Paragjykimet ndaj Islamit dhe rrugëdalja ...!



Hyrje

Nëse do të dëshironim të njihemi më thellësisht me Islamin dhe muslimanët, do të duhej drejtuar literaturës burimore dhe njerëzve kompetentë në shoqërinë muslimane. Në të kundërtën, duke shfletuar librat, revistat e gazetat ditore, apo duke dëgjuar mjetet elektronike dhe audio-vizuale, do të hasim me një rrebesh informacionesh e komentimesh të paqëndrueshme, insinuatash e qasjesh të gabueshme, si ndaj Allahut në Islam, ashtu edhe ndaj Kur'anit si libër të shenjtë të muslimanëve apo ndaj të dërguarit Muhammed a.s.. Stereotipat dhe klishetë më të zakonshme janë se si Islami është fe agresive, konservative, fundamentaliste, fe e trilluar nga Muhamedi, fe që ka imituar dhe huazuar nga judeo-kristianizmi, fe e përjashtimit, e luftës, e terrorizimit etj..

Edhe pse janë bërë përpjekje të caktuara nga dijetarët bashkëkohorë muslimanë madje edhe jomuslimanë për t'i shpjeguar drejtë këto çështje, edhe pse janë shkruar artikuj dhe libra të tërë, megjithatë, nevoja për shkrime të tjera të kësaj natyre vazhdon, sepse po vazhdon ataku i kundërshtarëve, madje në mënyra mjaft agresive dhe obskurantiste. Për këtë arsye do të trajtohen disa nga temat më aktuale sa më shkurt e më qartë. [1]


Xhihadi, kthesë radikale drejt të mirës (Përpjekja për të mirë dhe pengimi i të keqes)

Fjala xhihad është termi më i abuzuar se çdo fjalë tjetër këto pesëdhjetë vitet e fundit. Ky term përdoret në kontekste të ndryshme, tërësisht dhe tmerrësisht negative, dhe kurrë në kuptimin e tij burimor, kur'anor-sunetik. Xhihadi theksohet në aspektin e luftës, madje duke e përkthyer shqip si "luftë e shenjtë" (holy war), edhe pse literatura burimore islame nuk e njeh një term të tillë, as që lufta si e tillë është e shenjtë në Islam. Lufta e shenjtë është term dhe prodhim kristian, kurse kulmi i këtij prodhimi kristian është Inkuizicioni dhe Kryqëzatat, që me derivatet e tij po vazhdon edhe aktualisht. Xhihadi në Kur'an nuk është theksuar askund në kuptim të luftës së shenjtë. As kuptimi gjuhësor i këtij termi nuk e ofron domethënien e luftës së shenjtë. Sipas dijetarëve muslimanë xhihad do të thotë çdo përpjekje dhe angazhim për bërjen e veprave të mira dhe pozitive. Krahas këtyre kuptimeve, fjala xhihad ka edhe kuptimin e luftës, por ekskluzivisht për luftërat e drejta dhe të arsyeshme, të cilët zhvillohen në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të tjera njerëzore në rastet e rrezikimit të tyre.

Pra, xhihadi para së gjithash është çdo tentim për të bërë mirë, çdo tentim që me mjete paqësore të arrihen caqet fisnike dhe bamirëse. Madje, Muhammedi a.s. luftën për të mirë dhe luftën kundër të keqes e ka quajtur xhihad të madh (xhihad'ul-ekber) kundrejt luftës në fushëbetejë, të cilën e ka quajtur xhihad të vogël (xhihad'ul-esgar). [2] Nëse i kemi parasysh këto interpretime të drejta dhe burimore, bëhet e qartë se xhihadi i shpjeguar si luftë e shenjtë është konstrukt joislam, evro-perëndimor, i paqëndrueshëm shkencërisht dhe tendencioz ideologjikisht. Këtë e vërteton dhe qëndrimi kur'anor se lufta nuk mund të përdoret me qëllim të përhapjes së fesë, pos për vetëmbrojtje. Kur'ani e gjykon luftën e padrejtë, të dhunshme dhe shkatërruese tepër ashpër, e quan absurd dhe mëkat. Mënyra, rruga fi sebil'il-lah e përhapjes së Islamit nuk mund të bëhet në emër të zaptimit të territoreve dhe eksploatimit material. [3]


Paqja, dashuria dhe toleranca

Islami përpiqet të vendosë marrëdhënie të mira me jomuslimanët. Këtë e kërkon edhe Kur'ani nga besimtarët por edhe Muhammedi a.s. në rrafshin historik.

Kur'ani në mënyrë eksplicite pohon se diversiteti njerëzor i bindjeve është vullneti dhe dashja e Zotit dhe se është Ky që do të gjykojë në Botën tjetër kush kishte të drejtë. Lidhur me këtë Allahu fuqiplotë thotë: "... Sikur të donte Allahu, do t'ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t'ju sprovojë në atë që jua dha juve ...", (El-Maidetu, 48). "Sikur të dëshironte, Zoti yt do t'i bënte njerëzit të një feje ...", (Hud, 118).

Edhe Muhammedi a.s. në Kartën e Medinës vendosi parimet praktike të Islamit duke lidhur raporte konkrete politike, ekonomike, kulturore me bashkësitë e tjera religjioze. Kështu ndodhi edhe me halifët e parë muslimanë. Ata pranuan gjendjen në terren dhe Islamin e bënë alternativë por jo imponim, pikërisht sikurse kërkon Kur'ani famëlartë: "Nuk ka detyrim në fe ...", (El-Bekaretu, 256).

Lidhur me këtë çështje duhet theksuar se intelektualët duhet bërë dallim ndërmjet parimeve islame për këtë temë dhe disa citateve të shprehura për situata të caktuara konfliktuoze, të cilat rregullojnë vetëm probleme të caktuara në kohë të caktuar për një periudhë kohore të caktuar. Islami nuk konsideron se kristianizmi dhe judaizmi sikurse edhe pjesëtarët e tyre janë armiq të muslimanëve. Madje, Islami i quan ehl'ul-kitab (pjesëtarë të librit). [4] Të gjitha tekstet e diskutueshme, në të cilat zënë në thua rivalët, nuk rregullojnë çështjet parimore por situata të veçanta, e nuk i rregullojnë marrëdhëniet islamo-hebraiko-kristiane. E qartë, muslimani nuk mund t'i bëjë armiqtë e Islamit miq dhe të krijojë raporte të afërta, sepse këto raporte do të konsideroheshin tradhti dhe mëkat.

Allahu i madhërishëm thotë: "Allahu jua ndalon t'u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj, ju ndalon të miqësoheni me ta ...", (El-Mumtehaneh, 9). Dhe: "Allahu nuk ju ndalon t'u bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë ...", (El-Mumtehaneh, 8).

Por, kështu veprohej në atë kohë te çdo rival i muslimanëve, por kështu ndodh edhe sot. Tradhtarët e vendit kudo në botë ndëshkohen shumë rreptë. Tradhtia konsiderohet krimi më i madh i mundshëm edhe në religjion, edhe në sistemet politike, ideologjike, filozofike etj. Miqësia me armiqtë e luftës domethënë dhënie e fshehtësive dhe ndihmë në dobi të armiqve. Islami e shikon njeriun në tërësinë e tij (si sillet me të tjerët, shikon veprat e tij e jo përcaktimet formale etj.). Islami njeriun më të mirë nuk e gjeti në mesin e të pasurve, as në mesin e të fuqishmëve, as mbretërve, por në mesin e të mirëve, devotshmëve (takva). [5]


Muslimani dhe konceptimi i luftës

Lufta dhe përdorimi i forcës nuk është mjet për arritjen dhe sendërtimin e synimeve të muslimanëve. Lufta në Islam është e keqe e domosdoshme. Ajo përbuzet në Islam, edhe pse në raste të caktuara përdoret. Sidomos urdhërohet të përdoret kur nuk ekziston mjet tjetër për mbrojtje nga dhunuesit shpirtëror dhe fizikë. Në këtë rast lufta është mjet për mbijetesë. Madje, nëse dhuna e bërë nga të tjerët është e pashmangshme, në Islam lufta lejohet madje urdhërohet: 'të mbrohet besimi dhe pragu i shtëpisë'. Vetëmbrojtja dhe e drejta e vetekzistimit është e drejtë natyrore e çdo qenie të gjallë. Armiqësia e Islamit ndaj të pafeve nuk është "pafeja" e armiqve, por agresiviteti dhe destruktiviteti i armiqve. Islami luftën nuk e pranon si rregull për si përjashtim, sepse drejtësia dhe sjellja e drejtë është cilësi hyjnore, parim hyjnor i baraspeshës kozmike në të cilën zë fill, ekziston dhe vazhdon bota dhe jeta. Lidhur me këtë, dijetarët muslimanë kanë përkrahur parimin se "Allahu e përkrah sunduesin e drejtë jomusliman, por jo edhe sunduesin e padrejtë musliman". [6]


Pozita e njeriut në epiqendër të Kur'anit

Kur'ani e vendosi njeriun në vendin e tij të natyrshëm, mëkëmbës të Allahut në tokë. Ai me këtë tretman kur'anor më nuk është vegël në duar të epsheve dhe pasioneve por vetë është vlera më e madhe në mesin e krijesave.

"Unë do të caktoj përfaqësuesin në tokë", (El-Bekare, 30).

Ai është krijues i historisë dhe mbikëqyrës dhe përgjegjës i saj. Ai administron me të dhe e shfrytëzon atë. Në tërë këtë administrim, njeriu nuk përdorë çudi as magji. E vetmja çudi është rendi i përkryer kozmik (sunnet'ull-llah), sipas të cilit çdo gjë zhvillohet. Kur'ani e fton njeriun ta t'i studiojë këto ligje kozmike dhe nga ato të merr mësim e këshilla.

"Na, atyre, do t'u dëftojmë argumentet Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe te vet ata, deri sa t'u bëhet plotësisht e qartë, se ai (Kur'ani), është i vërtetë", (Fussilet, 53).

Çdo gjë në natyrë zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me vullnetin e Krijuesit, pos njeriut dhe veprimeve të tij të cilat mund të dështojnë, të zhvillohen në kahe të kundërta. Kjo është madhështia e njeriut por njëherazi edhe tragjedia e tij, kjo quhet liri. Herë-herë njeriu e përdorë dhunën në vend të urtësisë, i përdorë emocionet në vend të arsyes dhe e përdorë zhvillimin material për rrënim e jo për humanitet. Anashkalohet shpirti, duke i dhënë prioritet forcës, agresivitetit. Në vend që njeriu të reflektojë edukatë, mirësjellje e dashuri, ai bëhet agresiv, vrasës, terrorist, kidnapues. [7]


Si të pengohet e keqja

Islami nuk e idealizon as demonizon njeriun, por e shikon atë realisht si qenie dykomponentëshe: shpirtërore dhe fizike. Ai nuk sheh ëndrra për njeriun si një krijesë pa mangësi, të përkryer, të hyjnizuar, siç e gjejmë njeriun në disa besime apo filozofi të tjera. Po ashtu, Islami nuk mendon se njeriu do ta flakë luftën në tërësi, por ai bënë përpjekje që ajo (lufta) të bëhet e rrallë, përjashtim nga jeta e zakonshme njerëzve. Edhe kur ndodh, lufta duhet të bëhet për vetëmbrojtje, e humanizuar, e mëshirshme, liridashëse, duke vlerësuar normat moralo-etike të njeriut. Kjo gjendje nënkupton gatishmërinë e njeriut për ta pranuar të vërtetën, të drejtën, humanen, dinjitozen, njerëzoren te njeriu në vend të pavërtetës, shtrembëtës, agresives, shkatërrueses, degjenerueses. Në këtë përpjekje duhet të jenë paralele vullneti dhe dija, zemra dhe arsyeja, sepse çdo prishje baraspeshe, do të shkaktonte rrëmujë individuale apo kolektive. Nëse njeriu do ta rregullonte çështjen e tij besimore dhe morale luftërat do të ishin çështje e harruar. Vrapi pas territorit, parasë, dominimit janë pasoja të prishjes së kriterit të besimit dhe moralit dhe jo vetë shkaku. [8]

Përfundimisht, për ta eliminuar të keqen, duhet ecur drejt vendimeve dhe ligjeve të paqes, e jo skajshmërive. Për këtë arsye, Islami miraton rregullat dhe vendimet që janë normale për funksionimin normal të shoqërisë shumëreligjioze. Toka është për të gjithë, natyra dhe pasuria e saj janë për të gjithë, prandaj të gjithë brezat kanë të drejtë në ndarjen e kulaçit të përbashkët.



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - Një ndër veprat e mira për këtë çështje e shkruar nga jomuslimanët është ajo e Sir Thomas Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, Prishtinë, 2004.
[2] - Nexhat Ibrahimi, Leksikoni islam, Logos-A, Shkup, 2012, zëri "xhihad", fq. 330-331.
[3] - Shih: http://www.veritas.hr/casopisi/2009_07-08/7_2009_islam.html.
[4] - Nexhat Ibrahimi, Islami ka vend edhe për të tjerët, Logos-A, Shkup, 2008, fq. 39 e tutje.
[5] - Nexhat Ibrahimi, Islami ka vend edhe për të tjerët, Logos-A, Shkup, 2008.
[6] - Shih: http://www.veritas.hr/casopisi/2009_07-08/7_2009_islam.html.
[7] - Shih: http://www.veritas.hr/casopisi/2009_07-08/7_2009_islam.html.
[8] - Nexhat Ibrahimi, po aty.