A ishte Pejgamberi Hanefij dhe Sahabët Maturidij?!



Të pyesësh a ishin sahabët maturidij, apo a ishte Pejgamberi hanefij, është shenjë që tregon dy gjëra:

1. Ose je injorant total.

2. Ose je tinëzar që bën pyetje provokuese për të nxitur fitne.

Pyetja është po aq idiote, sikur të pyesësh a kanë marrë sahabët hadithe nga Buhariu me zinxhir sahih (dhe jo anasjelltas), ose a ka ditur Pejgamberi t'i vlerësoj hadithet "sahih", "daif", etj..

Personat që i bëjnë këto pyetje, janë diletant profesionistë, që marrin rrogë për të futur kësi huti në popull. Ndërsa të padijshmit imitojnë këta "mësues", siç imiton papagalli zëra dhe fjalë. Përgjigja është e thjeshtë, nëse keni durim t'i lexoni ca rreshta.

Sikurse hadithi, Fikhu, Usuli dhe nën-shkencat e tyre, edhe teologjia (akaidi dhe kelami) nuk ka qenë "shkenca" të themeluara në kohen e sahabëve, dhe as tabi'ineve të mëdhenj. Ata padyshim që kanë pasur diskutime teologjike dhe polemika rreth disa çështjeve që kishin të bënin me akiden - për shembull, se e a ke pare Pejgamberi Allahun ose jo. Prej sahabëve kemi hz. Aliun (r.a.) që i debatoi havarixhët përmes logjikës. Ngjashëm edhe Ibn Abasi kishte polemika me ta. Prej tabi'inëve kemi Imam Ebu Hanifen si trajtuesin e parë të Kelamit dhe autorit të parë të një trakti besimesh - vepren Fikhul Ekber. Dhe pas tij, dijetarët u shtuan dhe u shtuan edhe çështjen e diskutimit. Maturidiu është prej shkollës fikhore të Ebu Hanifes, dhe trajnimi i tij në fushën e kelamit dhe akaidit, është nga nxënësit e nxënësve të Ebu Hanifes.

Një gjë e ngjashme kishte ndodhur me hadithin. Kur njerëzit filluan të trillojnë hadithe për interesa të tyre politike dhe dogmatike, u ndje nevoja që të formohen parimet dhe hadithi të trajtohet si shkencë, e jo më thjeshtë si dituri e mësuar. Prandaj, dijetarët e hadithit filluan t'i klasifikonin hadithet në kategori te ndryshme të vërtetësisë në bazë të zinxhirit të transmetimit dhe në bazë të përmbajtjes së tekstit. Dijetarë të ndryshëm kishin kritere të ndryshme të pranimit te hadithit. Tek me vone këto kritere u sintetizuan dhe u afruan, dhe ne sot kemi shkencën e hadithit dhe nën-degët e saj, si rezultat i përpjekjes intelektuale (ixhtihad) të shumë dijetarëve.

Edhe teologjia, në kohën e sahabëve nuk ishte shkencë, por me përhapjen e filozofive të ndryshme, kur fraksione të ndryshme filluan (me ose pa vetëdije) që besimet që ishin të huaja për islamin t'i inkorporonin në akide, u ndje nevoja që të mbrohej besimi i drejtë nga sulmet e jashtme dhe të brendshme. Dijetarët e hadithit u treguan jo-efektiv në përpjekjet e tyre, sepse kundërshtarët e tyre përdornin metoda të sofistikuara të argumentimit. Prandaj, nga nevoja, dijetarët e ehli-sunetit zhvilluan Ilm ul-Kelamin si kundërpërgjigje ndaj filozofive të ndryshme fetare të devijuara. Ata, përmes parimeve që nxorën nga Kur'ani dhe hadithet e famshme, dhe përmes logjikës, mbrojtën besimin (akiden) e vërtetë të muslimanëve. Ata iu dhanë goditje fatale fraksioneve të devijuara përmes shkencës së kelamit.

Dijetarë të tillë kishte shumë, por më të njohurit ndër ta janë dy imamë që Allahu i zgjodhi dhe dalloi nga tjerët. Këta janë Ebu Mensur Maturidiu dhe Ebu Hasan Eshariu. Sikurse që katër imamët e fikhut janë të vetmit rreth të cilëve është rënë ujdi se mund të pasohet i tërë medhhebi i tyre, ndonëse ata nuk ishin katër muxhtehidët e vetëm që kishte bota islame, njashtu dijetarët e ehli-sunetit kanë rënë ujdi që në çështjet e besimit (akides), këta dijetarë janë përfaqësuesit dhe mbrojtësit e të vërtetës. Ndonëse këta dijetarë nuk shpikën besime të reja, pasuesit e tyre quhen sipas emrave të tyre, pra, "Maturudij" dhe "Esharij".

Tani, kemi njerëz që ironizojnë dhe gjoja parashtrojnë si pyetje, "a jeni musliman apo maturidij", e pyetje të ngjashme idiotike, si pyetja "a kanë qenë sahabët maturidij". T'i përgjigjesh pyetjeve të tilla është humbje kohe, sepse është sikur t'i thuash dikujt, "a je nga Tirana, apo je nga Shqipëria", thua se Tirana s'është pjesë e Shqipërisë.

Puna është që dijetarët më të mëdhenj të Ehli Sunetit i kanë takuar njërës prej këtyre dy shkollave teologjike - Esharijve dhe Maturidijve, dhe e gjithë trashëgimia fetare është përcjellë brez pas brezi me zinxhir të pashkëputur përmes po këtyre dijetarëve esharij dhe maturidij. Nuk ka asnjë zinxhir të vetëm hadithi, fikhu, tefsiri, ose leximi te Kuranit, që nuk kalon përmes një dijetari esharij ose maturidij. Madje edhe Sahihun e Buhariut e transmetojnë dy Esharij, Ebu Zejd el-Merwezi (301-371), nxënës i Eshariut, dhe Ibn Muxhahid et-Ta'i (vd. 368), shoqërues i Eshariut. Edhe komentuesi dhe radhitësi i Buhariut, Ibn Haxher Askalaniu është Esharij në kredo.

Për këtë çështje mund të thuhen shumë gjëra, por këtu s'është vendi as koha.

Me Selame.



Përgatiti: Halef ibn Selef

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...