Ndjekja e Medhhebit të Sahabijut



Me qenë se kohëve të fundit dëgjohen shpeshherë se Medhhebet janë çpikje që nuk kanë ekzistuar në kohën e pejgambeit s.a.v.s. dhe të sahabëve, dua të potencojë dhe të argumentojë se edhe në kohën e sahabëve ka pasur dallime në mendime për çështjet dhe dispozita fetare, e kjo vërtetohet përmes literaturës përkatëse dhe është e pa kontestuar. Andaj në vazhdim do bëjmë përpjekje që të sqarojmë, realisht të paraqesim mendimet e dijetarëve eminent islam rreth ndjekjes së medhhebeve apo bindjeve të njërit nga sahabët. Fillimisht po sqarojë se çka janë sahabët.

Nocioni Sahabij te dijetarët e shkencës së Usuli fikhut konsiderohet: "personi musliman, i cili e ka takuar Pejgamberin a.s., duke qenë si mysliman, e ka shoqëruar atë një kohë të gjatë dhe ka vdekur si musliman". [1]

Në bazë të këtij definicioni konstatohet se sahabij është ai person, i cili e shoqëroi të dërguarin një kohë të gjatë, siç janë katër hulefai rashidinët, Abdulla ibn Mesudi, Enes ibn Maliku, Zejd ibn Thabit, Ajshja dhe gratë tjera të Pejgamberit a.s. dhe të gjithë sahabët tjerë, të cilët kishin besuar në shpalljen që e predikonte Pejgamberi a.s. dhe e kishin shoqëruar një kohë të gjatë, si dhe kishin dëgjuar dhe kuptuar fjalët e Tij. Çështja tjetër është se sahabij konsiderohen ata të cilën ndoqën rrugën e të dërguarit të All-llahu xh.sh. dhe sunnetin e Tij dhe atë e transmetuan gjeneratave pas tyre.


Medhhebi i sahabijut, a është argument i sheriatit

Dihet fare mirë fakti se sahabët ishin njerëzit më të afërt të Pejgamberit s.a.v.s. që e shoqëruan në të gjitha rastet. Interesimi i tyre ndaj Pejgamberit s.a.v.s. ishte i pa përshkruar, dhe nuk mbanë mend historia njerëzore për ndonjë figurë tjetër që shokët e tij ishin aq shumë të interesuar sa sahabët për Pejgamberin s.a.v.s.. Shokët e Pejgamberit s.a.v.s. ishin ata që dëshiron të dinin çdo imtësi për pejgamberin s.a.v.s., dhe si të tillë ata ishin për të cilët Pejgamberi s.a.v.s. kishte thënë: "Shokët e mi, janë si yjet, cilit ti drejtohesh do të udhëzoheni".

Ata zbatonin urdhërat e Kur'anit dhe sunetit pa pse. Bënin përpjekje gjithnjë që tërë jetën e tyre ta përshtatnin me shpalljen, pra Kur'anin dhe sunetin e Pejgamberit s.a.v.s.. Pra lirisht mund të themi se ata udhëyues të jetës e kishin Kur'anin dhe sunetin e Pejgamberit s.a.v.s..

Me gjithë atë kishte momente kur për ndonjë çështje që duhej zgjedhur dhe për të nuk kishte argument direkt nga Kur'ani dhe suneti i Pejgamberit s.a.v.s.. Për zgjidhjen e problemeve që nuk gjenin dot argument nga Kur'ani dhe suneti, fillimisht interesoheshin për më të diturit e sahabëve që të marrin përgjigje prej tyre. Por nuk shpejtoni që secili të japë fetva me njohurit e tij, por gjithnjë kërkonin për më të diturin.

Kjo është metoda e dijetarëve që e kanë përdoruar dhe e përdorin në përfitimin e dispozitave juridike islame si trashëgimi nga sahabët.

Në kësi raste kur kishte transmetime të shëndosha se ndonjëri nga sahabët ishte më i njohur dhe më i ngritur me dituri për atë çështje dhe kishte qëndrim për çështjen konkrete pra kishte dhënë fetva, qëndrimi i sahabiut të tillë a konsiderohet argument me të cilin duhet vepruar apo jo?

Për këtë çështje, dijetarët islam u pajtuan në disa pika dhe në disa tjera kishin kundërthënie siç janë:


1. Çështjet mbi të cilat dijetarët u pajtuan dhe ishin unikë janë:

- Nëse qëndrimi i sahabiut ka të bëjë me ato çështje, të cilat nuk mund të kuptohen përmes logjikës dhe mendjes, siç janë çështjet, të cilat kanë të bëjnë me akiden (besimin) apo me sasitë (hiset) të caktuar për trashëgimi në të drejtë islame siq janë (1/3, 1/6, etj.), atëherë, një fetva e tillë prej sahabiut konsiderohet argument për myslimanët tjerë dhe mund të mbështetet në te, sepse parimisht një gjë të tillë ai nuk e thotë nga mendja e tij, por doemos të e ketë dëgjuar nga Pejgamberi a.s.. Ky qëndrim te dijetarët e hadithit njihet me nocionin "Hadithi Mevkuf".

- Qëndrimi i sahabiut për një çështje islame për të cilin qëndrim, nuk dihet se ndonjëri nga sahabet tjerë e kundërshtoi atë qëndrim. Qëndrimi i tillë konsiderohet argument për muslimanët, sepse në këtë rast ky qëndrim konsiderohet koncenzus (ixhma), siç është trashëgimi i gjyshes me 1/6 nga pasuria e të trashëguarit të saj.

- Qëndrimi i sahabijut nuk është argument për sahabijun tjetër i ngjashëm me të, këtë e vërteton fakti se sahabët shpeshë herë kishin kundërthënie mes veti në çështje të ndryshme, andaj sikur qëndrimi i një sahabiu të ishte argument për sahabiun tjetër që ka mendim tjetër, atëherë ata nuk do të lejonin që për atë çështje të bëhet ixhtihad nga të tjerët.

- Qëndrimi i sahabiut unanimisht nuk konsiderohet argument në sheriat, nëse është vërtetuar se një qëndrim të tillë ai e ka ndryshuar gjatë jetës së tij, sepse ndryshimi i mendimit do të thotë se ai posedon argument më të fortë për atë çështje.

Këto ishin çështjet që dijetarët islam ishin unik në mendimet e tyre rreth ndjekjes së medhhebit të sahabijut.


2. Kundërthëniet e dijetarëve në lidhje me medhhebin e sahabijut

Nëse ndonjëri nga sahabët kishte qëndrim mbi ndonjë çështje, të bazuar në ixhtihadin dhe logjikë e tij dhe për të cilin sahabët nuk janë unikë në atë mendim apo ixhtihad, atëherë qëndrimi i tillë a konsiderohet argument për tabinët dhe për muslimantë tjerë apo jo? Në këtë pikë dijetarët kanë qëndrime të ndryshme.


Mendimi i parë

- Dijetarët e medhhebit Hanefij dhe Malikij janë të mendimit se një qëndrim i tillë konsiderohet argument dhe ka prioritet mbi kijasin (analogjinë), andaj është obligim që të merret mendimi i një sahabiu pa dallim se cili është ai.

Argument ku mbështesin qëndrimin e tyre këta dijetarë, kanë ajetet kur'anore dhe disa hadithe të Pejgamberit a.s., All-llahu xh.sh. në Kur'an thotë: "All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarve) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh". [2]

Nga ky ajet kuptohet se All-llahu xh.sh. lavdëroi sahabët dhe tabiinët, gjë që kuptohet se në raste të nevojshme duhet pranuar mendimin e tyre, sepse ata me siguri kanë dëgjuar diç nga Pejgamberi a.s., andaj edhe mendimi i tyre ka prioritet ndaj të tjerëve.

Mbështetje tjetër për qëndrimin e tyre kanë edhe disa hadithe, e sa për ilustrim të përmendim vetëm disa nga to. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Duhet t'ju përmbaheni sunnetit Tim dhe sunnetit të halifëve (mëkëmbësve) të udhëzuar të drejtë". [3]

Pastaj hadithi tjetër ku Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet i dërguari i All-llahut ka thënë: vërtet më të mirët nga ju janë, brezi im (ata të cilën jetuan në brezin tij), pastaj ata që pasojnë ata, pastaj ata të cilët pasojnë ata". [4]

Ibni Kaj-jimi mbi argumentueshmërinë e medhhebit të sahabiut solli mbi katërdhjetë argumente, për të vërtetuar se veprimi me medhhebin e sahabiut është obligim.[5]


Mendimi i dytë

- Dijetarët e shkollës juridike Shafij dhe Hanbelij janë të mendimit se Medhhebi i sahabiut nuk është argument për tabiinët dhe të tjerët. Për mbështetjen e qëndrimit të tyre këta pohojnë se:

- Sahabiu nuk është imun nga gabimet, andaj ai mund të harrojë apo gabojë, atëherë si mund që fjala e tij të jetë obligative për të tjerët.

- Sahabiut i lejohet që ai të kundërshtojë mendimin e sahabiun tjetër, andaj ashtu si i lejohet që ai të kundërshtojë tjetrin, ashtu lejohet që edhe një muxhtehid tjetër ta kundërshtojë atë.

Argument nga Kur'ani kanë këtë ajet: "Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrone atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobisjmja dhe përfundimi më i mirë". [6]

Nga kjo nënkuptohet se All-llahu xh.sh. në raste mosmarrëveshje për ndonjë dispozitë islame, obligoi muxhtehidin që të shfletohet Kur'ani dhe Sunneti, e në rast se nuk ekziston argumenti në to, atëherë të bëhet analogji (kijas) me ato dispozita të cilat janë të cekura në Kur'an dhe Sunnet e që kanë motivin e përbashkët. [7]



Autor: Mr. Taxhedin BISLIMI, maj 2009.



_________________________

[1] - Ky definim është sipas Usulistëve kurse sipas Muhadithëve ekzistojnë edhe definicione tjera.
[2] - Teube : 100.
[3] - Ebu Daudi.
[4] - Muslimi.
[5] - Ibn Kajiim, I'lamul Muvekain, 4/130.
[6] - Nisa : 59.
[7] - Imam Gazali, Mustesfa, 1/271.



Referencat:

- Kur'ani famëlartë.
- Suneni i Ebu Davudit.
- Suneni i Muslimit.
- Ibn Kajiim, I'lamul Muvekain, 4/130.
- Imam Gazali, Mustesfa, 1/271.
- Abdulalij ibn Muhamed, Fevatih Rahmut, 2/185.
- Ibn Kajim, I'lam Muvekain, 4/123.
- Muhamed Zuhajli, Usulul Fikh, 212.
- Mustafa Buga, Etherul Ediletul Muhtelef Fiha, 338.