Ixhtihadi si burimi i lirisë së shprehjes në Islam



Literalisht, ixhtihad do të thotë orvatje ose vet-përpjekje në çdo aktivitet që kërkon një farë mase mund. Si përkufizim, ixhtihadi është përshkruar shpenzim i plotë i energjive nga ana e një juristi për të deduktuar, me një farë probabiliteti, normat e sheriatit nga evidencat dhe shenjat që mund të gjenden në burimet legjislacionit. Burimet e sheriatit, d.m.th. Kurani dhe Syneti, mund ta kenë shpjeguar një normë në lidhje me një çështje për të cilën kërkohet në gjykim, në mënyrë të drejtpërdrejt, raste këto në të cilat nuk ka vend për deduktim përmes ixhtihadit. Gjithsesi, nëse ato na pajisin vetëm me përcaktime jo të drejtpërdrejta, i përket muxhtehidit që ti interpretoj ato, dhe të deduktoj, përmes arsyes dhe gjykimit të tij, zgjidhjen e mundshme. [1]

Ixhtihadi e merr ligjshmërinë nga tradita profetike, veçanërisht nga interpretimi i hadithit të mirënjohur transmetuar nga Muadh Ibn Xhebel (vd. 18 h. / 639 e.r.s.), si dhe përmes autoritetit të nënkuptuar dhënë nga disa versete kuranore. [2] Në jurisprudencën klasike, ixhtihadi është vlerësuar si një obligim kolektiv (farz kifaje) për gjithë bashkësinë i cili përmbushet nëse ai zbatohet nga një pjesë e saj. Megjithatë, ixhtihadi nuk është thjesht e drejta e çdo njeriu të dijshëm për ta kryer atë, por edhe një përgjegjësi e tij për ta bërë atë. Ajo që është e rëndësishme nuk është rezultati, por vetë përpjekja e cila, sipas termave të hadithit të mëposhtëm, meriton një shpërblim qoftë edhe kur vendimi është i gabuar: "Kur një gjykatës/person që merr vendime (hakim), përpiqet dhe jep një vendim të saktë ai do të marrë shpërblim të dyfishtë, e nëse gabon në gjykimin e tij, ai ende meriton shpërblim". [3]

Ky hadith bën të qartë që përpjekja e muxhtehidit mund të dërgoj në një përfundim të saktë ose të gabuar. Në çdo rast, ai ka të drejt për të dhënë një opinion, pavarësisht nga kundërshtitë apo mospëlqimet e mundshme që mund të ngrihen nga muxhtehit të tjerë po aq të kualifikuar në lidhje me të njëjtën temë. Për arsye se e vërteta apo mos saktësia e gjykimit të dhënë mund të mos jetë e qartë e as menjëherë e përcaktueshme. Fakti që ky hadith siguron një shpërblim për përpjekjen e ixhtihadit, nënkupton natyrisht se mospërputhjet në ixhtihad duhet të jenë të tolerueshme, e madje mund të jenë edhe të dobishme, ndoshta kjo është edhe arsyeja përse ai (ixhtihadi) meriton shpërblim. [4]

Për më tepër, nga i njëjti hadith nënkuptohet se çdokush i cili është i aftë të formoj një opinion të specializua dhe një gjykim rreth një çështjeje është i nxitur për ta bërë dhe nuk duhet ta ndalojë kontributin e tij si pasojë e hezitimit se mendimi i tij mund të mos jetë i saktë. [5] Kjo nxitje, në një shkallë të gjerë, ka dhënë frytet e saj që mund të shihen në pasurinë e shumësisë së mendimeve në sfera të ndryshme të dijes islame, përfshi ekzegjezën (tefsir) kuranore, shfaqja dhe zhvillimi i shkollave të ndryshme të ligjit, teologji, filozofi dhe sufizëm. Siç ka vërejtur edhe el-Bahi, fjala ixhtihad në terminologjinë e fikhut (juridike), është përdorur edhe për të përshkruar dallimet e mendimeve (iktilaf fil-rrej). [6] Që nga koha e sahabëve (dishepujve të profetit), shkollarët (ulema) nuk kanë reshtur së dalluari në mendimet dhe arsyetimin personal, kjo dëshmon, siç vëren edhe Zejdani, konsensusin e përgjithshëm ndërmjet dijetarëve se mospërputhjet në ixhtihad janë të pranueshme. [7]

Për të siguruar drejtësi në ushtrimin e ixhtihadit, dijetarët e usul fikut kanë parashtruar disa kritere që duhet të zotërohen nga muxhtehidi, dhe një grup rregullash që janë projektuar për të siguruar integritetin e ixhtihadit, për të shkurajuar kënaqjen me arbitraritet dhe kriticizmin e pabazë ndaj të tjerëve. Teoria e ixhtihadit është e qartë në pohimin se përfundimet e nxjerra nga ixhtihadi nuk janë të obligueshme për askënd, përjashto këtu vetë muxhtehidin. Kjo do të thotë se ai duhet të udhëzohet vetëm nga bindja dhe besimi i tij në përfundimin që ka arritur. Përndryshe, siç ka vërejtur edhe el-Bahi, nuk do të kishte asnjë arsye për ta bërë të detyrueshme për muxhtehidin ndjekjen e ixhtihadit të tij. [8]

Kur ixhtihadi përmbush të gjitha kushtet, atëherë rezultati në të cilin është arrirë është i pacenueshme, dhe vlefshmëria e tij nuk preket nga kritikat apo kundërshtitë përsa kohë e vërteta nuk vendoset përmes unanimitetit dhe konsensusit (ithma).

Ndërkohë, askush nuk ka të drejtë të sulmoj integritetin e autorit të ixhtihadit. Përkundrazi, rrekja dhe vet-përpjekja e muxhtehidit për të siguruar një gjykim sa më të saktë për një çështje, meriton vetëm lavdërim dhe shpërblim. Vetëm në një rast ai e humb këtë pozitë, kur një vendim përfundimtar i ndërmarrë nga specialistët (ulema), deklaron se ixhtihadi në fjalë është i pavlefshëm, ose kur nënkuptimet e kësaj ixhmaje të arrirë refuzon në mënyrë të qartë vlefshmërinë e një ixhtihadi individual. Në këtë rast ixhmaja kërkon bindje dhe mbizotërim ndaj opinionit individual. Por edhe në këtë rast është vetëm për arsye praktike që ixhtihadi i humbet meritat e tij. Duke marrë për të mirëqenë se muxhtehidi ka vepruar në buona fide, dhe në përputhje me kushtet e ixhtihadit, integriteti i tij mbetet i paprekur.

Fakti që në sheriati e vlerëson ixhtihadin dhe mbron integritetin e tij, siç ka vërjetur edhe Mahmassani, është një prej rezultateve të prekshme të lirisë së shprehjes dhe besimit në Islam. [9] Muxhtehidit i cili është i aftë të bëjë ixhtihad, sipas teorisë së sheriatit, nuk i lejohet të ndjekë opinionin e një muxhtehidi tjetër, përjashto faktin nëse ai është dakord me ixhtihadin e një tjetër dijetari dhe është i bindur në vlefshmërinë e tij. [10] Ky rregull kërkon, gjithashtu, që vendimet gjyqësore duhet ta kenë origjinën në ixhtihadin personal të gjykatësit (kadiut), nëse nuk është kështu dhe kadiu jep një vendim që bie në kundërshtim me mendimin e tij vetjak atëherë ai vendim është i hapur për rishikim. Përshembull, kur një gjykatës ndjek dëshirat e një tjetër personi me influencë, apo kur ai përvetëson ixhtihadin e një tjetër personi në kundërshtim me atë të tijin, vendimi i tij është i rishikueshëm dhe madje mund edhe të përmbyset. Kjo për arsye se muxhtehidi duhet gjithnjë të veproj në bazë të bindjes së tij dhe duhet të lëshoj ato mendime të cilat ai i mendon të vlefshme. [11]

Pacenueshmëria e ixhtihadit përvetëson një domethënie të veçant në lidhje me vendimet gjyqësore të cilat bazohen në gjykimin personal dhe ixhtihadin e gjykatësit. Sipas një parimi ligjor, një ixhtihad nuk mund të hidhet poshtë dhe të humbasë vlefshmërinë nga një ixhtihad tjetër (la junkad el-ixhtihad bi mithlihi). Kur gjykatësi jep një vendim të bazuar në mendimin dhe ixhtihadin e tij, as ai e as ndonjë gjykatës tjetër nuk ka të drejtën ta përmbysë këtë vendim përmes një ixhtihadi të ri. Për arsye se të dy ixhtihadet konsiderohen të së njëjtës fuqi ligjore dhe teorikisht nuk ka asnjë justifikim për të përmbysur e tij, duke marrë për të mirëqenë se ato janë të lejueshme (saigh) dhe të pranueshme (makbul), meqënëse ato janë në përputhje me kushtet për zbatimin e ixhtihadit.

Nëse një ixhtihadi do ti lejohej të shfuqizonte tjetrin, thjesht mbi bazën e mendimit të ndryshëm, atëherë nuk ka asnjë arsye, siç ka vërejtur edhe el-Amidi, përse të mos jetë subjekt i ndryshimit edhe ixhtihadi i dytë nga një i tretë e kështu me rradhë. Pranimi i këtij parimi, qartazi, mund të dërgoj në një seri ngjarjesh (tasalsul) që mund të cënojnë interesin publik (maslahah), si dhe mund të pengoj në shuarjen e polemikave ndërmjet njerëzve, të shkaktoj turbullirë, të rrezikoj besueshmërinë e publikut për vendimet e gjykatës. [12] Thelbi i këtij argumentimi mund ti përshtatet edhe vendimeve të bazuara në ixhtihad, të ndërmarra nga kryetari i shtetit dhe përfaqësuesve të autoritetit të tij.

Evidenca të mëtejshme për realitetin e lirisë së shprehjes në ixhtihad vjen edhe nga fakti se regjistruar se të gjithë imamët e mëdhenj të shkollave juridike (medhheb) i kanë shkurajuar të tjerët për të imituar opinionet e tyre, apo fetvat, [13] pa shqyrtuar fillimisht bazat mbi të cilën këto mendime janë ngritur. Kjo tregon, siç shprehet edhe imam Gazaliu, për respektin e tyre të madh për shkollarizmin dhe për të drejtën e muxhtehidëve të tjerë, [14] për tu shprehur lirshëm. [15] E nevojshme është të themi se pa këtë liri, ixhtihadi do të ishte krejtësisht i pamundur për tu kryer.

Zhvillimi i dy shkollave të ndryshme juridike gjatë fazave të para të formimit të historisë ligjore islame (gjatë fundit të shekullit të parë), d.m.th. ehlu rrej apo përkrahësit e mendimit të lirë, dhe ehlu hadithit, apo ndryshe përkrahësit e traditës siç është trupëzuar në hadith, është provë e mëtejme që mbështet, në gradën e dijetarit, përdorimin e mendimit individual, apo rrej-it, gjatë zhvillimit të sheriatit. Ixhtihad bil rrej, apo ixhtihadi që bazohet në mendimin individual, u bë karakteristika dalluese e ehlu rrejit, veçanërisht tek hanefit që mbështeteshin gjerësisht tek rrej-i, arsyetimi analogjik (kijas), dhe preferencën e juristit (istihsan). Këto janë pjesa e ixhtihadit më e organizuar dhe e strukturuar e cila është përdorur për të siguruar drejtësi në përdorimin e rrejit si një mjet për të zhvilluar sheriatin, pavarësisht nga rezistenca fillestare e cila u ngrit ndaj kësaj metode nga përkrahësit e ehlu hadithit, baza thelbësore e kijasit u pranua.

Kështu ndodhi, në pjesën më të madhe, edhe për preferencën juridike (istihsan), marrjen parasysh të interesit të përgjithshëm (istislah ose maslahah), si dhe për prezupozimin e pafajsisë (istishab). Vlefshmëria thelbësore e këtyre parimeve, si manifestime të ndryshme të ixhtihadit, janë njohur dhe si rezultat, të gjitha ato janë përfshirë në teorinë ligjore të usul fikhut. E përbashkëta ndërmjet këtyre doktrinave të ndryshme është se ato janë të gjitha racionaliste në përmbajtje dhe janë të bazuara gjerësisht në përdorimin e rrejit. Sërisht, ato të gjitha ndajnë konceptin e përbashkët se udhëheqësi, shkollarët dhe muxhtehidët, kanë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësin, për tu përpjekur për dobinë e njerëzve, dhe për përmbushjen e nevojave legjitime të shoqërisë me çdo mënyrë të arsyeshme brenda kontureve të sheriatit, edhe nëse nuk gjendet ndonjë autoritet i veçantë në mbështetje të tyre.

Ixhdihadi mund të zbatohet në lidhje me subjektet që bien në një nga dy kategoritë e përmendura më poshtë:

(a). Çështje të përkohshme të cilat nuk janë në mënyrë të drejtpërdrejt shqetësuese për religjionin. Në këtë fushë, siç ka vërejtur me të drejtë Khallafi, 'individi gëzon lirinë e plotë të shprehjes e mund të shpreh një opinion sipas dëshirës me kush që ai të mos përbëjë shpifje, armiqësi apo rebelim'.
(b). Në çështjet ligjore dhe fetare, muxhtehidi mund të shpreh një opinion në çështja në fjalë nuk është rregulluar në mënyrë të qartë nga ndonjë tekst kuranor apo të traditës profetike. I vetmi kusht që duhet ndjekur këtu është se ixhtihadi në çështjet juridike nuk duhet të dhunojë principet bazë dhe objektivat e sheriatit. [16]

Shpesh është vërejtur se, që nga koha e krijimit dhe kristalizimit të shkollave juridike (medhahib), duke nisur nga shekulli i katërt deri në shekullin e njëmbëdhjet hixhri, ixhtihadi ka qëndruar në vend. Mbyllja e dyerve të ixhtihadit është bërë një frazë e njohur, ndonëse deri diku e diskutueshme, për të përshkruar fundin e ixhtihadit dhe fillimin e një imitimi të pakushtëzuar (taklid). Një ide filloi të mbizotëroi sipas së cilës sheriati mendohej se ishte eksploruar i tëri, të gjitha pyetjeve i ishte dhënë përgjigje, e rrjedhimisht që nga ajo kohë e tutje ishte detyrë e brezave të mëvonshëm të dijetarëve të ndiqnin ligjin ashtu siç ishte shpjeguar ai nga imamët e hershëm, e më pas të evitonin kryerjen e një ixhtihadi të ri. Pohimi i mbylljes së dyerve të ixhdihadit, mund të jetë e ekzagjeruar, siç është thënë shpesh se ixhtihadi nuk është mbyllur kurrë krejtësisht, por edhe nëse është kështu nuk ka dyshim se ixhtihadi kishte pësuar një rënie të dukshme.

A ishte kjo, kështu, një vetkufizim i vullnetshëm që dijetarëve e hershëm e zgjodhën për të frenuar diversitetin e shkollave juridike dhe sekteve në territorin e shtetit të hershëm Abasit? [17] Me fjalë të tjera, a ishte mbyllja e dyerve të ixhtihadit një zhvillimi rrethanor në përgjigje ndaj situatës historike, apo një manifestim i principit normativ të sheriatit? Me shumë përgjigja gjendet tek opsioni i parë, duke qenë se sipas një dijetari, 'pas së ashtuquajturës mbyllje të ixhtihadit, çfarëdo kufizimi që mund ti jetë vendosur ixhtihadit ka qenë rrjedhojë e rrethanave historike dhe jo një ndryshim parimesh'. [18] Pra mund të themi se mbyllja që i vishet ixhtihadit nuk ka lidhje, në parim, me vlefshmërinë e lirisë së çdo dijetari dhe muxhtehidi për tu përfshirë në kërkimet e tyre për të gjetur zgjidhje të reja ndaj problemeve të reja. [19]



Autor: Muhamed Hashim Kemali [*]
Përktheu: Rezart Beka



Referenca:

[*] - Hashim Kemali është profesor i ligjit në 'Universitetin ndërkombëtar islamik të Malajzisë', ku ai jep mësim që prej vitit 1985. Ndër veprat e tij të njohura është edhe Principles of Islamic Jurisprudence (Cambridge: Islamic Texts Society, 1991).
[1] - El- Amidi, el-Ihkam fil Usul el-Ahkam, IV, 162. Shevkani, Irshad el-Fuhul min Tahkik el-Hak ila ilm el-Usul, f. 250.
[2] - Për detaje më të hollësishme në lidhje me autoritetin e ixhtihadit shih: "Principles of Islamic Jurisprudence", f. 470-473.
[3] - Ebu Davud, Sunen, përkth. Anglisht nga Ahmed Hasan, III, 1013, hadith nr. 3567.
[4] - Krahaso Zejdan, Mexhmua, f. 288.
[5] - Krahaso, Gazavi, El-Hurrijeh el-Ameh fil-Islam, f. 60.
[6] - El-Bahi, El-Din vel Davleh, f. 415.
[7] - Zejdan, Mexhmuah, f. 288, El-Sibai, Ishtirakijeh, f. 48. Munejminah, Mushkilat el-Hurrijeh fil Islam, f. 15..
[8] - El-Bahi, el-Din vel Davleh, f. 415.
[9] - Mahmasani, Arkan, f. 143.
[10] - El-Kasani, Badai el-Sanai, VII 4. Ibn Kudameh, el-Mugni, IX, 40-41.
[11] - Medkur, el-Kadai fil Islam, f. 63.
[12] - El-Amidi, el-Ahkam, III, 232. El-Karafi, el-Furuk, IV, 43. Ibn Kudameh, el-Mugni, IX, 57.
[13] - Termi fetva shpesh është përdorur si sinonim i fjalës ixhtihad, ajo nënkupton shprehjen e një opinioni nga një person i kualifikuar për sa i përket çështjeve ligjore dhe fetare, shpesh e dhënë si pasojë e një çështje të veçantë.
[14] - Muxhtehid (shumësi, muxhtehidun), ai person i cili është i kualifikuar të bëjë ixhtihad, zakonisht duke ju referuar drejtpërdrejt burimeve origjinale.
[15] - Shih për detaje të mëtejshme Gazavin, el-Hurrijeh, f. 60.
[16] - Kallaf, el-Sijaseh el-Sheraijeh, f. 136, Muteveli, Mabadi, f. 281, Ramadan, Islamic Law: Its cope and Equity, f. 78.
[17] - Për detaje më të hollësishme në lidhje me mënyrën se si diskutimet lidhje me lirinë e shprehjes i tejkaluan limitet duke u shndërruar në debate lidhur me çështjen e thelbit dhe atributeve të Zotit, të qenurit i krijuar apo jo të Kuranit, shih: El-Bahi, Ed-Din vel Devleh, f. 552 e më poshtë.
[18] - Muteveli, Mabadi, f. 282.
[19] - Për detaje më të hollësishme shih kapitullin për ixhtihadin në librin tim, Principles of Islamic Jurisprudence, veçanërisht f. 484 e më tej, dhe artikullin tim, The Aproved and Disaproved Varieties or Ra'y (Personal Opinion) in Islam, në American Journal of Islamic Social Science, vol.7, nr.1, 1990, 39-64.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...