Fetva mbi leximin e Kuranit për të vdekurit



Lavdërimet janë vetëm për Allahun, paqja dhe bekimi qoftë mbi profetin Muhamed.

Sevapi është shpërblimi që Zoti i jep robit të Tij në varësi të mundit dhe adhurimit të shfaqur prej tij.

Në Kuran thuhet: "Sikur ata të besonin dhe të ruheshin (nga gjynahet), shpërblimi i Allahut do të ishte më i mirë. Ah, sikur ta dinin ata!", (Bekare, 103).

Xhurxhani e përkufizon sevapin me fjalët: "Është ajo me të cilën njeriu meriton mëshirën, faljen e Zotit dhe ndërmjetësimin e të dërguarit të Zotit".

Ashtu siç përkufizohet edhe me fjalët: "Shpërblimi që i shkon për shtat natyrës njerëzore". [1]

Sipas El-favakih Ed-devanij thuhet: "Sevapi është një sasi shpërblimi të cilin e di vetëm Zoti i lartësuar dhe ia jep robërve të tij si ekuivalent për veprat e mira të pranuara". [2]


Sinonime:

E mira (hasena): Kjo është një e mirë për të cilën lëvdohet në mënyrë të menjëhershme dhe fiton sevapin në të ardhmen. Kështu, ajo bëhet shkak për sevap. [3] Bindja (ta'a): Ajo është nënshtrimi. [4] Nëse është për të mirë, është shkak për të fituar sevapin. Nëse është për ligësi, është shkak për të fituar ndëshkimin.

Ligjet që kanë lidhje me sevapin:

Fjala sevap, përdoret në dy kontekste tek fakirët [juristët mysliman]:

a). Sevapi nga ana e Zotit të lartësuar.
b). Kompensimi në shpërblim, d.m.th kompensimi financiar.

Për ta shtjelluar më tej, themi:

Së pari: Sevapi nga Allahu (xh.sh.).

Në origjinë, ai nuk është detyrë e Zotit. Sevapi është mirësi e Tij, kurse ndëshkimi drejtësi e Tij. "Ai nuk mund të pyetet për atë që punon", (Enbija, 23).

Të gjithë obligimet janë në vartësi të interesit dhe leverdisë së njerëzve, si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën. Zoti nuk ka nevojë për asnjë nga krijesat. Atij nuk i bën dobi bindja e njerëzve të bindur dhe as nuk e dëmtojnë gjynahet e gjynahqarëve. [5]

Dispozitat dhe ligjet hyjnore, Zoti i ka lidhur me arsye dhe motive të kësaj bote. Kjo, me qëllim që njerëzit të ballafaqohen me këto shkaqe dhe të demonstrojnë bindjen e tyre ndaj Zotit dhe largimin nga gjynahet. Po ashtu Allahu i urdhëron të gjithë njerëzit dhe i ndalon të veprojnë disa vepra. Atyre që i binden, u ka premtuar sevap, kurse gjynahqarët i kërcënon me ndëshkim, (Kavaid El-ahkam 1/14).


Kush e meriton sevapin?

Padyshim që të përgjegjshmit nga myslimanët do të shpërblehen për të mirat që kanë vepruar dhe do të ndëshkohen për shkeljet, veç nëse Zoti dëshiron ti përfshijë në faljen e tij. Vetëm njerëzit e përgjegjshëm janë të obliguar t'u binden ligjeve të Sheriatit, urdhrave dhe ndalesave sipas të cilave varet shpërblimi ose ndëshkimi, (Et-televih 1/90).

Tek njerëzit e papërgjegjshëm, hyjnë fëmijët dhe personat me të meta mendore. Njerëz të tillë nuk obligohen me ligjet e sheriatit. Por një fëmijë mendjehollë fiton sevap për shkak të aftësive të tij, edhe pse të kufizuara. Adhurimet e tij si namazi, agjërimi, itikafi, haxhi etj., janë të sakta dhe ai fiton sevape për to. Argument për saktësinë e adhurimit të tij është thënia e Profetit a.s.: "I urdhëroni fëmijët të falen që në moshën shtatë vjeçare, i rrihni [lehtazi] për këtë në moshën dhjetë vjeçare[nëse refuzojnë të falen] dhe i ndani ato midis tyre në shtretër [të veçantë]", (Ebu Daud).

Ky fakt tregohet qartë edhe nga hadithi i Abdullah ibnu Abasit i cili thotë: "Një natë fjeta në shtëpinë e tezes time Mejmune. Profeti a.s. fali jacinë së bashku me katër rekatet dhe pastaj fjeti. Më vonë, u ngrit duke u falur. Unë shkova të falem me të dhe u vendosa në të majtën e tij, por ai më nxori në të djathtën e tij", (Buhari, Fet'hul bari 2/190).

E njëjta gjë kuptohet edhe nga fakti që sahabët u kërkonin fëmijëve të agjërojnë ditën e Ashurasë. Transmeton Rebi bintu Meudh se i dërguari i Zotit a.s. u çoi fjalë disa fshatrave në mesditën e Ashurasë: "Kush është ushqyer deri atëherë ta plotësojë ditën e mbetur, kurse kush ka agjëruar le të agjërojë gjer në fund".

Rebi bintu Meudh tregon: "Ne agjëronim dhe u kërkonim dhe fëmijëve të agjërojnë dhe u jepnim lodra prej leshi. Nëse ndonjëri prej tyre qante për ushqim, ia jepnim me qëllim që ta kishte [për të luajtur] derisa të vinte iftari", (Buhariu Fet'hul bari 2/190).

Juristët maliki, preferojnë që t'i njohin veprat e pëlqyeshme dhe të papëlqyeshme tek fëmijët, por jo obligimet (vaxhib) dhe të ndaluarat (haram), për të cilat kushtëzohet mosha e pubertetit. Kjo, pasi Ligjvënësi ka urdhëruar që fëmija të urdhërohet të falet në moshën shtatë vjeçare. Një i çmendur, e meriton sevapin pasi ai vazhdon të konsiderohet mysliman edhe pse është i çmendur dhe myslimani shpërblehet, (Telvih 2/164).

Dijetarët kanë mendime të ndryshme mbi veprat e mira të një jobesimtari (kafir), i cili më pas përqafon islamin, nëse i bëjnë dobi veprat e tij të mëparshme apo jo.

Mbështetja kryesore në këtë rast është ajo që transmeton Hakim ibnu Hizam - Zoti qoftë i kënaqur me të - që thotë: "E pyeta të dërguarin e Allahut: "A do të shpërblehem për veprat e mira të tilla si lëmosha, lirimi i skllevërve dhe respektimi i lidhjeve të gjakut, që veproja para islamit"? Profeti a.s. më tha: "Je bërë mysliman, për shkak të mirave që ke vepruar më parë"", (Buhariu, Fet'hul Bari 3/301).

Thotë El-harbij: "Nga kjo kuptojmë që çdo vepër e mirë që ke vepruar më parë [se të pranosh Islamin] vazhdon të të konsiderohet e tillë [edhe më pas]".

Thotë El-mazirij: "Kuptimi literal i hadithit është që të mirat e vepruara më parë të janë regjistruar, por Ibnu Haxher-i transmeton nga El-mazirij një transmetim tjetër, sipas të cilit: "Veprat e mira të një jobesimtari (qafiri) nuk janë të sakta. Prandaj ai nuk shpërblehet për punët e mira që vepron". Këtë mendim e ka pasur dhe Kadi Ijadi.

Imam Neveviu e sheh si të pasaktë mendimin e atyre që e mohojnë sevapin dhe për këtë thotë: "Mendimi më i saktë në të cilin kanë mbërritur specialistët, madje sipas disave për këtë ekziston dhe konsensus (ixhmai), është se jobesimtari (qafiri) nëse bën një vepër të mirë, si sadakaja apo mbajtja e marrëdhënieve të mira me të afërmit dhe më pas përqafon islamin dhe vdes si mysliman, punët e mira që ka vepruar [para se të bëhej mysliman] i regjistrohen dhe i njihen si të tilla".

Një mendim të tillë e mbron dhe Ibrahim El-harbij, Ibnu Bettal dhe shumë të tjerë nga dijetarët e hershëm, si edhe Kurtubiu, Ibnul Munir etj., nga dijetarët e mëvonshëm, (Fet'hul Bari 1/99).

Ndërsa për sa i përket jobesimtarit që vepron punë të mira dhe vdes si jobesimtar, dijetarët janë njëzëri në pohimin se, ashtu siç shprehet edhe Imam Neveviu, ai nuk shpërblehet në ahiret [botën tjetër]. Fryti i veprave të tij i jepet në formë risku në këtë botë, (Sherhu sahih muslim neveviu 17/150).

Profeti a.s. në një hadith shprehet: "Zoti nuk i bën padrejtësi besimtarit për një të mirë. Ai ia kompenson në këtë botë dhe e shpërblen për të në ahiret. Kurse jobesimtarin e ushqen dhe i jep të mira për ato vepra që ka bërë në dynja, por kur të shkojë në botën tjetër nuk i mbeten vepra të mira për të cilat të shpërblehet", (Muslimi, sherhu nevevi 17/149).


Veprat për të cilat shpërblehet dhe kriteret:

Është diçka e konfirmuar në sheriat që njeriu do të shpërblehet - nga mirësitë e Zotit - për ato vepra të mira, obligime apo vepra të pëlqyeshme qofshin. Ashtu siç do të shpërblehet për largimin nga harami apo veprat e papëlqyeshme. Thotë Zoti i lartësuar "Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë", (Zelzele, 7-8).

Ndërsa Profeti a.s. thotë: "Zoti nuk i bën padrejtësi besimtarit për një të mirë. Ai ia kompenson në këtë botë dhe e shpërblen për të në ahiret".

Por kryerja e obligimeve dhe veprave të pëlqyeshme si dhe largimi nga harami dhe të papëlqyeshmet, nuk është kriter në vetvete për të merituar sevapin. Kjo, edhe pse veprat e mira e çlirojnë njeriun nga përgjegjësia, ashtu siç e çliron largimi nga harami. E gjitha kjo, sepse për të përfituar sevapin për veprat e mira dhe largimin nga harami, kërkohet qëllimi (nijeti), sipas së cilit një vepër e caktuar bëhet vetëm për hatër të Zotit të lartësuar. Gjërat e lejueshme edhe pse nuk kanë nevojë për nijet, nëse kryhen për të fituar sevap, atëherë bëhet e nevojshme pasja e qëllimit, (Dhehira faqe 62-240).

Thotë Imam Shatibiu: "Veprat janë sipas qëllimit (nijetit) dhe synimi merret në konsideratë në kryerjen e riteve dhe të zakoneve. Argumentet lidhur me këtë janë të panumërta".

Thotë Zoti në Kuran: "E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë", (Bejine, 5).

Ndërsa Profeti a.s. shprehet: "Veprat janë sipas qëllimit (nijetit) dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas tij", (Buhariu, fet'hul bari 1/9).

Sipas një maksime ligjore [kavaidu fikhije] "Nuk ka sevap pa nijet".

Ibnu Nuxhejmi shprehet: "Rreth hadithit "Veprat janë sipas qëllimit", dijetarët kanë arritur në përfundimin se shpërblimi për veprat është dy llojesh: I pari, shpërblim që bëhet në botën tjetër, sevap ose ndëshkim. Kurse i dyti ka të bëjë me këtë botë, begati ose fatkeqësi. Për sa i përket shpërblimit të botës tjetër, dijetarët janë njëzëri në pohimin se si sevapi ashtu dhe ndëshkimi nuk fitohen veçse sipas qëllimit (nijet)".

Ibnu Nuxhejmi sjell shembuj të shumtë lidhur me veprimin dhe mos veprimin. Më pas, ai thekson: "Për të fituar sevapin, nuk është kusht saktësia e adhurimit. Njeriu shpërblehet dhe fiton sevapin sipas qëllimit, edhe në rastet kur adhurimi është i pavlefshëm por pa dijeninë e tij, siç nëse falet xhunub, duke menduar se është i pastër", (El-eshbahu, Ibnu Nuxhejm 9/26).

Madje, njeriu mund të shpërblehet edhe për diçka që nuk e ka vepruar. Në këtë rast, ai e fiton shpërblimin nga nijeti i tij. Këtë e vërteton thënia e Profetit a.s.: "Kush merakoset për të vepruar diçka dhe nuk e vepron dot, i regjistrohet si një vepër e mirë", (Buhariu, Fet'hul bari 11/323).

Në një hadith tjetër, Profeti a.s. thotë: "Kush shtrihet për të fjetur me nijetin se do të ngrihet të falë namaz nate, por nuk zgjohet dot deri në mëngjes, [vepra] i regjistrohet sipas nijetit dhe gjumi i konsiderohet si sadaka nga ana e Zotit të lartësuar", (Nesaiu, Ibnu Maxheh, Ibnu Hiban dhe El-hakim).

Ai shpërblehet edhe për veprat të cilat nuk janë në vendin e përshtatshëm.

Tek Buhariu gjejmë hadithin që flet mbi një bamirës, lëmosha e të cilit ra në dorën e një gruaja imorale, një të pasuri dhe një hajduti. Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s. ka thënë: "Një burrë tha: "Sot do të jap sadaka"". Doli dhe shuma që kishte vendosur ta japë, ra në dorën e një hajduti. Njerëzit filluan të flasin: "Si ishte e mundur që t'i japë sadaka një hajduti"?

Ai tha: "O Zot! Ty të përket mirënjohja! Do të jap një sadaka (tjetër)". Ai e dha shumën që kishte vendosur, e cila bie në dorën e një gruaje të pamoralshme. "Njerëzit filluan të flasin, si ishte e mundur që t'i japë sadaka një gruaje të përdalë"?

Ai tha: "O Zot! Ty të përket mirënjohja! Do të jap një sadaka (tjetër)". Ai e dha shumën që kishte vendosur, e cila ra në duart e një të pasuri. Njerëzit filluan të thonë: "Ia dha sadakanë një të pasuri"?!

Ai tha: "O Zot! Ty të përket mirënjohja, për hajdutin, gruan e përdalë dhe për të pasurin".

Dikush i vajti dhe i tha: "Sadakaja që ia dhe një hajduti, mund ta shtyjë të mos vjedhë më. Sadakaja që i dhe gruas së përdalë, mund ta shtyjë drejt moralit. Kurse sadakaja që i dhe të pasurit, mund të bëhet shkak që ai të shpenzojë nga mirësitë që i ka dhënë Zoti".

Në të njëjtën frymë gjendet edhe hadithi i Man ibnu Jezid ibnul Ahnes i cili ia mori një burri shumën e të hollave që babai i tij i kishte dhënë. Profeti a.s. si tha: "O Jezid! Ty të takon shpërblimi për qëllimin (nijetin)...", (Buhariu, fet'hul bari 3/291).

Thotë Ibnu Haxher: "Këto tregojnë se nëse qëllimi i bamirësit është i mirë, i pranohet sadakaja edhe nëse nuk jepet aty ku duhet", (Fet'hul bari, 3/290).

Kjo është në përgjithësi. "Veprat që të afrojnë me Zotin dhe që nuk përmbajnë asnjë dyshim, nuk kanë nevojë për nijet, si besimi në Zotin e lartësuar", (Kavaidul ahkam 1/149).


A shpërblehet njeriu për diçka që nuk e ka vepruar?

Nuk ka dyshim se sevapi lidhet ngushtë me veprat e njeriut. Kurse për sa i përket sevapit për diçka që njeriu nuk e ka vepruar, dijetarët kanë mendime të ndryshme.

Dhurimi i sevapit një tjetri.

Dijetarët hanefi dhe maliki e lejojnë që sevapi i një adhurimi t'i dhurohet një personi tjetër, çfarëdo qoftë ky adhurim, namaz, agjërimi, haxh, sadaka, lexim, të përmendurit e Zotit etj... Këtë mendim, e mbështesin tek argumente si:

Ajeti: "Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: "O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!", (Hashr, 10).

Dhe ajeti: "Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di se si silleni ju dhe ku qëndroni", (Muhamed, 19).

Profeti a.s. flijoi dy desh të majmë, njërin për veten dhe tjetrin për umetin e tij. Transmeton Ebu Hurejre - Zoti qoftë i kënaqur me të - se: "i dërguari i Allahut kur dëshironte të therë kurban, blinte dy desh të mëdhenj, të shëndoshë, me brinja, të tredhur dhe të majmë. Njërin ai e flijonte për umetin e tij të cilët dëshmojnë njësimin e Zotit dhe në përmbushjen e mesazhit të tij. Kurse tjetrin e flijonte për vete dhe familjen e tij", (Ibnu Maxheh - Nejlul eutar, 5/119).

Në një transmetim tjetër të imam Ahmedit thuhet: "I dërguari i Allahut flijonte dy deshë të majmë dhe të tredhur", (Ibnu Maxheh - Nil el-eutar, 5/119).

Transmeton Amr ibnu Shuajb nga babai, i cili e transmeton nga gjyshi se i dërguari i Allahut kur e pyeti Amr ibn Asin rreth babait të tij i tha: "Nëse ai do të kishte qenë mysliman dhe tido të liroje skllevër, do të jepje sadaka dhe do të kryeje haxhin për të, atij do i arrinte ky shpërblim", (Ebu Daud 3/302).

Përsa i përket ajetit: "dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar", (Nexhm, 39).

Kuptimi i tij është: "Nuk i arrin njeriut, veçse ajo për të cilën ka punuar".

Tek malikitë, nuk lejohet dhurimi i veprave të mira, përveç namazit dhe agjërimit.

Tek shafitë nuk lejohet përveç namazit. Kurse për sa i përket agjërimit dhe leximit të Kuranit, ka mendime të ndryshme. Këtë mendim ata e bazojnë tek konsensusi (ixhmai), pasi namazi dhe agjërimi nuk mund të kryhen me zëvendës, nëse njeriu është akoma gjallë. Ky gjykim vlen edhe nëse ai vdes.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme edhe për sa i përket dhurimit të veprave të mira për Profetin a.s.. Disa e kanë lejuar, disa të tjerë jo.

Thotë Ibnu Abdu Selam në disa fetva: "Nuk lejohet që sevapi i leximit t'i dhurohet një të vdekuri, pasi kjo është ndërhyrje në sevap pa lejen e Ligjvënësit"., por Hattabi thotë: "Ndërhyrja e ndaluar është atëherë kur personi shprehet në formën: "Ia kam dhuruar ose ia kam dhënë" Kurse lutjet që Zoti t'ia japë këtë sevap një të vdekuri nuk konsiderohet si ndërhyrje. Ajo është kërkesë që Zoti t'a kalojë sevapin tek një tjetër, gjë për të cilën nuk shoh ndonjë problem", (Ibnu Abidin 2/236).


Rreth leximit të Kuranit për një të vdekur:

Transmeton Ebu Hurejre - Zoti qoftë i kënaqur me të - se i dërguari i Zotit a.s. ka thënë: "Nëse vdes njeriu, i ndërpriten veprat përveç tre: Një sadaka rrjedhëse, një dije e dobishme dhe një fëmijë i ndershëm që lutet për të", (Muslimi).

Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth faktit nëse sevapi i punëve të mira arrin tek i vdekuri apo jo, prej tyre edhe leximi i Kuranit.


Një përmbledhje e mendimeve:


Fakihët [juristët] hanbeli - siç e pohon Ibën Tejmija - mendojnë se i vdekuri përfiton nga të gjithë llojet e adhurimeve fizike si namazi, agjërimi dhe leximi - vullnetarisht dhe jo në këmbim të shpërblimit - ashtu siç përfiton nga adhurimet monetare si sadakaja etj., por, sipas tyre, nuk lejohet të pajtohet një person për leximin e Kuranit dhe dhurimin e këtij leximi për një të vdekur. Kjo, pasi diçka e tillë nuk është shënuar nga dijetarët e mëparshëm. Dijetarët thonë: "Nëse lexuesi e lexon Kuranin për të fituar të holla, ai nuk përfiton sevap nga ky lexim. Nëse është kështu, çfarë do i dhurojë të vdekurit"?

Në librin e tij "Shpirti", Ibën Kajim El-Xheuzije thotë: "Gjëja më e mirë që mund t'i dhurohet një të vdekuri është sadakaja, falja, haxhi dhe lutjet për të. Kurse leximi i Kuranit dhe dhurimi i sevapit, nëse bëhet vullnetarisht dhe jo kundrejt shpërblimit, i arrin të vdekurit, ashtu siç i arrin sevapi i agjërimit dhe haxhit", (Er-ruh, 175).

Në një vend tjetër thotë: "Është më mirë që ta bëjë nijet që këtë lexim e bën për të vdekurin, por nuk kushtëzohet që këtë ta shqiptojë", (Shifaul alil).

Thotë Ibnu Kudame tek El-Mugni (3/425): "Çdo punë që e afron njeriun me Zotin, sevapi i së cilës i dhurohet një të vdekuri mysliman, i bën dobi në dashtë Zoti. Mes dijetarëve nuk ka dyshime se sevapi i lutjes, istigfarit, sadakasë dhe kryerja e obligimeve të cilat e pranojnë zëvëndësimin [e një personi me një tjetër]". Thotë Zoti në Kuran: "Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: "O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!"", (Hashr, 10). Dhe ajeti: "Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di se si silleni ju dhe ku qëndroni", (Muhamed, 19).

Lutja (dua) është përgjërim dhe kthim nga Zoti i lartësuar, ashtu siç është dhe kërkesë për të realizuar diçka të pëlqyeshme nga ana e lutësit. E para është specifike për lutësin, kurse e dyta ka të bëjë me personin për të cilin bëhet lutja - p.sh.: O Zot fale dhe mëshiroje. Këtu lutësi kërkon nga Zoti mëshirë dhe falje për personin për të cilin lutet. Transmeton Ibnu Daudi - Zoti qoftë i kënaqur me të - se i dërguari i Zotit a.s. ka thënë: "Nëse falni xhenazen e një të vdekuri, jini të sinqertë në lutjet që bëni për të"! Ashtu siç e ka bërë ligj namazin e xhenazes, Zoti e ka bërë ligj edhe lutjen për të vdekurit, kur vizitojmë varrezat. Ai ua mësonte shokëve të tij lutjen përkatëse kur shkonin për të vizituar varrezat dhe kërkonte prej tyre që të kërkojnë falje për të vdekurit. Në librin e Ibnul Kajjim "Zadul Mead" (1/199) theksohet se i dërguari i Zotit a.s., kur vizitonte varret e shokëve të tij, e bënte këtë me qëllim që të lutej për ta, të kërkojë falje dhe mëshirë. Ai i urdhëronte shoqëruesit që t'u japin selam të vdekurve dhe të luten për ta. Herë pas herë, Profeti a.s. i vizitonte varret e shokëve të tij, i përshëndeste me selam dhe lutej për ta, ashtu siç vizitonte të gjallët në shtëpitë e tyre. Tek "Sherhul minhaxh" theksohet se lutja për të vdekurin i bën dobi të vdekurit ashtu si të gjallit, të afërmit dhe të largëtit, me porosi apo jo. Për këtë flasin shumë hadithe. (Nejlul Eutar 2/92) Imam Neveviu në shpjegimin e Sahih muslim, transmeton se dobitë e lutjes i arrijnë të vdekurit dhe se kjo çështje është me konsensusin(ixhmain) e të gjithë dijetarëve. Transmeton Aishja - Zoti qoftë i kënaqur me të - se një burrë i tha Profetit a.s..: "Nëna ime vdiq befas. Nëse do të fliste, do urdhëronte që të jap sadaka për të. Nëse jap sadaka për shpirt të saj, a përfiton ajo nga kjo"?

Profeti a.s. iu përgjigj: "Po".

Transmeton Ibnu Abasi - Zoti qoftë i kënaqur me të - se një burrë i tha Profetit a.s.: "O i dërgar i Allahut! Nëna ime ka vdekur dhe dua të di nëse i bën dobi po të jap sadaka për shpirtin e saj"!

Profeti a.s. iu përgjigj: "Po".

Burri i tha: "Unë kam një ngastër. Ji dëshmitar se e kam dhënë sadaka për shpirt të saj", (Buhari, Tirmidhiu dhe Ebu Davudi). Tek "Bedaiu ve Sanaiu" i Kasani El-hanefi thuhet se Sad ibnu Ebi Vekas e pyeti të dërguarin e Zotit a.s.: "O i dërguar i Allahut! Nënës time i pëlqente të jepte sadaka. A më lejohet që të jap unë për shpirt të saj"? Profeti a.s. ia ktheu: "Po, jep". Ky person kërkonte sqarim nëse sevapi i sadakasë i arrinte nënës së tij apo jo.

Nga të gjithë këto hadithe, kuptojmë se sadakaja e dhënë nga fëmija për shpirt të prindërit, u bën atyre dobi pas vdekjes. Edhe pse nuk i kanë porositur dhe nuk ua kanë lënë amanet. sevapi i punëve të mira, u arrin atyre.

Imam Neveviu thotë - tek Sherhu Sahih muslim - se dijetarët janë të një mendjeje lidhur me faktin se i vdekuri përfiton nga sadakaja e dhënë për shpirt të tij dhe se sevapi i mbërrin atij edhe pse mund të jetë nga një person që nuk është fëmija i tij. (Nejlul Eutar 4/93) Ibnu Kudame e argumenton mbërritjen e sevapit të leximit të Kuranit tek i vdekuri, me hadithin që transmetohet nga i dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. cili ka thënë: "Kush hyn në varreza dhe lexon suren Jasin, për atë ditë u lehtësohet (dënimi) dhe vetë personi fiton të mira aq sa është numri i të vdekurve". Në një hadith tjetër, Profeti a.s. thotë: "Kush viziton varret e prindërve dhe lexon tek varret e tyre suren Jasin, i falen gjynahet". Në një thënie të imam Ahmedit mbi atë që bëhet gjatë kohës kur dikush po jep shpirt thuhet: "Personit që është duke vdekur i lexohet surja Jasin me qëllim që t'i lehtësohet. Ashtu siç i lexohet edhe Fatihaja", (El-mugni 2/305). Transmeton Makil ibnu Jesar - Zoti qoftë i kënaqur me të - se i dërguari i Zotit a.s. ka thënë: "Lexojuani të vdekurve tuaj suren Jasin!", (Ahmed, Ebu Daud, Ibnu Maxheh).

Imam Ahmedi transmeton se Profeti a.s. ka thënë: "Jasin është zemra e Kuranit. Nuk ka burrë që e lexon duke shpresuar kënaqësinë e Zotit dhe botën tjetër, veçse do i falen gjynahet. Prandaj lexojeni për të vdekurit tuaj"!, (Ahmed, Nejlul Eutar 4/22). Në librin Nejlul eutar të Imam Sheukanit dhe ajo që njihet tek medhhebi shafi dhe një sërë nga shokët e tij, është se të vdekurit nuk i arrin sevapi i adhurimeve fizike ku hyn dhe leximi i Kuranit. Por kjo vlen vetëm nëse leximi i Kuranit bëhet jo në prezencë të vdekurit dhe nuk bëhet me nijetin që sevapi t'i dhurohet atij. Por nëse leximi i Kuranit bëhet me qëllim që t'i dhurohet të vdekurit, atij i arrin sevapi i leximit të Kuranit, edhe pse nuk është prezent. Pasazhe nga Sherhul Minhaxh e vërtetojnë këtë që thamë. (Nejlul Eutar Sheukani 4/92-93) Në librin e tij "El-mexhmu", të Neveviut thuhet: "Leximi i Kuranit në varreza është i pëlqyeshëm. Lexuesi përfiton sevapin e leximit, kurse për të vdekurin ai uron dhe shpreson falje, mëshirë dhe bereqet. Lutjet që bëhen pas leximit të Kuranit, janë më të destinuara të pranohen. Këto lutje i bëjnë dobi të vdekurit", (1/311) Kurse tek "Idhkar", (Nejlul eutar 4/92). Neveviu transmeton se një grup nga bashkëkohësit e imam Shafiut mendojnë se të vdekurit i arrin sevapi i leximit të Kuranit. Këtë mendim e ka edhe imam Ahmed ibnu Hanbel dhe disa dijetarë të tjerë.

Në medhhebin maliki, mendimet janë të ndryshme rreth leximit të Kuranit për të vdekurit. Në origjinë, ky medhheb e sheh si diçka të papëlqyeshme këtë vepër. Kurse disa dijetarë të mëvonshëm, e lejojnë dhe mendojnë se sevapi i arrin të vdekurit. Ibnu Ferhuni konfirmon se ky mendim është mbizotërues. Ibnu Rushd shprehet: "Shkaku i kundërshtive lidhur me këtë çështje është nëse leximi i Kuranit nuk bëhet i shoqëruar me lutje, ku lexuesi të thotë: "O Zot dhuroja sevapin e Kuranit që do ti lexoj filanit""!

"Kurse fakihët hanefi kanë arritur në përfundimin se kushdo që kryen një adhurim, namaz qoftë, agjërim, sadaka, lexim Kurani apo çfarëdo tjetër nga veprat e mira, ka të drejtë që sevapin t'ia dhurojë një tjetri i gjallë qoftë apo i vdekur dhe sevapi do i arrijë, nëse kjo vepër kryhet vullnetarisht dhe jo kundrejt shpërblimit material", (El-fetava el-islamije 4/1513).

Autori i "El-fet'h" e argumenton këtë qëndrim me hadithin: "Lexojani të vdekurve tuaj suren Jasin!", (Ebu Daudi) dhe hadithin ku një burrë vajti tek Profeti a.s. të cilit i tha: "Kam pasur dy prindër të cilët i kam respektuar sa ishin gjallë. Si mund t'i respektoj edhe tani pas vdekjes së tyre"? Profeti a.s. i tha: "Pas vdekjes, mund t'i respektosh duke u falur për ta kur falesh dhe duke agjëruar për ta kur të agjërosh", (Darukutni).


Përmbledhje:

Sipas medhhebit hanefi dhe hanbeli, të vdekurit i arrin sevapi i të gjithë adhurimeve dhe veprave që e afrojnë njeriun me Zotin, prej të cilave është dhe leximi i Kuranit dhe se i vdekuri përfiton nga ky sevap nëse i dhurohet.Sipas medhhebit shafi dhe ajo që dihet nga medhhebi maliki në origjinë, të vdekurit i arrin sevapi i veprave që e afrojnë njeriun me Zotin, përveç adhurimeve fizike, ku hyn dhe leximi i Kuranit. Kurse mendimi i dijetarëve të mëvonshëm të medhhebit maliki dhe shafi është se të vdekurit i arrin sevapi, siç e përmendëm dhe më lart.

Pajtimi i një personi për leximin e Kuranit për një të vdekur:

Thotë Ibnul Kajjim dhe Ibnu Tejmije: "Nuk është e drejtë të pajtohet një njeri për leximin e Kuranit dhe më pas dhurimin e sevapit një të vdekuri. Kjo, për shkak se diçka e tillë nuk është transmetuar se lejohet nga dijetarët e parë", (El-ruhu 175). Dijetarët thonë se nëse lexuesi e lexon Kuranin për shpërblimin monetar, nuk meriton sevap. Atëherë çfarë do i dhurojë të vdekurit?" Dijetarët e medhhebit hanefi nuk e lejojnë pajtimin e dikujt për të dhënë mësim për leximin e Kuranit. Dijetarët e mëvonshëm kanë përjashtuar pajtimin e dikujt për të dhënë mësim në raste të domosdoshme. Kurse marrja e shpërblimit thjesht për lexim Kurani, nuk lejohet. Ata thonë se: "Leximi i Kuranit vullnetarisht dhe pa shpërblim, është i lejuar, qoftë nga djali i të vdekurit apo nga dikush tjetër, qoftë nga një i afërt i të vdekurit apo një i largët. Kurse pajtimi i një personi për të lexuar, nuk lejohet". Ibnu Ferhuni, nga dijetarët maliki, e lejon marrjen e shpërblimit për leximin e Kuranit. Kjo sipas mendimit dominues tek malikitë, sipas të cilit, të vdekurit apo kujtdo tjetër, i arrin sevapi i leximit të Kuranit.


Atëherë:

Lejohet leximi i Kuranit për një të vdekur pranë varrit ose larg tij, nga fëmija i të vdekurit apo nga dikush tjetër, vullnetarisht apo kundrejt pagesës. Sevapi i kësaj vepre i arrin të vdekurit, sidomos nëse lexuesi lutet para leximit: "O Zot dhuroja sevapin e asaj që do të lexoj filanit"! Pasi ta lexojë Kuranin, ajo zë vendin e lutjeve dhe për këtë, i vdekuri përfiton nga sevapi pa asnjë kundërshtim. Lexuesit i takon sevapi i leximit pa e pakësuar aspak sevapin e të vdekurit.

Kurse për sa i përket shpërblimit dhe pagesës që i jepet lexuesit për mundin (sipas medhhebit maliki) e pakët qoftë apo e shumtë, këtë çështje ia lë në dorë Zoti të lartësuar.



Përgjigjet: Ali Xhadul Hak

, ish shehjul Ezher.

_________________________

[1] - (Bekare, 103).
[2] - Përkufizimet e Xhorxhanit (El-fevakih Ed-devanij 1-32).
[3] - (Përkufizimet e Xhurxhanit).
[4] - (Lisanul arab).
[5] - (Fet'hul bari 2/229).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...