Islami formal dhe katolicizmi informal i Dom L. Gjergjit



Siç kam evidentuar në një artikull të mëparshëm mbi rolin e dyzuar të ligjërimit politik, brenda elitave katolike kemi një kategori të gjerë intelektualësh që përpiqen të identifikojnë qytetarinë shqiptare me vlerat e krishtera, duke artikuluar një ligjërim që kërkon përfaqësimin e katolicizmit në institucionet shtetërore. Ky lloj ligjërimi politik paraqitet në Kosovë shumë më agresiv, më i drejtpërdrejtë dhe pa dorashka, e nganjëherë edhe tepër i rëndomtë. Dua të tërheq vëmendjen tek dy momente të freskëta, që në pamje të parë janë të ndryshme, por rrjedhin drejtpërdrejtë nga institucioni i Kishës katolike në Kosovë dhe mishërojnë plotësisht tendencën e shkrirjes së identitetit shqiptar me Kishën.

Në një artikull në gazetën Mapo Lush Gjergji e fillon predikim e vjedhjes së identitetit shqiptar me pohimin se "Krishtërimi në Dardaninë historike, Kosovën aktuale, erdhi në kohën e apostujve, me Shën Palin", me një gënjeshtër të rëndomtë që nuk ka as më të voglën bazë historike apo biblike për t'iu shitur besimtarëve si e vërtetë. Do ta quaja vjedhje sepse çdo përpjekje manipuluese, përjashtuese dhe monopolizuese e identitetit shqiptar, kulturës sonë dhe shqiptarizmit nuk mund të konsiderohet ndryshe, pasi ato janë produkte të të gjitha komuniteteve fetare, e jo vetëm.

As kolegu i tij Shan Zefi nuk arrin ta zhvendosë Palin "e gjorë" më lart se via Egnatia dhe qyteti i Durrësit, por fakti që rangje kaq të larta të klerit katolik në Kosovë tallen me besimtarët është një çështje krejtësisht e pavlerë. Përkundrazi, ajo merr vlerë vetëm atëherë kur në rrëfime të tilla lexohet përpjekja e krijimit të shkretëtirës kulturore përreth komunitetit katolik shqiptar. Masa myslimane paraqitet haptazi si trup i huaj, pa rrënjë, e lidhur me pushtues, e në disa raste thellësisht hipokrite: "Shumë shqiptarë të "islamizuar" e kanë pranuar atë vetëm formalisht, tradicionalisht, me emër, sa për të mbijetuar, por nuk janë shkëputur kurrë tërësisht nga trungu i përbashkët iliro-shqiptar dhe nga Kisha Katolike. Në shumë familje ende gjendet kryqi, ndoshta i fshehur, ndonjë qiri apo rruzare, tradita e festave të krishtera. Këtë e dëshmon bindshëm onomastika, historia dhe arkeologjia. Kudo gjendem emërtimet si p.sh. prona e Kishës, livadhi, ara, mali, burimi i Kishës apo priftit, varrezat katolike, themelet e kishave të lashta".

Qartazi myslimanët nuk i takojnë atij "trungu të përbashkët iliro-shqiptar", sepse vetë formaliteti i islamizimit është një hap drejt shkëputjes, por mbetja "formale" nënkupton sipas L. Gjergjit një shkëputje jo tërësore! Pastaj ai ka guximit të nënvizojë vëllazërinë kombëtare: "ky ungjillëzim dhe riungjillëzim është i domosdoshëm, për t'i informuar dhe formuar ata që tashmë janë të vendosur për një hap të tillë, sipas bindjes, përcaktimit, ndërgjegjes, për të kultivuar gjithnjë vëllazërinë kombëtare dhe fetare ndërshqiptare". Pra, sintetizoj, duhen ri-ungjillëzuar këta "myslimanë formalë" për të forcuar "vëllazërinë kombëtare", pasi në të kundërt kjo vëllazëri nuk ekziston. Ajo mbështetet tek feja, dhe ekskluzivisht tek feja e L. Gjergjit. Në këtë mënyrë feja katolike merr vlera kombëtare, madje e përcakton kombin.

Rasti i dytë është ai i Dom Dominik Qerimit, që në mozaikun gjigand, të ndërtuar me boçe pishash, vendos përkrah Nënë Terezës dhe Don Boskos, dy figurave tipike kishtare, emblemën kombëtare Skënderbeu, laike dhe mbarëshqiptare, poshtë së cilës, sikur të mos mjaftonte, shkruan "Gëzuar Krishtlindjen".

Epo dreqi e mori, kur në Maqedoni shfaqet një thirrje për të mosfestuar Vitin e Ri, disa gazeta garojnë plot zell për ta paraqitur ngjarjen si shfaqje epike e ekstremizmit, që vetëm mospërputhja e përmbajtjes së informacionit me titullin ("Rryma ekstreme fetare në Kosovë dhe Maqedoni, tani për tani të brishta, por potencialisht kërcënuese") mjafton për të kuptuar qëllimin e lajmit, ndërsa një prift me emër e mbiemër, që fetarizon heroin kombëtar pa dorashka, e përdor për kremtimin e Krishtlindjeve (që dëshmon edhe se si po instrumentalizohet kjo festë fetare), të përditshmet shqiptare - apo më mirë me thënë 'letrat media-gjenike' kosovare - e publikojnë si lajm të këndshëm!

Si për ironi, në Maqedoni administrata e Bashkësisë islame distancohet nga afishja e mosfestimit të Vitit të Ri. Në Kosovë administrata e Kishës katolike prodhon ekstremizëm çdo ditë, madje në mediat kryesore - shpik tradita, manipulon historinë, vjedh identitetin, mashtron përmes interpretimit të së shkuarës, monopolizon vleratë qytetare, përjashton komunitetet e tjera nga bashkëjesëmarrja në identitetin kombëtar - kurse homologët myslimanë në Kosovë e Maqedoni dridhen e struken qoftë edhe nga deklaratat promuslimane të Kim Mehmetit!

Dom Qerimi ndjek në pikë dhe presje qendrimin e Dom L. Gjergjit, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe në një hierarki teocentrike. Ndryshe nga rasti më i sofistikuar i Shqipërisë londineze, ku objektivi është shtrirja e vlerave fetare të krishtera tek të qenurit shqiptar dhe roli dominues (i dështuar) në kulturën shqiptare, në Kosovë, aty ku elitat ligjërojnë përballë Neandertalit, vërehet një përjashtim tërësor i masës myslimane nga të qenurit shqiptar. Në Kosovë ka shqiptarë me dy kategori. Të qenurit shqiptar njësohet me të qenurit katolik. Por kjo nuk vlen për myslimanët, përveç rastit kur ata janë formalisht myslimanë. Dhe këtë e pohon Dom L. Gjergji e jo ndonjë komentues anonim interneti.

Janë vetëm disa nga rastet e ndërhyrjes së Kishës katolike të Kosovës në sferën publike, identitare dhe politike, në shkelje të hapur të laicitetit, shtetit, bashkëjetesës ndërfetare, e cila duhet të bazohet mbi laicitetin, të trashëgimisë kombëtare që vjen nga themelet e shtetit shqiptar gjatë rilindjes, të konceptit të kombit të përpunuar nga rilindësit shqiptarë etj. Ajo shkel gjithashtu kompromisin fetar, që, megjithëse i pashkruar, nuk do të thotë se është fantazmë. Asnjë komuniteti fetar nuk mund t'i tolerohet monopolizimi i vlerave laike të shqiptarizmit, aq më tepër përjashtimi komuniteteve të tjera nga këto vlera të përbashkëta. Jemi shqiptarë përtej besimeve fetare dhe kemi disa simbole e karakteristika që i mbivendosen feve tradicionale. Përkundrazi, Kisha katolike e Kosovës pretendon haptazi superioritetin, autoktoninë, vjedhjen e identitetin shqiptar.

Patjetër që ky ekstremizëm ndikon në radikalizmin e klimës fetare në Kosovë, po aq sa edhe ata delirantë që publikojnë deklarata të dhunshme dhe me injorancë përpiqen t'i kundërpërgjigjen vjedhjes së kulturës shqiptare me anë të refuzimit të saj, siç është rasti i figurave kombëtare. T'i refuzosh ato sepse i përkasin një feje tjetër - e kjo ndodh vetëm në disa mendje ekstreme - është po njësoj si rasti kur i promovon vetëm për shkak se janë të fesë tënde. Kjo e dyta nuk ndodh thjesht në individë periferikë delirantë, por artikulohet publikisht prej institucioneve kishtare në Kosovë. Të dy rastet janë shprehje e konceptimit të kombit në bazë të fesë tradicionale, islame apo katolike. E ndërkohë kahu i ekstremizmit kishtar kosovar është i legjitimuar mediatikisht.



Autor: H. Omari