Arrestohen pesë vehabistë



Policia ka vënë në pranga pesë persona të dyshuar që janë pjesëtarë të sektit fetar Vehabi. Sipas policisë të dyshuarit, të nacionalitetit shqiptar e boshnjak, mendohet se janë pjesë e rrjetit ilegal që vepron në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në këtë operacion, që ka zgjatur rreth tre muaj, kanë marrë pjesë 120 policë.

Pesë shtetas kosovarë, të nacionalitetit shqiptar dhe boshnjak, që të gjithë nga rajoni i Prizrenit, janë arrestuar të premten me dyshimin se janë të përfshirë në sektin fetar Vehabi. Të arrestuarit, Hadith M. (1980), Armend K. (1977), dhe tre boshnjakët Idriz B. (1981), Mustafa Y. (1968), Ismajl S. (1972), dyshohet se veprimtaritë e tyre ilegale i kanë kryer duke qenë pjesë e një organizate bamirëse të quajtur "Sinqeriteti".

Po ashtu nga hetimet e para të policisë, që janë kryer për më shumë se tre muaj, dyshohet se këta persona janë pjesë e rrjetit të këtij sekti që vepron edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ky operacion policor është kryer me emrin e koduar "Renea". Përpos arrestimit të këtyre personave, gjatë operacionit, i cili ka zgjatur deri rreth orës 23:00 të se premtes, janë bastisur tetë lokacione ku është konfiskuar një sasi e madhe armatimi.

Bastisja është kryer në gjashtë lokacione brenda Prizrenit dhe në dy të tjera në fshatin Lubizhdë, ndërsa është bastisur edhe selia e shoqatës humanitare "Sinqeriteti", ku është marrë një sasi materiali kompjuterik, përfshirë CD, DVD etj. Drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, tha për Express se hetimet policore kishin filluar qysh para tre muajsh.

"Operacioni jonë ka qenë i koordinuar me përpikëri. Kemi pasur informatën se këta persona janë të rrezikshëm për faktin se posedojnë sasi të madhe të armatimit. Edhe gjatë kryerjes së operacionit të mbrëmshëm, njëri nga të dyshuarit, i cili gjendej brenda organizatës "Sinqeriteti", kishte armën në brez. Mirëpo, reagimi i shpejtë i policëve ka bërë që të largohet arma e tij nga dora.", thotë drejtori Krasniqi.

Ai tha se nga hetimet që janë bërë është parë që kjo organizatë frekuentohet nga njerëz të shumtë. Ndërsa zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, tha se në këtë operacion janë angazhuar rreth 120 policë dhe eprorë të tyre nga njësitet e ndryshme.

"Gjatë operacionit të koduar 'Renea', në cilësi të provave materiale janë konfiskuar armë të ndryshme, pastaj telefona celularë, dhjetë palë uniforma ushtarake, disa jelekë anti-plumb, dylbi, pranga etj..", tha ai.

Në operacionin policor 'Renea' janë konfiskuar armë të tipit Kallashnikov, disa pushkë gjysmë-automatike, pistoleta si dhe disa lloj thikash. Zyrtarët policorë pohojnë se pas këtyre arrestimeve do të hetohet edhe për rastin e sulmit fizik të një personi, punonjës i Administratës Tatimore, që ishte rrahur tri ditë më parë në Prizren.

Ky person, i cili ka treguar se i përket fesë protestante, kishte deklaruar mediave se dyshonte se sulmi mund të ketë ardhur nga persona të sektit Vehabi.

Të pesë personat e arrestuar me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që vazhdimet për këtë rast pritet të vazhdojnë më tej.



Përgatiti: express, maj 2010.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...