Miliona dollarë për të marrë Komunitetin Mysliman



Disa elementë radikalë islamë, të mbështetur me miliona dollarë nga shoqata dhe fondacione arabo-islamike tentuan të marrin nën kontroll drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptarë. Kjo tentativë e dështuar në fillimin e vitit 1998, e shpëtoi vendin nga një kërcënim serioz që i kanosej prej fraksioneve fondamentaliste islame.

Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Studime të Sigurisë Kombëtare, Xhavit Shala, në një intervistë të dhënë për emisionin "Xhungël" në NEWS 24, dëshmon se në çfarë rreziqesh ka kaluar struktura drejtuese e besimtarëve myslimanë shqiptarë. Ish-drejtor i SHIK-ut për Qarkun e Elbasanit gjatë viteve 1997-1999, dhe më pas Drejtor i Policisë Kriminale në Ministrinë e Brendëshme, Shala hedh dritë mbi zhvillimet e vrullshme që trazuan besimin tradicional islam në Shqipërinë e pas viteve '90.


Si erdhën në Shqipëri shoqatat dhe fondacionet nga vendet arabe?

Shëmbja e komunizmit në Shqipëri erdhi pak më vonë se zhvillimet demokratike në vendet e tjera të Lindjes. Komunitetet fetare ishin goditur në pronat e tyre, u ishin shëmbur objektet e kultit dhe klerikët ose ishin vrarë ose ishin burgosur gjatë diktaturës komuniste. Këto zhvillime krijuan një vakum të madh te besimtarët shqiptarë. Kërkohej ndihmë për rimëkëmbjen e objekteve të kultit, por kërkoheshin dhe kuadro fetarë pasi situata në atë kohë ishte mjaft më e keqe se në vendet e tjera. Qindra klerikë myslimanë vdiqën në burgje, pronat e komunitetit u sekuestruan, u tjetërsuan apo dh u transformuan.

Hapja e vendit dhe lejimi i besimeve fetare, i gjeti besimtarët myslimanë, ata katolikë, ortodoks dhe bektashi në një terren mjaft të pafavorshëm. Ata kishin nevojë për të financuar ndërtimin e objekteve të kultit, për të paguar pagat e atyre drejtuesve fetarë që i mbijetuan komunizmit, të cilët ishin në një moshë shumë të thyer. Ky ishte ambjenti që nxiti organizata të ndryshme nga bota Arabe, organizata Katolike apo Ortodokse të sulen për të ndihmuar në ringritjen e fesë në Shqipëri. Por me ardhjen e kësaj ndihme, financuesit vunë dhe disa kushtëzime. Veprimtaria e tyre nuk ishte totalisht e dëmshme, por disa nga këto organizata luajtën një rol negativ. Një pjesë e madhe e tyre financuan ndërtimin e objekteve të kultit për komunitetin musliman, atë ortodoks dhe katolik.


Ky fenomen ndodhi vetëm në Shqipëri?

Ky fenomen ndodhi afërsisht në të njëjtën kohë edhe në Bosnje. Madje atje hapat e para ishin hedhur qysh në kohën e komunizmit, në vitet 1985-1986. Duke qene se Bosnja kishte një popullsi myslimane dhe ish-Jugosllavia ishte më liberale, ata kishin krijuar disa lidhje me botën arabe dhe një pjesë të kuadrove fetare i përgatisnin atje. Në Bosnjë bashkë me ndihmat nga arabo-myslimanët filluan të futeshin edhe rrymat radikale fetare, si vehabizmi dhe salafizmi. Kjo ndodhi në Maqedoni, në Bullgari, ku kishte afro 2 milionë myslimanë dhe sidomos në ish-republikat Sovjetike në Kau-kaz e Rusi. Fakt ky që dëshmon se nuk ishte vetëm fenomen shqiptar.


Si penetruan në Shqipëri shoqatat arabe që praktikonin një Islam radikal, ndryshe nga ai që ishte praktikuar prej shekujsh këtu?

Pati një specifikë të veçantë. Mes mjaft organizatave që erdhën nga vendet e Gjirit Persik, disa ishin të infiltruara dhe përfaqësonin fraksione ekstremiste në Islam. Këto organizata synuan që këtë ideollogji islame ekstremiste, ta përhapnin dhe në Shqipëri. Duhet të kemi parasysh se feja islame në Shqipëri erdhi gjatë pushtimit turk, siç erdhi dhe në disa vende të tjera të Ballkanit, apo disa vende të Lindjes gjatë invazionit të osmanëllinjëve. Duke qenë se kaluan 500 vjetë, Islami në Shqipëri dhe Ballkan mori pamjen dhe fizionominë e një myslimanizmi autokton dhe i ndryshëm nga Islami që praktikohej në vendet Arabe.

Ky u përshtat e u bë një Islam i pranueshëm nga evropianët, një Islam tolerant, ndryshe nga tendenca që po përpiqeshin të fusnin disa rryma fraksioniste Islame në botën Arabe. Pra ta radikalizonin besimin Islam. Në këto rrethana dhe duke përfituar nga hapja e kufijëve shumë shoqata arabe hynë në Shqipëri, por jo të gjitha luajtën një rol pozitiv. Problemi ishte se agjensitë ligjzbatuese ishin të papërgatitura dhe shumë pak i njihnin këto fenomene. Komunitetet fetare ishin të mbytura nga varfëria dhe gjithkush që vinte nga jashtë, shihej si perëndia, që mund të sillte një ndihmë, një donacion, apo mund të ndërtonte një objekt kulti. Pra pati një zemërgjerësi në pritjen e tyre pa dallim, gjë të cilën ata e shfrytëzuan për të futur në Shqipëri ato që nuk duheshin futur. Pra për të deportuar në këto shoqata, njerëzit e tyre.


Cilat ishin problemet që sollën disa prej misionarëve fetarë nga bota Arabe?

Ata dhanë ndihma ngritën objekte kulti, por një pjesë e ndihmave të tyre ishin të kushtëzuara nga pas. Jepej një ndihmë për ndërtimin e një xhamie, por kërkonin që imam në këtë xhami të caktohej një njeri i tyre, që përfaqësonte të njëjtën rrymë. Ose jepnin pensione për jetimët, që ishin të domosdoshme për fëmijët shqiptarë në atë gjëndje të mjeruar që ndodhej vendi, por kërkonin që këta jetimë të merrnin pjesë në kurset fetare. Në këto kurse nuk predikohej varianti i Islamit tradicional shqiptar, i cili ishte një Islam tolerant, por praktikoheshin pikërisht ato rryma të Islamit që ishin të huaja për besimtarët shqiptarë.

Vehabizmi apo vehabo-salafizmi është një rrymë që ndodhet në pushtet në Arabinë Saudite, ka qenë në pushtet prej shekujsh dhe vazhdon të jetë në pushtet edhe sot. Ata kane patur në vazhdimësi synim përhapjen e kesaj rryme në vendet e Ballkanit. Me hapjen e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, ata menjëherë hodhen hapat për ta përhapur pikërisht këtë ideologji dhe këtë rrymë fetare. Nuk është antiligjore të jesh vehabit, por tradita shqiptare ishte ndryshe nga kultura fetare që po sillnin këto shoqata të financuara nga bota Arabe.

Në atë kohë në vendet arabe operonin disa organizata, të cilat ishin të identifikuara si organizata terroriste duke filluar që nga Xhihadi Islamik Egjiptian, Grupi Islamik Egjiptian, Fronti i Shpëtimit Islamik Algjerian, Grupi i Armatosur Islamik Algjerian apo krahu politik i tyre, siç ishte Vëllazëria Myslimane, të cilat këtë hapje të vendeve ish-komuniste e shfrytëzuan për të depërtuan dhe nisën masivisht të deportojnë.


A u rrezikua siguria kombëtare nga futja e këtyre rrymave fetare?

Të futesh në këto kushte, duke investuar në brezin e ri është një kërcënim i rrezikshëm për sigurinë kombëtare të çdo vendi, të paktën për vendin tonë, i cili ka shumë specifika krahasuar me vendet e tjera. Kjo për shkak se ndryshe nga grekët, serbët apo malazezët, që kanë si bazë të identitetit kombëtar, besimin fetar, shqiptarët nuk e kanë të ngritur identitetin kombëtar mbi besimin fetar. Baza e identitetit kombëtar të shqiptarëve është gjuha, kultura dhe tradita. Sepse në themel janë katër besime fetare. Nëse identiteti jonë kombëtar do të identifikohej thjeshtë mbi besimin fetar, kjo do të ishte një vetëvrasje për shqiptarët, për shkak se do të kishte një rivalitet të ashpër mes besimeve fetare.

Përhapja e vehabizmit që nisi të shtrijë rrënjë në atë kohë në vend, ishte dhe është një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Vehabizmi dhe Salafizmi godasin identitetin tonë kombëtar dhe janë të rrezikshme dhe për demokracinë shqiptare, pasi ato janë rryma në Islam që nuk e pranojnë një rend demokratik. Për ta shteti duhet të jetë i bazuar mbi ligjet e shenjta. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët as me besimtarët myslimanë shqiptarë dhe as me shqiptarët si komb.


Çfarë veprimesh ndërmorën për tia arritur qëllimit?

Veprimtaria e tyre ka qenë shumë e ethshme sidmos pas viteve 1997-1998. Ata patën një aktivitet të gjithëanshëm pasi investimet që kishin kryer po jepnin rezultat. Kishin ndërtuar goxha objekte të kultit, dhe në këto objekte vendosën njerëzit e tyre, të cilët kryen studimet jashtë dhe ishin kthyer në vend. Pra ata i kishin përgatitur kuadrot që u nevojiteshin. Në vitin 1998, nuk më kujtohet me saktësi muaji, ata bën një tentativë për ta futur nën kontroll Komunitetin Mysliman Shqiptar. Synuan të mënjanonin nga drejtimi ata që i quanin "garda e vjetër", por që për mua ishin njerëz patriotë, pavarsisht nga problemet që kishin tejkaluar gjatë rregjimit komunist. Këta drejtues të lartë e mbrojtën me mish e shpirt Komunitetin Mysliman nga depërtimi i rrymave dhe elementëve ekstremistë islamikë.

Janë hedhur miliona dollarë që ky grup arabo-islamikësh të fuste në dorë drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Nëse do tia arrinin, ky akt do të ishte një fatkeqësi kombëtare. Por ishte sinjalizimi i agjensive ligjzbatuese shqiptare, konkretisht i SHIK-ut në atë kohë, i cili ua bëri të qartë strukturave shtetërore se kush ishte plani i tyre. Në këto kushte ky grup individësh u përpoqen të krijonin një strukturë thuajse paralele me Komunitetin Mysliman. Madje ata deshën ta legalizonin këtë strukturë dhe në gjykatë, si një bashkësi paralele me Komunitetin Mysliman. Synimi i tyre ishte që duke shfrytëzuar suportin nga vendet e Gjirit me ndihma, me donacione, me rroga e me të gjitha të tjerat, të arrinin që ta linin në hije Komunitetin Mysliman Shqiptar.


Çfarë formash u përdorën për të krijuar mbështetje të këtyre fraksioneve radikale në vend?

Komunitetet fetare të të treja besimeve filluan të paraqesnin shqetësime për një pjesë të këtyre njerëzve dhe për çfarë përfaqësonin ata. Pasi po e kuptonin se disa prej tyre nuk mbanin kontakte me strukturat zyrtare. U identifikuan arabo-islamikë që organizonin besimtarë të rinj shqiptarë për të krijuar përçarje, madje kalonin deri dhe në stërvitjen ushtarake të tyre.

Ata shfrytëzuan faktin që në Shqipëri nuk kishte shkolla fetare për përgatitjen e klerikëve të rinj, ndërsa kuadrot e vjetër që kishin mbetur, ndodheshin në perëndim të moshës së tyre. Studjoheshin të rinjtë shqiptarë që u ofroheshin në kurse dhe pasi i përzgjidhnin më të devotshmit, i çonin për studime jashtë shtetit. Ky shqetësim nuk ishte vetëm për besimin Mysliman, por dhe për atë Ortodoks, apo atë Katolik. Dallim kishte vetëm në qëllimin e tyre. Të rinjtë që i dërguan në vendet Arabe, janë kthyer, por disa elementë prej këtij kontigjenti kanë qenë persona problematikë që u kanë sjellë vetëm shqetësime, komuniteteve tona fetare.


A pati reagim nga agjensitë ligjzbatuese ndaj këtyre elementëve të rrezikshëm?

Kur u bë bashkëpunimi me disa agjensi ligjzbatuese partnere dhe nisi identifikimi ndaj këtij grupi personash, rezultoi se një pjesë e tyre ishin të identifikuar dhe nga agjensitë ligjzbatuese shqiptare. Ishin të identifikuar si persona që po ushtronin aktivitet antiligjor në Shqipëri. Ata po nxisnin urrejtjen fetare dhe në Kodin Penal ka një nen që e parashikon ndëshkimin për konsumimin e kësaj vepre penale.

Duke nxitur urrejtjen fetare këta elementë u bën objekt i agjensive të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Mendoj se përgjegjësia e agjensive ligjzbatuese shqiptare ka ardhur duke u rritur pasi u sigurua dhe një partneritet mjaft i mirë me agjensitë ligjzbatuese amerikane dhe evropiane, nga bashkëpunimi me to, u identifikuan persona dhe u kryen veprime të tjera ligjore ndaj tyre.


A pati tentativa nga elementë apo organizata islamike për të hyrë në radhët e UÇK-së gjatë konfliktit në Kosovë?

Në kohën e konfliktit të Kosovës ata bën të gjitha përpjekjet që të futen dhe në radhët e UÇK-së. Synimi i tyre në këtë rast ishte që luftën në Kosovë ta kthëenin në një luftë fetare. Pra në një luftë midis myslimanëve dhe ortodoksëve. Ajo nuk ishte luftë fetare. Shqiptarët luftonin për të drejtat e tyre. Ajo ishte një luftë nacional-çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës.

Mospërfshirja e tyre në konfliktin e me ushtrinë Sërbe, ishte një meritë e udhëheqësve politikë të Kosovës, e largpamësisë dhe e konsulencës së tyre. Ata nuk i lejuan që të depërtojnë në radhët e UÇK-së, siç depërtuan në Bosnje, e cila po i vuan këto probleme edhe sot. Para disa vitesh në Bosnje iu hoq shtetësia 2000 personave me origjinë nga vendet arabe, pasi vehabitët dhe muxhahidinët që kishin operuar atje, përfituan shtetësinë boshnjake. Ndërsa para 2-3 muajsh u është hequr shtetësia dhe 400 arabo-islamikëve të tjerë. Fakt është që goditja e cila iu dha asaj celule të Xhihadit në Shqipëri, pati vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm për shtetet partnere me ne, ku pritej të vepronin anëtarët e kësaj organizate terroriste, por dhe për vet Shqipërinë.



Autor: Artan HOXHA

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...