Dita e Ashuras, një rast i volitshëm për shfrytëzim



Në kushtet e zakonshme, mes kohëve e momenteve të ndryshme nuk ekziston ndonjë dallim apo përparësi. Ndërkaq, disa kohë marrin vlerë pasi janë bërë skenë e ngjarjeve me rëndësi. Pavarësisht se këto kohë mbështeten në shkaqe të ndryshme, sërish përbëjnë raste me vlerë që kanë një funksion të përbashkët në rifreskimin e rigjallërimin moral dhe shpirtëror të individit. Nuk duhet çuar nëpër mend se një ngjarje e caktuar i përket vetëm ditës kur ka ndodhur për herë të parë, ndërsa, më pas, ditës në fjalë nuk i mbetet asgjë për t'u përmendur. Edhe pse ngjarja nuk përsëritet, vlerat dhe bukuritë që ajo mbart rishfaqen dhe marrin një tjetër dimension në atë ditë të caktuar kalendarike.

E tillë është edhe dita e ashures, që përkon me një sërë ngjarjesh të shënuara në historinë e njerëzimit. Në lidhje me këtë, imam Gazali thotë: "Për epërsitë e kësaj dite na kanë ardhur shumë informacione. Sipas tyre, në këtë ditë është pranuar pendesa e Hz. Ademit, është ndaluar në malin Xhud anija e Hz. Nuhut, ka lindur dhe ka dalë nga flakët e zjarrit pa u djegur Hz. Ibrahimi, është shëruar nga sëmundja e gjatë Hz. Ejubi, ka shpëtuar nga barku i peshkut Hz. Junusi, është ngjitur në qiell Hz. Isai. Po në këtë ditë ka rënë dëshmor në vendin e Qerbelasë nipi i dashur i profetit, Hysejni r.a.". [1]

Fjala "ashura" vjen nga arabishtja dhe rrjedh nga rrënja "ashr", që në gjuhën arabe do të thotë dhjetë. Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem, sipas kalendarit hënor. Sipas një transmetimi të Abdullah bin Abasit, kur profeti Muhamed a.s. erdhi në Medine, vuri re se hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashuras dhe pyeti për shkakun. Ata iu përgjigjën: "Kjo është një ditë e madhe. Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faraonit. Si falënderim për këtë, profeti Musa e agjëroi. Edhe ne për respekt e agjërojmë". I dërguari i Allahut a.s. u shpreh: "Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa a.s.". Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashuras. [2]

Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, Hz. Muhamedi a.s. solli një tjetër koncept për këtë temë duke thënë: "Pa dyshim që ashura është njëra nga ditët e Allahut. Ai që dëshiron të agjërojë dhe kush nuk dëshiron, le të mos ta agjërojë". [3] Agjërimi i ashuras është sunet, por, Profeti ynë i nderuar na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë ose e njëmbëdhjetë, ose të tria pa shkëputje. I dërguari i Allahut a.s. në një thënie të tij thotë: "Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë para ose ditën pasuese të ashuras", [4] ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij mësohet të jetë shprehur: "Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë". [5]

Katade transmeton se sahabët e kanë pyetur Profetin a.s. për agjërimin e ashuras dhe ai u ka thënë: "Agjërimi i ditës së ashuras i shlyen gjynahet e vitit të kaluar". [6] Ndërsa Xhabiri transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: "Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij ditën e ashuras, Allahu do të jetë bujar me të gjithë vitin". [7]

Dijetarët e kanë përmendur agjërimin e ditës së ashuras në tre mënyra:

1. - Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 të muajit Muharrem.

2. - Agjërimi në ditën e 9 dhe të 10 të këtij muaji.

3. - Agjërimi vetëm në ditën e 10 të muajit Muharrem.

Ashura është vërtet një rast i volitshëm për besimtarët myslimanë, që t'u falen gjynahet dhe të hedhin hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit. Ajo është një mundësi e vyer për njeriun, sepse gjen rastin për t'iu lutur e për ta përmendur Zotin, për mëshirë dhe paqe për Profetin, mendon rreth të metave e gabimeve, si dhe pendohet për mëkatet që i kanë trazuar qetësinë shpirtërore.

Duke marrë si shkas këtë ditë të shënuar, le të kujtojmë edhe një herë fqinjin e të afërmin, le të frenojmë egon tonë duke agjëruar, të pajtohemi me atë që nuk flasim dhe të kujtojmë devizën islame: "Të gjithë myslimanët janë vëllezër".



Autor: Dorian DEMETJA



_________________________

[1] - Imam Gazali, Mukashefetu'l-Kulub.
[2] - Muslimi.
[3] - Buhariu, Muslimi.
[4] - Buhariu.
[5] - Muslimi, Ebu Daudi.
[6] - Muslimi.
[7] - Bejhakiu.