Tekbiri teshrik



Thënia e tekbireve teshrik fillon me faljen e namazit të sabahut ditën e Arefatit dhe përfundon ditën e tretë të teshrikut, respektivisht ditën e katërt të bajramit me namazin e iqindisë. Teksti i tekbirit teshrik është si vijon:

ألله أكبر ، ألله أكبر لاإله إلا الله والله أكبر، ألله أكبر ولله الحمد

- "All-llahu ekber, All-llahu ekber, la ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber, All-llahu ekber ve lil-lahil hamdu". Kjo fjali pra përbëhet prej katër tekbireve, shehadetit dhe një falënderimi All-llahut xh.sh..

Në veprën "Red-dul muhar" [1] nga Ibni Abidini thuhet: Ibrahimi a.s. kishte vendosur ta therë Kur'ban djalin e tij Ismailin a.s. për të zbatuar urdhrin e Allahut xh.sh.. Allahu xh.sh. me këtë urdhër e kishte sprovuar Ibrahimin a.s., andaj në momentet e fundit para se të theret kurban Ismaili a.s., Allahu xh.sh. e dërgoi Xhibrin a.s. me kurban. Kur xhibrili e vërejti Ibrahimin a.s. se ishte bërë gati për ta therë birin e tij kurban, nga frika se do të vonohet, me zë të lartë bërtiti: All-llahu ekber, All-llahu ekber. Andaj, kur Ibrahimi a.s. ndjeu zërin dhe e pa Xhibrilin a.s. tha: "La Ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber". E kur Ismaili a.s. mori vesh se therja e tij për kurban do të zëvendësohet me therjen e një kafshe, tha: "All-llahu ekber ve lil-lahil hamdu".

Tekbiri i teshrikut është vaxhib pas faljes së çdo farzi ajn (farz personal) si për burra ashtu edhe femrat, vetmas apo me xhemat, eda apo kaza. Gratë tekbirit teshrik e citojnë me zë të ulët. All-llahu Xhel-le Xhelaluhu thotë:

وَاذْكُرُواْ اللَّهَ فِي أَيَّامٍ مَّعْدُودَاتٍ - "All-llahun përmendni në ditët e caktuara (në ditët e Bajramit)".

Nga ky rregull nënkuptohet se tekbiri teshrik nuk këndohet pas namazit të vitrit, pas namazeve sunnete e as pas faljes së namazit të xhenazes, sepse namazi i xhenazës është farzi kifaje.


Çka ndodhë nëse harrohet tekbiri teshrik

Ibni Abdini, në trajtimin e kësaj çështje thotë: Tekbirin është vazhib ta këndojë menjëherë pas farzit, e nëse ka harruar dhe ka bërë veprime të shumta nga dhënia e selamit pa e kënduar tekbirin, si p.sh. ka dalë nga xhamia e pastaj ju ka kujtuar se nuk e ka kënduar tekbirin, ose ka bërë biseda me dikë, ose e ka prishë abdesin me qëllim, pra sepse ka pasur nevojë, në këto raste i bie obligueshmëria e tekbirit, pra nuk duhet përsëritur, e nëse nuk ka bërë veprime të tilla, atëherë, e këndon tekbirin kur ti kujtohet.

Nëse gjatë ditëve kur tekbiret e teshrikut janë vaxhib, pra prej namazit të sabahut të ditës së Arefatit e deri ditën e katërt të bajramit me namazin e iqindisë, namazliu falë kaza ndonjë farz që i ka ngelur më herët, atëherë na paraqiten katër raste që janë:

- Namazi që i ka ngelur pa u falur jashtë ditëve të bajramit, kurse të njëjtin e bënë kaza ditëve të bajramit, - Namazet që i kanë ngelur pa u falur gjatë ditëve të bajramit, kurse të njëjtat i bënë kaza jashtë ditëve të bajramit, - Namazet që i kanë ngelur pa i falur gjatë ditëve të bajramit, kurse të njëjtat i bënë kaza gjatë ditëve të bajramit në vitin tjetër. - Namazet që i kanë ngelur pa i falur gjatë ditëve të bajramit, kurse të njëjtat i bënë kaza brenda ditëve të bajramit të po të njëjtit vit.

Në këtë rast në tre rastet e para tekbiri është vaxhib të këndohet pas farzit vetëm në rastin e katërt, respektivisht nëse falet kaza namazi që të ka ngelur pa e falur brenda ditëve të teshrikut. Kjo bëhet kështu nga arsyeja se motivi i obligimit të tekbirit teshrik edhe më tutje është në fuqi, ngjashëm sikur therja e kurbanit. [2]

Vall-llahu ealem!



Autor: Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Ibni Abidin, Redul muhar ala durim muhtar.
[2] - Hashijetu Ibni Abidin, 1/563.