Numri i rek'ateve të namazit të teravisë



Numri më i vogël i rek'ateve të namazit të teravisë është njëzet. Mirëpo, disa përpiqen të pengojnë nga falja e dhe falënderimi ndaj Allahut në muajin më të mirë të vitit duke thënë se Namazi i teravisë është vetëm tetë rek'atë. Qëndrimin e tyre ata e mbështesin me dëshmitë vijuese: "Nga Xhabiri transmetohet se ka falur tetë rek'atë dhe vitrin dhe pastaj ka dal dhe nuk është kthyer që të fal edhe më". [1]

Nga Aisheja transmetohet se ka thënë: "Pejgamberi i Zotit kurrë, madje as në tramazan, nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rek'atë". [2]

Sa i përket ulemasë islame, ata pajtohen se numri më i voël i rekateve të teravisë është njëzet kurse disa prej tyre konsiderojnë se numri i rekateve është shumë më i madh dhe thonë se ngjitet edhe deri në katërdhjetë e gjashtë rek'atë. T'i shohim dëshmitë e tyre:

Nga Zejd ibn Vehbi transmetohet se ka thënë: "Neve gjatë ramazanit na ka falur Abdullah ibn Abbasi, ai na falte e pastaj tërhiqej në dhomën e tij". Pastaj A'meshi ka shtuar: "Ka falur njëzet rek'atë teravi dhe tre rek'atë vitër". [3]

Nga Jezid ibn Rumani transmetohet se ka thënë: "Njerëzit gjatë kohës së Omerit kanë falur njëzet e tre rek'atë". [4]

Nga Saib ibn Jezidi transmetohet se ka thënë: "Gjatë kohës së Omerit njerëzit kanë falur njëzet rek'atë dhe kanë lexuar dyqind ajete kurse në kohën e Osmanit ju ëjëshin këmbët nga qëndrimi në namaz". [5]

Nga Davud ibn Kajsi transmetohet se ka thënë: "I kam takuar njerëzit në kohën e Eban ibn Osmanit dhe Omer ibn Abdulazizit në Medinë kur kanë falur tridhjetë e gjashtë rek'atë teravi dhe tre rek'atë vitër". [6]

Nga Nafiu transmetohet se ka thënë: "Nuk kam takuar pos ata që kanë falur tridhjetë e nëntë rek'atë nga të cilët tre kanë qenë vitër". [7]

Tash të shikojmë pak mendimin e ulemasë së katër medhhebeve: "Nga Maliku transmetohet se tek ai teravia është tridhjetë e gjashtë rek'atë kurse vitër janë tre rek'atë". [8]

Ulemaja e medhhebit hanefijë, shafiijë dhe hanbelijë konsideron se namazi i teravisë është njëzet rek'atë, duke u bazuar në hadithet sahihë, të cilët flasin se: "Omeri, Osmani, Aliu dhe as'habët e tjerë kanë falur njëzet rek'atë".

Ajniu thotë: "Ulemaja jonë e medhhebit hanefij, shafiij dhe hanbelij e mbështet qëndrimin e vetë me hadithin sahih të cilin e shënon El-Bejhekiu nga Saib Ibn Jezidi se ka thënë: "Në kohën e Omerit janë falur njëzet rek'atë, kurse në kohën e Osmanit po aq"". [9]

Sherbini thotë: "Teravia është njëzet rek'atë me dhjetë selame çdo natë ramazani sepse me transmetimin sahih të cilin e shënon El-Bejhekiu është përcjellur se as'habët kanë falur njëzet rek'ate". [10]

Tash do të përgjigjemi në lajthitjet e vehabinjve:

Hadithi nga Xhabiri të cilin e shënon Ibn Huzejme dhe Ibn Hibani, kurse në senedin e tij është edhe Isa ibn Xharije, për të cilin Jahja ibn Muini thotë: "Transmeton munkere".

Ebu Davudi thotë: "Ai është munker në hadith".

Ibn Adijj thotë: "Hadithet e tij nuk janë korrekte".

Saxhi thotë: "Ai është i dëbot".

Ukajli thotë: "Ai është nga transmetuesit e dobët". [11]

Gjithashtu, në senedin e këtij hadithi është edhe Jakub ibn Abdullah El-Kummi për të cilin Darekutni thotë: "Është i dobët".

Sa i përket hadithit nga Aisheja r.a. këtu qëndron edhe një nga ngatërresat e jomedhhebinjve. Me fjalë të tjera, një nga bazat e usulit të tyre është që t'i vënë dëshmitë në vende të gabuara. Kështu kanë vepruar edhe me këtë hadith, i cili ka të bëjë me numrin e rek'ateve të namazit të tehexhudit. Pejgamberi i Zotit kurrë nuk ka falur namaz tehexhud më shumë se njëmbëdhjetë rek'atë, kurse ata e kanë marrë këtë hadith, përkundër të gjithë ulemasë islame se ka të bëjë me numrin e rek'ateve të namazit të teravisë. Nëse ky hadith ka të bëjë me teravinë, përse Aisheja me vite të tëra ka heshtur? Përse nuk ka reaguar kur ka parë se as'habët kanë falur njëzet rek'atë teravi? Përse nuk i ka përmirësuar? A thua ajo, nëna e besimtarëve, do t'i lënte në lajthitje ata dhe të gjithë pas tyre? Jo, jo, jo dhe jo!!! Ajo ka folur për tehexhudin e jo për teravinë.



Autor: Sami XHEKO



_________________________

[1] - Ibn Hiban, Ibn Huzejme.
[2] - Buhari, Muslim.
[3] - Umdet'ul-Kari, Bedruddin El-Ajni, 11/128.
[4] - Muvetta, Malik, Nejl'ul-Evtar, Esh-Shevkani, 3/60.
[5] - Bejhekii i cili thotë se është Sahih, Nevevi në El-Mexhmu' i cili thotë se është Sahih, Ajni në Umdet'ul-Kari i cili thotë se është Sahih, Subki në komentin e Minhaxhit, Hafiz Iraki në komentin e Takribit, Kastalani në komentin e Buhariut, Kemal ibn Humam në Fet'h'ul-Kadir dhe të gjithë ata thonë se është hadith sahih.
[6] - El-Mervezi.
[7] - Ibn Vehb.
[8] - Fet'h'ul-Bari, Ibn Haxher El-Askalani.
[9] - Umdet'ul-Kari, El-Ajni, 5/357 .
[10] - Sherh'ul-Minhaxh, El-Hatib Esh-Sherbini Esh-Shafi'i, fq. 226.
[11] - Et-Tehdhib'ut-Tehdhib, Ibn Haxher El-Askalani, 8/207.