësh planifikojnë në detaje publikimin e mesazheve të cilat janë të kontrolluara, ku lavdërohet në maksimum aktiviteti i imamit vehabist.

Pas publikimit të aktiviteteve të tilla, mund të ketë edhe një zgjedhje të një grupi më të vogël, të cilët do të merren me detale të ndryshme të organizimit, apo persona të caktuar që nuk duken haptazi si shumë të infektuar nga ideologjia vehabiste, duke i dërguar në xhami ku drejtojnë aktivitetin imamët Hanefi, për të ndjekur aktivitetin e tyre, për të shkaktuar probleme, për t'i kërcënuar, përçarë, për t'iu bërë presion sa më shumë, për t'i folur xhematit që të largohen nga kjo xhami, etj..

Këto takime zakonisht realizohen në klube të caktuara apo çajtore të hapura nga një "vëlla mysliman që në fakt është vehabist", këto grupe të vogla zgjidhen edhe për grumbullimin e Zeqatit apo parave për Sadaka ose ndihmë për të varfërit, apo "projekte" të tjera të vehabistëve si p.sh.: "vizita e çdo dyqani me moton '100 Euro për çdo dyqan'". Në shumicën e rasteve këto para nuk i grumbullojnë imamët vehabistë, në mënyrë që të ruhen dhe të mos shfaqen në publik se janë duke dëmtuar BIK-un në aspektin financiar, në aspektin e Vitrave dhe Zekatit, por nëse shohim me kujdes këto projekte humanitare nga shoqata të ndryshme që grumbullojnë Zekatin, Vitrat, Lëmoshën, Fidjen (kompensimi i Agjërimit për ata që nuk kanë mundur ta agjërojnë) nëse hulumton kush janë personat e këtyre projekteve dhe shoqatave humanitare, dilet në përfundimin se ata janë njerëzit, nxënësit, simpatizantët, ndihmësit dhe përkrahësit më të mëdhenj të një apo më shumë imamëve vehabistë të qytetit ku funksionon ajo shoqatë me ata persona. Sa u tha më sipër kemi në dispozicion dëshmi me foto për aktivitetet humanitare dhe lidhjet e këtyre personave me imamët vehabistë, emrat e udhëheqësve të shoqatave të tilla humanitare dhe të imamëve vehabistë të lidhur me këto shoqata përmes njerëzve të shoqatës të cilët janë të njohur, prandaj zakonisht pothuajse në çdo qytet do të gjesh shoqata të tilla humanitare, të cilat në të njëjtën kohë dëmtojnë shoqatat zyrtare humanitare të institucioneve fetare të këtyre qyteteve.

Për të siguruar një mbështetje në popull dhe për të mundësuar ndjekjen e tij nga komuniteti ku ai është caktuar që të zhvillojë aktivitetin e tij, një imam vehabist qoftë dhe i përkohshëm, bëhet një organizim i madh duke ftuar sa më shumë njerëz në prezantimin në xhaminë ku do predikojë. Kjo sipas një strategjie të qartë edhe duke i zbrazur disa xhami ku ka imam me ideologji apo veprime jo sipas rregullave të institucionit fetar vehabist, duke prezantuar persona që nuk kanë qënë kurrë në atë xhami (e konfirmuar dhe e dokumentuar me shkrim në disa rrjete sociale nga ekstremistë të tillë, emër i njohur për autorin) duke filluar prezantimin e disa grupeve me ideologji vehabiste. Grupet mund të ndahen si më poshtë vijon:

1. - Grupi i të varfërve: Të cilët për këtë shërbim ndoshta përfitojnë nga ndonjë shoqate humanitare në të cilën kanë ndikim ata me ideologji ndryshe dhe zakonisht në qytete nuk i gjen njerëzit e ideologjisë tjetër "vehabiste", ku nuk ka një organizate humanitare. Nëse analizojmë bisedat dhe komentet e tyre në rrjetet sociale, dalim në përfundimin se të varfërit i kanë zbuluar "porositë" dhe planet që frymëzuesit e tyre kishin planifikuar të ndodhnin pas një muaji. Entuziazmi i tyre dhe dëshira që të shfaqen sa më besnikë, i bën ata të dedikuar ndaj kauzës. (Ka fakte të shumta të bisedave dhe komenteve të tyre në rrjetet sociale për këtë qëllim, zbulimin e planeve të vehabistëve për një xhami në një qytet të caktuar të Kosovës, emrat e simpatizantevë dhe të imamëve vehabistë, të cilët janë të njohur për autorin, imam vehabistë të cilët janë futur me qëllim qetësimin ose zgjidhjen e problemeve familjarë në shtëpinë e personave me gjendje të dobët ekonomike dhe simpatizant të vehabizmit).

2. - Grupi tjetër përbëhet nga njerëzit që janë me profesione me më pak të ardhura të cilët prezantohen me xhaminë, të cilët mund të përfitojnë nga ky "shërbim" duke e zgjeruar rrethin e të besuarve dhe të gatshëm për kontribut, të cilët pastaj mund të kryejnë shërbime kur kanë nevojë për profesionet e tyre "vëllezërit mysliman vehabistë".

3. - Grupi tjetër përbëhet nga njerëzit që kanë gjendje ekonomike të mirë, nga të cilët imamët vehabistë përfitojnë nëpërmjet aktiviteteve që këta zhvillojnë me të varfërit. Kjo realizohet nëpëmjet propagandës që zhvillohet gjatë darkave, drekave, iftareve e akikave (Akika – organizim familjar me rastin e lindje së fëmijëve) të cilët shfrytëzohen për ligjërim, organizim e përhapje dhe shpërndarje të propagandës dhe shpifjeve për akuzat kundër imamëve Hanefi.

4. - Grupi tjetër përbëhet nga njerëzit që janë intelektualë. Ata mund të jenë avokat të kohës së komunizmit, ndonjë nëpunës dytësor në institucione të ndryshme (të sigurisë, drejtësisë, ekonomisë, në komunat e ndryshme, etj.) të cilët paraqiten si intelektualë dhe mesazhi i tyre mund të përdoret për tu shpërndarë tek njerëzit që ata kanë nën komandë, që kanë nevojë për punësim, ndihmë juridike, ekonomike, etj.. Duke qenë njerëz me shkollë ata mund të përdorin kulturën, njohuritë dhe informacionet duke i përdorur në inters të vehabizmit.

5. - Grupi tjetër përbëhet nga njerëzit që fillojnë të frekuentojnë rregullisht objektet e kultit fetar. Ndryshe ky grup quhet ose konsiderohet si grupi i "problematikëve", të cilët edhe pse i janë përkushtuar fesë, nuk i kanë harruar disa veti e veprime të tyre të dhunshme të paraqitjes si të fortë (të paedukuar, gangsterë, shkelës të ligjit), duke fyer, intimiduar imamët Hanefi, duke lëshuar fjalë "të mëdha" dhe "të forta" në xhami ose në oborrin e saj. Kjo detyron njerëzit e ndershëm, të moralshëm, të edukuar, intelektual dhe besimtar të largohen dhe të mundohen të gjejnë një xhami më të qetë. Ka ndodhur shpesh herë në Kosovë që njerëz të tillë, sulmojnë, godasin dhe fyejnë njerëz besimtar kur dalin nga xhamia, sulmohen herë në korridor, e herë në oborr, në gjysëm të namazit, duke krijuar zhurma me zë të lartë dhe duke u paraqitur si të fortë, veprime të cilat kanë detyruar të tjerët të largohen nga ajo xhami. Të gjitha këto veprime nën drejtimin e këtyre njerëzve të pamoralshëm bëhen me qëllim që xhamia "të pastrohet" nga xhemati Hanefi.

6. - Grupi tjetër përbëhet nga njerëzit që janë vetëm disa besimtar të përkushtuar për fenë dhe kinse nuk kanë lidhje me asnjë grup. Realisht këta e kanë për detyrë që indirekt të shpërndajnë mesazhin tek udhëheqësit e institucionit fetar në atë qytet se filan hoxhë është shumë i mirë, aktiv, se po grumbullon shumë para Vitra, se po grumbullon shumë para Zeqat (edhe pse zakonisht parat e Zeqat-it nuk i dorëzojnë në institucionin fetar ose dorëzojnë vetëm ndonjë shumë simbolike), se po i bëhen shumë xhemat (ndërsa nuk tregojnë se xhamitë tjera ku janë falur deri tani ata vehabistë janë zbrazur). Më pas kësaj fillon "përpunimi" i këtyre lajmeve dhe informatave se "më tha filani" kështu, po thotë filani ashtu, po thotë "xhemati" kështu, që në fund të gjitha janë gënjeshtra, propagandë.

Pastaj nëse në institucionin fetar punon në ndonjë pozitë të lartë, dikush që ka një ideologji tjetër apo që e mendojnë se institucioni fetar besimin e ka të devijuar, etj., ai fillon përpilimin e raporteve pozitive për imamin me ideologji si të tijën, duke vendosur në mes të rreshtave dhe fjali fyese e nënçmuese, por të zgjedhura me shumë kujdes kundër imamëve Hanefi. Kjo bëhet më qëllim që në qendër të institucionit fetar ti paraqesin imamët Hanefi si të dështuar, se xhamitë e tyre nuk janë të qeta, se nuk ka shumë xhemat, ndërkohë që janë vetë ata që kanë organizuar sabotimin. Në raportet e tyre do të gjesh shpifje, gënjeshtra, mashtrime, etj, ku qëllimisht fshehen aktivitetet dhe organizimet e imamëve Hanefi (për këtë ka dëshmi të shkruara që e kam përjetuar personalisht). [3]

7. - Grupi tjetër përbëhet nga njerëzit që merren me çështje të teknologjisë, të cilët zakonisht kanë detyrë të mirëmbajnë, plotësojnë, botojnë, shpërndajnë dhe përgjigjen pyetjeve, komenteve, etj në Facebook, e në veçanti në faqet dhe profilet në Facebook të Imamëve Hanefi duke hulumtuar mos ka ndonjë publikim me gabime, duke u munduar që të gjejnë çdo gabim të mundshëm me qëllim diskretitimin e tyre. Më pas këto gabime fotografohen, në mënyrë që Imami Hanefi të nënçmohet dhe të shantazhohet me qëllim humbjen e ndikimit, besimit dhe frymëzimit të rgupit që e ndjek.

Ky grup (ose mund t'i quajnë ndryshe grupi i PR-it) përcjellin të gjitha komentet që vijnë nga njerëz të ndryshëm në profilet e Imamëve Hanefi, ju bëhet analizë të gjithë atyre që komentojnë tek imami Hanefi, konsultohen se në cilin tabor t'i hedhin, shikohet se cili ka bërë "Like" në statuset dhe fotot e Imamëve Hanefi, analizohet me kujdes dhe përcillet secili koment i Imamëve Hanefi në rrjetet sociale, pasi lexohet, realizohet një "Screenshot" edhe nëse imami Hanefi ka bërë ndonjë "Like" në ndonjë koment të caktuar në accountin e dikujt në rrjetet sociale (për këtë fakt kam dëshmi nga përvoja ime ku më është thënë: "Ja shiko, i ke bërë Like në këtë koment, këtu ..., këtij personi që ka komentuar tek ky account", [4] i cili është emër i njohur).

Madje përcjellja dhe përpjekja për shantazh dhe presion, shkon deri aty sa që nëse një person të cilin Imami Hanefi nuk e njeh personalisht, por vetëm kanë shoqëri në rrjetin social, ndërkohë që ai person komenton tek ky Imam Hanefi, etj., e pastaj i njëjti person qoftë edhe pas disa muajsh komenton diku tjetër, qoftë edhe në faqet e Portaleve, dhe komenti i tij është i papërshtatshëm sipas vehabistëve, apo ai koment mund të jetë i tillë përmes të cilit mund ta shantazhojnë në ndonjë formë Imamin Hanefi (edhe nëse ai koment s'ka asnjë lidhje me imamin Hanefi tek i cili ka komentuar personi) duke i thënë: "Ja shikoje një njeri i "tillë" po komenton edhe te postimet tuaja në Facebook". (Për këtë fakt ka dëshmi me foto që më ka ndodhur mua dhe emri i personit vehabist që e ka bërë këtë përpjekje për shantazh është i njohur). [5]

Nga akuzat, trillimet, shpifjet dhe përpjekjet për t'i nënçmuar imamët Hanefi janë edhe shprehjet që përdoren si: këta janë "imamë të Mevludëve", "imam të varreve", "sufi", "dervish", "bidatçi", "imam i xhenazeve", etj., dhe siç duket nënçmimet fyerjet dhe poshtërimet e imamëve kanë filluar nga vehabistët, duke tentuar zhvlerësimin dhe humbjen e ndikimit tek masa e gjerë që kanë pasur imamët Hanefi, në mënyrë që pastaj imamët Hanefi të bëhen jo të besueshëm, në mënyrë që vehabistët të kenë më shumë terren.

Kohët e fundit vehabistët për tu larë nga këto gjynahe që kanë bërë me imamët në trojet shqiptare, po tentojnë të jenë më aktivë në "mbrojtje" të fesë Islame, në mbrojtje të myslimanëve dhe imamëve, atëherë kur këta sipas tyre "sulmohen" nga anti-islamistët dhe islamofobët. Pra kjo ndodh pas gjithë këtyre planeve, planifikimeve, sabotazheve e intrigave, pas disa vitesh planifikim të organizuar mirë që në dukje mund të shfaqet si një organizim dhe planifikim i njëjtë me atë që përdorin shërbimet sekrete. Kjo shfaqet dhe në faktin se në shumë raste Imamët Hanefi, nxitohen të shpallen si imamë kundër BIK-ut dhe institucioneve fetare, duke i quajtur madje dhe si antimyslimanë, duke organizuar simpatizantët vehabistë që ti quajnë këta Imamë si jomyslimanë.

I gjithë ky planifikim dhe organizim i kësaj strukture, nga aspekti i sigurisë duket qartë dhe jep indikacione se mund të jetë organizim i një shërbimi sekret dhe me plan të detajuar në secilin sektor. Ky plan filloi të implementohet në kohën kur Imamët vehabistë e kuptuan se ekzistenca e tyre dhe e ideologjisë vehabiste, varej nga ajo se sa do të inkuadroheshin ata në institucionet zyrtare fetare, sepse deri në këtë moment ata vepronin jashtë institucioneve, me shoqata dhe organizata të ndryshme, por ekzistenca e tyre ishte tejet e rrezikuar. Duhet theksuar se në këtë kohë shprehja "Organizatë" apo "Shoqatë" shikohej me dyshime dhe xhemati largohej nga imamët vehabistë nga frika e dyshimeve për këtë sekt dhe kjo bëri që ata të shndërrohen në "kameleonë" me dy fytyra, pasi kur ata që i drejtojnë e kuptuan dështimin e tyre, i urdhëruan që të ndryshojnë. Kjo me sa duket e ka fillesën e saj nga zinxhiri komandues në Arabinë Saudite, gjë që shfaqet edhe nga ligjerata e njërit nga "mullahët" kryesor të vehabizmit (emër i njohur) të cilin e pyesin studentët shqiptar në Arabinë Saudite se si të veprojnë kur të kthehen në vendet e tyre si psh në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e veriut?

Pyetjet konsistojnë: A të punësohen tek xhamitë ku praktikohen "bidatet", risitë në Fe? Sepse nëse punësohen tek institucioni fetar, i detyrojnë t'i veprojnë disa risi në Fe, ku përgjigja e tyre është shumë e qartë, e cila i mëson të jenë të përgatitur që të veprojnë në vartësi të rrethanave me dy kurse veprimi (me dyfytyra). "Mullahu" i tyre u përgjigj: "Ju duhet të punësoheni aty me aq mundësi sa keni, të mos praktikoni risitë në fe aq sa mundeni dhe të mos u dëgjohet zëri deri në momentin kur të bëni për vete një numër të caktuar simpatizantësh, pastaj duhet t'i largoni ato bidate dhe të veproni sipas mësimeve të vehabizmit". Me sa duket kjo i detyroi ata që të ndërtojnë strategjinë për tu futur brenda institucioneve fetare legjitime, sepse në shoqata e organizata ishin të rrezikuar të shuheshin për një moment nëse shteti do të vepronte kundër këtyre shoqatave, edhe pse me shoqata ishin më të lirë dhe financiarisht më të fuqishëm, flisnin si të dëshironin, madje edhe duke akuzuar e shpifur kundër imamëve Hanefi dhe institucioneve fetare legjitime.

Plani për futjen e tyre brenda institucioneve fetare ishte i përpiluar me profesionalizëm të lartë, dhe infiltrimi u realizua duke sulmuar, kritikuar dhe duke u bërë presion Myftive të qyteteve apo udhëheqësve të institucioneve fetare në një qytet të caktuar, atje ku udhëheqësi i institucionit fetar në atë qytet nuk ishte i fuqishëm në aspektin fetar, në mënyrë që të përballej me ta për arsye dhe shkaqe të ndryshme. Kjo ndikoi që imamët vehabistë të paraqiteshin si të fuqishëm, më të ditur, më fetar, pasi akuzat dhe kritikat bëheshin në distancë, indirekt, përmes ligjërimeve duke argumentuar nëpërmjet ligjeratave sulmet ndaj tyre, pastaj duke sulmuar nëpërmjet presioneve me njerëz me të kaluar kriminale, të cilët kishin filluar të krijonin shoqëri me imamët vehabistë dhe që mendonin se duke derdhur Zeqatin dhe Sadakan tek vehabistët do t'i lanin gjynahet e tyre.

Këta Myfti apo udhëheqës të institucioneve fetare në qytete të ndryshme, nga presioni u detyruan t'i fusin në institucion me kontrata të shkurtra (zakonisht tre mujore), por kur vinte muaji Ramazanit imami vehabistë pyeste se cili Imam Hanefi kishte grumbulluar më shumë Vitra, apo sa Vitra kishte grumbulluar udhëheqësi i institucionit fetar në atë qytet, sepse zakonisht ai tubonte më shumë para për Vitra. Më pas për ti bërë sfidë, Imami vehabistë nxirrte sasinë e parave të rgumbulluara duke i derdhur në fondin e Vitrave. Kjo sasi parash e grumbulluar ishte më e madhe sesa ajo e Imamit Hanefi. (Në një të tillë, emri i imamit Hanefi dhe atij vehabistë janë të njohur). [6] Kjo i bënte ata të dukeshin si të suksesshëm dhe të shpërndahej lajmi nga grupi i organizuar në qytet i cili merrej me propagandën, ndërkohë që kur një imam Hanefi u dilte në ballë dhe i "shpartallonte" me argumente fetare, atëherë fillonin kërcënimet, shpifjet e marifetllëqet më të pista të mundshme.

Ndërkohë infiltrimi i tyre në pozicione të larta drejtuese të institucioneve fetare është realizuar sipas një strategjie të kujdesshme, në atë formë që imamët vehabistë përkrahnin një imam vehabistë, por i cili nuk shfaqej si vehabistë në publik, e përmes të cilit do të kishin mundësi të realizonin planet e tyre afatgjatë, fillimisht duke e bërë atë udhëheqës apo myfti të qytetit të tyre (pasi ai do ishte rob i tyre) duke e paraqitur atë në institucionin fetar në qendër pak a shumë si imam Hanefi. Kjo me qëllimin që Imamët vehabistë të dëshmonin se tani kishin ndryshuar, dhe të shfaqeshin sikur ishin shpëtimtarët dhe mbrojtësit e institucionit fetar. Por pyetja qëndron se nga kush do e shpëtonin dhe nga kush po e mbronin, nga imamët Hanefi? Ata siç e theksuam dhe më lartë në këtë shkrim nëpërmjet propagandës, shpifjeve, trillimeve, etj., kishin arritur t'i shpallnin tradhtarë të institucionit fetar, dhe për çudi kishte edhe nga ata që në institucionin fetar në qendër u besonin këtyre pallavrave (gënjeshtrave/mashtrimeve).

Më pas personi në fjalë, i cili ishte vehabistë por nuk paraqitej si i tillë, ishte aq kameleon sa kishte arritur që të kamuflohej. Me kalimin e viteve dhe përvojën e tij në institucionin fetar, me përkrahjen e vehabistëve (jo publikisht), arrinte që të inkuadrohej edhe në strukturat më të larta të institucioneve fetare, dhe që aty kishte mundësinë dhe detyrimin të informonte Imamët vehabistë në lidhje me udhëheqësit e institucionit fetar, bisedat, strategjitë, dhe informacione të çdo lloji, se cili nga imamët vehabistë ishte në rrezik për suspendim apo largim nga institucioni fetar.

Më pas në bazë të asaj që flitej në qendër të institucionit fetar, të planifikonin se si do të mundoësonin mbrojtjen e Imamëve vehabistë të cilët ishin ne rrezik nga përjashtimi nga institucioni fetar. Në të njëjtën kohë, vehabistët thurnin planet me kujdes dhe në detale për veprimet në raport me secilin imam Hanefi kundërshtar të tyre në secilin qytet, personin që kishin arritur ta inkuadronin lartë në detyrë i cili angazhohej "me mish dhe me shpirt" që të mbronte imamët vehabistë që rrezikoheshin të largoheshin dhe përjashtoheshin nga institucioni fetar. Në këtë mënyrë bëhej e mundur që të shpëtoheshin dhe mbroheshin ata që ishin kundër Imamëve Hanefi. Më kujtohet një rast konkret kur një person i tillë (emër i njohur për mua) iu kishte thënë disa imamëve se: "I kam thënë filanit (emri ishte i një imami vehabist) se edhe këtë herë do të shpëtoj nga përjashtimi". [7]



Autor: Imam Zuhdi HAJZERI [*]



_________________________

[*] - Anëtar i Qendrës Evropiane për Studime të Anti-terrorizmit dhe Inteligjencës në Gjermani & Holandë.

[1] - Shënim i autorit - Që nuk është e vërtetë.
[2] - Shënim i autorit - Emri i imamit vehabist dhe i pjesëtarit të tij të familjes janë të njohura.
[3] - Shënim i autorit - Zyhdi Hajzeri.
[4] - Shënim i autorit - Zyhdi Hajzeri.
[5] - Shënim i autorit - Zyhdi Hajzeri.
[6] - Shënim i autorit - Zyhdi Hajzeri.
[7] - Shënim i autorit - Zyhdi Hajzeri.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...