Themeluesi i vehabizmit



Themelues i kësaj lëvizjeje ka qen Muhammed ibn Abdulvehhabi (1703-1792), origjina e të cilit është nga Lindja prej fisit Benu Temin. Lindi dhe u rrit në krahinën shkretinore të Nexhdit, e cila ka qenë e ndarë nga ndikimet e civilizimeve të tjera. Në të është zhvilluar jeta primitive arabe e cila as që ishte e përparuar, as që dinte për shkencën dhe artin, me të cilat arabët erdhën në kontakt përgjatë pushtimeve.

Deri para disa pesëqind viteve, Nexhdi ishte, kryesisht, i pabanuar, jeta e tij e vetme njerëzore kufizohej nga beduinët, të cilët i kullotnin kafshët e tyre. Nexhdi ishte i izoluar nga shumica e territoreve të Gadishullit - Mekka dhe Medina ishin larg në Perëndim - ndërsa qarkullimi i vetëm i Nexhdit në kohën e Ibn Abdulvehhabit qe me Kuvajtin dhe ishullin e Bahrejnit në Lindje. Mirëpo, Nexhdi i shkretë dhe i paujë, përfundimisht, do të bënte një ndikim të madh në historinë botërore, pasi që aty ithtarët e vehabizmit do të ndërtojnë Rijadin, fronin e ardhshëm të Arabisë Saudite. Kur Ibn Abdulvehhabi shkoi nga Medineja në Basra dhe në qytete të tjera në kërkim të diturisë, i refuzoi risitë dhe legjendat të cilat i dëgjoi dhe i pa, si edhe shkencat të cilat nuk pajtoheshin me mënyrën e të menduarit të tij.

Kjo, pra, ndodhi para kontaktit me popujt joarab që e kishin pranuar Islamin dhe që në të futën mënyrën e re të të menduarit dhe të interpretuarit. Atëherë u paraqitën ilmu-l-kelami dhe u përkthyen veprat filozofike nga gjuha greke. Ai me këtë nuk u pajtua, pasi që praktikonte Islamin fillestar dhe iu përmbajt shkencës dhe mendimit, përfaqësues të të cilit ishin Ahmed ibn Hanbeli, Ibn Tejmijje dhe Ibn Kajjim el-Xhevzijje. Babai i tij ishte një njeri i mirë. U shqua si një dijetar. Gjithashtu, edhe vëllai i tij, shejh Sulejmani.

Babai i tij, i vëllai si edhe dijetarë të tjerë, në të gjetën prognozën e animit kah humnera dhe të zemrës së devijuar, pasi që ishin dëshmitarë të fjalëve dhe veprimeve të tij dhe të devijimeve të tij në shumë çështje. E kanë kritikuar për këtë dhe i kanë alarmuar njerëzit e tjerë nga ai. Dhe, tamam u vërtetua frika e tyre kur haptas u paraqit me risitë, lajthitjet dhe devijimet me të cilat i mashtroi injorantët dhe u kundërshtua me dijetarët dhe imamët e fesë, dhe arriti deri në atë shkallë sa që i shpalli për qafirë një bashkësi besimtarësh.

Që këndej filloi kundërshtimi i parë dhe kryesor i Ibn Abdulvehhabit me atë që, ashtu siç e kishin kuptuar arabët e parë dhe qarqet arabe në jetën e tyre primitive, Islamit iu bashkëngjit në pikëpamje të risive dhe shtesave, pavarësisht se a ishin ato absurditete të vërteta apo fryte të mënyrës së të kuptuarit të bashkësive të qytetëruara. Pas ikjes së fatimitëve nga qeverisja dhe ardhjes së osmanlinjve, në botën sunnite u paraqitën tarikate të ndryshme sufiste të cilët jo rrallë iu shmangën autenticitetit islam, gjë që Ibn Abdulvehhabin e nxiti që t'i kundërvihej kësaj, pasi që kjo, sipas mendimit të tij, ishte shirk i qartë.

Konsideronte se të vizituarit e varrit të të Dërguarit, s.a.v.s., dhe të bërit e teves-sulit me të dhe me të dërguarit e tjerë, si dhe me robërit e mirë të Allahut dhe vizita e varreve të tyre, është shirk. Konsideronte se është shirk të thirrurit e të Dërguarit tek teves-suli, gjithashtu thirrja e robërve të tjerë të Allahut, kur të bëhet teves-suli, është shirk. Gjithashtu, konsideronte se nëse dikush ia përshkruante dikujt tjetër ndonjë veprim pos Allahut, madje edhe me fjalët simbolike, si p.sh., "Ky ilaç më bëri dobi", ai bëhet mushrik (politeist).

Edhe pse Ibn Abdulvehhabi nuk i takoi asnjë medhhebi, sepse i mohonte ato, prapë se prapë u mbështet në mendimet e Ahmed Ibn Hanbelit dhe në ideologjinë selefite. Ai ishte më tepër se një shejh dhe fekih, dhe kishte filluar t'i bind udhëheqësit arabë që ta pranojnë dhe që të luftojnë me ushtri kundër, gjoja, mushrikëve. Në këtë e dëgjoi emiri i Der'ijjes, Muhammed ibn Saud, i cili i shprehi edhe mirëseardhje. Atëherë, ata bënë marrëveshje që të krijojnë shtetin dhe mbretërinë e re në themelet e monoteizmit të pastër.



Autor: Rexho Xhematoviq
Përktheu: Mehas ALIJA



_________________________

(Shkëputur nga artikulli "Thirrja vehabiste në selefizëm")

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...