Wahabistët shtohen në Luginë, pritet goditja e tyre!



Në Luginën e Preshevës së fundi është shtuar numri i ithtarëve të sekti selefistë apo përkrahës edhe të wahabismit.

Prania e tyre dita ditës po bëhet më e shtuar dhe se njerëzit e këtij sekti që pretendojnë se janë ithtarët e drejtë të fesë po pushtojnë edhe xhamitë në Preshevë, Bujanoc dhe në fshatrat e këtyre dy vendbanimeve.

Dita ditës po shtohet edhe përfshirja e numrit më të madh të të rinjve dhe se prijësit e këtij sekti tashmë kanë strategjinë se si të manipulojnë me rininë e papunë dhe dëshpëruar të këtij rajoni më të varfër shqiptar, të lënë pas dore nga institucionet shtetërore.

Edhe drejtuesit e disa xhamive, por edhe përfaqësues legal fetar që thirren si institucione që përfaqësojnë komunitetin mysliman janë përkrahës dhe financues të këtyre fushatave.

Burime për agjencinë e lajmeve INA theksojnë se në këtë skenarë janë të përfshirë hoxhallarë të mirënjohur, që kanë një mburojë edhe nga qarqe të larta të sigurisë të shtetit serb.

Në Preshevë sidomos rinia ofrohet dhe joshet për t`u përfshirë në këtë sekt, duke kundërshtuar më pas islamin tradicional të kultivuar brezë pas brezi në këto treva.

"Kemi një strategji të këtyre grupimeve të organizuara që funksionojnë në mënyrë të përkryer. Ata kanë shtabet apo çerdhet e tyre, nofkat e tyre dhe tërë strategjinë e implikimit dhe infektimit të të rinjve. Baza e tyre dihet se është e përkrahur edhe në Beograd nga një fuqi e madhe, që lehtë edhe mund të zbulohet, nëse do të kishte një transparencë", thekson për INA, një bashkëbisedues dhe predikues i islamit tradicional shqiptar.

Bashkëbisedues dhe qytetarë të Luginës në storjen për INA theksojnë se njerëzit që janë kyçur në këto rryma janë me të kaluar të keqe, devijuese, pa traditë familjare dhe me pisllëqe të ndryshme. Por ka edhe nga ata që për shkaqe interesi, varfërie e skamje, por edhe joshje janë përfshirë në këtë sekt.

Përhapja më e madhe po ndodhë nëpër fshatra, ku individë të ndryshëm me stilin e zakonshëm të pantallonave të shkurtra dhe mjekrave po pushtojnë edhe xhamitë. Një përhapje e tillë më masive është në disa fshatra, ku fshatarët janë të shqetësuar nga përhapja e tyre dhe strategjia për të pushtuar xhamitë.

"Ata shtohen si këpurdha dhe bëjnë fushatë të fuqishme për të bindur shumë të rinj që ti bashkëngjiten. Imamët janë të paaftë dhe po heshtin dhe nuk po gjejnë fuqinë që së bashku me këshillat e xhamisë, shkollat dhe institucionet e tjera për të goditur dhe anashkaluar këto individë destruktiv që kanë mision të keq për shqiptarët. Ata përmes interesit po joshin të rinjtë. Ndërsa drejtuesit e këtyre strategjive kanë plane se si të përfitojnë sa më shumë përkrahës. Ata bëjnë jetë koti duke ndenjur, duke mos punuar dhe duke përfituar fonde nga jashtë. Kjo është mëse e qartë", thekson Iliri, një preshevar i ri.

Por, banorët e kanë rrezik dhe bezdi të flasin publikisht kundër tyre, me frikën se mund të pësojnë ndonjë sulm apo hakmarrje siç thonë ata nga 'mjekrrat'.

Edhe politikanët gjithashtu nuk dëshirojnë të flasin publikisht kundër tyre, por ata pajtohen me mendimin se këto individë duhet të pendohen dhe ti rikthehen jetës dhe fesë tradicionale, duke mos dëmtuar imazhin e shqiptarisë në këto troje.

Në Luginë pretendohet se ka shumë shoqata që kanë depërtuar dhe japin para për gjithë ithtarët e tyre. Por shteti serb asnjëherë nuk ka bërë transparencë se sa para të këtyre shoqatave shpërndahen për këtë mision.

Kohëve të fundit disa media serbe kanë folur mbi përhapjen e siç kanë shkruar ato 'xhihadistëve' në Luginë, por duke thënë se dihen edhe emrat e udhëheqësve.

Deri tani nuk dihet reagimi i autoriteteve serbe, por burime pranë disa medieve në Beograd kanë thënë se nuk përjashtohet ndonjë operacion i xhandarmerisë serbe ndaj këtyre grupimeve, për të përfituar Serbia përballë opinionit ndërkombëtar se po lufton terrorizmin dhe wahabismin.

Ky aksion parasheh goditjen e disa kokave organizative por edhe ithtarëve, duke i konsideruar si celula dhe përkrahës të ISIS dhe Al-Nusra.

Jo zyrtarisht mësohet se në Luginë ka edhe individë përgjegjës që bëjnë përgaditjen e opinionit dhe rekrutimeve për të rinjtë që duan t`i bashkëngjiten këtyre formacioneve terroriste.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës apelojnë për reagim të faktorit politik, por edhe mbështetjen e Prishtinës dhe Tiranës për të luftuar dhe zbrapsur këtë dukuri të këtyre individëve dhe këtij sekti po po rrënon imazhin e shqiptarëve në Luginë, por që po lihet qetë nga ana tjetër nga shteti serb.



Përgatiti: ina

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...