Tradita e kremtimit të Ramazanit te shqiptarët



Ramazani zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e besimtarëve myslimanë anembanë botës islame. Ata gjatë këtij muaji ushtrojnë njërin prej adhurimeve bazë të fesë islame, të cilin, njerëzimi mbarë, në një formë a në një tjetër, e ka praktikuar që nga njeriu i parë, Ademi a.s..

Ky muaj ka zënë një vend të posaçëm edhe në faqet e historisë islame. Krahas detyrës së agjërimit, e cila është e domosdoshme për çdo mysliman që i plotëson konditat e përcaktuara nga feja, në këtë muaj filloi zbritja e Kur'anit në "natën e cila është më e vlefshme se njëmijë muaj", Muhamedit a.s., në këtë muaj ndodhi beteja e Bedrit. Në këtë muaj ka ndodhur Çlirimi i Mekës dhe pastrimi i Qabes prej idhujve të politeistëve.

Myslimanët kudo në botë kanë një respekt të veçantë për këtë muaji të madhërishëm. Edhe shqiptarët e besimit islam, kudo që ndodhen, në Shqipëri apo në trojet e veta në Kosovë, në Maqedoni e diasporë, e ruajnë këtë respekt të trashëguar ndër shekuj e breza, pavarësisht se ky respekt dhe kjo dashuri ndaj këtij muaji të begatë u përjetuan në fshehtësi si pasojë e ndalimit arbitrar të fesë nga regjimi komunist.

Me fillimin e proceseve demokratike ndryshoi edhe gjendja e fesë dhe njerëzit me të drejtë kërkuan të përsërisin traditat e mira përgjatë këtij muaji të bekuar.

Është traditë e trashëguar mbarëkombëtare e popullsisë myslimane qe me afrimin e Ramazanit të fillojë përgatitjet e nevojshme për ta pritur atë ashtu siç e meriton. Kremtimi i fillimit të ramazanit te ne ka qenë zakon që sinjalizohej nga netët e mira. Fëmijët që porsa kishin mbushur moshën, provonin vetveten, duke u përgatitur shpirtërisht e fizikisht për t'i agjëruar ato dhe në vazhdim muajin e ramazanit.

Ishte zakon që në këto net të mira xhamitë të mbusheshin me xhema'at, i cili dëgjonte me vëmendje predikimet e rastit nga vaizë të njohur të qytetit. Ndërsa gjatë ramazanit shembullin e preokupimit më të madh e tregonte myftinia e rrethit, e cila bënte përgatitjet për ta pritur e përjetuar sa më mirë këtë muaj.

Këto përgatitje fillonin që me pastrimin rrënjësor që u bëhej xhamive, me caktimin e hafizëve që do të këndonin mukabele nëpër xhami, si dhe caktimin e teologëve e hoxhallarëve më të njohur të qytetit për të mbajtur predikime në xhamitë kryesore. Në Tiranë, zakonisht, kjo detyrë u ngarkohej profesorëve e myderrizëve të Medresesë së Përgjithshme.

Edhe sot, kushdo që ka interes për predikimet më të mira të mbajtura gjatë ramazanit të viteve '30-'40, mund t'i gjejë të botuara në shtypin islam të kohës, në revistat "Zani i Naltë" dhe më vonë në "Kultura Islame", që nxirrnin numra të posaçëm që i kushtoheshin kryesisht këtij muaji.

Në rastet kur mungonin imamë nëpër fshatra për të falur teravitë, kërkohej ndihmë nga Medreseja për të caktuar nga nxënësit më të mirë të saj për të kryer detyrën e imamit, si dhe të predikuesit, të cilët mbaheshin e shpërbleheshin nga populli.

Myftinia e çdo prefekture porosiste fishekzjarrët apo topat e ramazanit, që lajmëronin hyrjen e kohës së iftarit dhe dikur edhe syfyrit, përgatiteshin në formë kalendari xhepi njoftimet për kohën e iftarit e të syfyrit, ndërsa këshillat e xhamive caktonin lodraxhinjtë që do t'i lajmëronin këto vakte, të cilët ndaheshin nëpër lagje e rrugë duke u rënë lodrave për të njoftuar kohën e iftarit apo të syfyrit.

Në vendin tonë ka pasur shumë prona të lëna vakëf. Bamirësit që i dhuruan këto prona, kishin shfaqur dëshirën që në raste festash fetare, nëpërmjet myftinisë që i administronte këto prona, të ushqeheshin e të ndihmoheshin materialisht një numër i caktuar familjesh të varfra. Prandaj myftinia bënte njëlloj regjistrimi nëpërmjet komisioneve të xhamive për t'i ndihmuar ata sipas përbërjes familjare. Në të njëjtën kohë myftinia përcaktonte sadakanë e fitrit, e shpallej zyrtarisht nëpërmjet afisheve të vendosura nëpër xhami pas Natës së Kadrit, në prag të Bajramit.

Për ata besimtarë të pasur, të cilët dëshironin të pastronin pasurinë e tyre nëpërmjet zekatit, teologët jepnin shpjegime se sa u takonte të jepnin, kur dhe kujt duhet t'ia jepnin. Shumë prej besimtarëve zgjidhnin këtë muaj për ta kryer këtë adhurim.

Trevat shqiptare janë të njohura për tolerancën e tyre fetare. Besimtarët e feve të ndryshme, tradicionalisht, kanë festuar e respektuar festat e njëri-tjetrit. Kështu ndodhte edhe gjatë muajit të ramazanit.

Është një traditë e njohur ajo që pasuesit e feve të tjera tregonin respekt për ardhjen e ramazanit, për të nderuar së bashku vëllezërit e tyre myslimanë. Mund të përmendim se gjatë 30 ditëve të këtij muaji, bashkëqytetarët e krishterë nuk hanin e nuk pinin në prani të myslimanëve, dhe kjo në shenjë respekti e nderimi ndaj vëllezërve të tyre.

Siç ka qenë traditë në ato kohë, tregtarëve, për shembull, dreka u dërgohej në dyqan. Mirëpo në ramazan ndryshonte puna. Meqë agjëronin, në kohën e drekës pushonin dhe, për hatër e respekt të tyre, tregtarët e krishterë gjatë kësaj kohe nuk e mbanin hapur dyqanin, ose nuk hanin drekë para tyre. Ata pranonin me kënaqësi të shkonin e të hanin iftarin me vëllezërit e tyre myslimanë.

Në kohën e iftarit krijohej një atmosferë e veçantë. I gjithë tregu binte në qetësi të plotë dhe njerëzit që punonin nëpër dyqane, me një sofër të vogël të shtruar me gjithçka të nevojshme për menynë e iftarit, e cila ishte shumë e pasur gjatë gjithë këtij muaji, prisnin ata që vinin e i nderonin për të bërë iftar, si dhe rënien e "topit të iftarit" apo thirrjen e ezanit të akshamit.

Kur thirrej ezani, fillonte të ngrënët me gëzim e shend, për arsye se Zoti ua bëri mbarë që të fitonin edhe një ditë agjërim. Ka qenë zakon që para ose pas faljes së ylesë apo ikindisë të predikohej nga hoxhallarët më të shquar të kohës. Njerëzit e dinin më parë se kush do të ligjëronte dhe temën që do të trajtohej. Xhamitë mbusheshin plot dhe interesi i xhematit ishte i jashtëzakonshëm, si për bisedat, ashtu edhe për mukabelen (këndimin e Kur'anit) që bënin hafizët.

Në ditë dhe në kohë të caktuara, në xhami zhvilloheshin biseda edhe për gratë. Edhe ato tregonin një interes i jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen e tyre. Për të varfrit e qytetit ramazani ishte një muaj plot begati. Ata që kishin mundësi mbanin gjithmonë nëpër xhepa pare të vogla dhe i jepnin kujtdo që u drejtohej për ndihmë, duke garuar me njëri-tjetrin se kush e kush të jepte më shumë.

Gjatë këtij muaji besimtarët i linin mënjanë punët e kësaj bote dhe përpiqeshin të bënin sa më shumë punë të hajrit, për të fituar dashurinë dhe kënaqësinë e të madhit Zot. Njerëzit jetonin në një atmosferë fetare të mrekullueshme. Morali fetar mbizotëronte në jetën e përditshme, njerëzit silleshin gjithmonë me edukatë dhe të përmbajtur; bisedat bëheshin të ëmbla, me zë të ulët e duke treguar respekt të ndërsjellë.

Ata mendonin vazhdimisht për anën shpirtërore. Përdoreshin në masë erërat e këndshme, sidomos nëpër xhami. Thënë shkurt, gjatë ramazanit, çdo besimtar sillej në mjedisin e qytetit sikur të ishte në ndonjë vend të shenjtë. Jo vetëm që përpiqej të shmangte rënien në mëkat, por ishte i dhënë për të bërë sa më shumë bamirësi, me qëllim fitimin e sa më shumë sevapeve.

Në fakt, të gjitha veprimtaritë festive zhvilloheshin pas iftarit. Kjo kohë karakterizohej nga një veprimtari dhe gjallëri rrugëve të qytetit. Të rriturit shkonin për teravi, madje kishte prej tyre që shkonin në xhami për të këmbyer ndonjë bisedë me shokët apo me imamin. Kurse fëmijët shoqëronin prindërit në xhami, herë faleshin e herë zhvillonin ndonjë lojë pas së cilës shpeshherë harroheshin deri afër syfyrit.

Në Tiranë ka qenë zakon që pas terapive, familjet kryenin vizita të ndërsjella, ku fëmijët luanin lojëra të ndryshme, ndërsa prindërit, zakonisht nënat, bisedonin për çështje të ndryshme fetare. Gjatë ramazanit, sidomos kur ai binte në stinën e verës, nuk mungonin edhe organizimet e mbrëmjeve kolektive, veçanërisht në familjet me origjinë nga Dibra, në të cilat pjesëmarrësit e shumtë, pavarësisht nga prejardhja e tyre, argëtoheshin deri afër syfyrit.

Muaji i ramazanit përjetohej nga çdo familje shqiptare dhe trajtimi i tij si periudhë e bekuar, në të cilën duhej shprehur një përkushtim e devotshmëri më e madhe nga ajo e zakonshmja, ishte diçka e zakonshme dhe e njohur. Ceremonitë që zhvilloheshin me rastin e këtij muaji arrinin kulmin në Natën e Kadrit, e cila ishte sintezë e përmbledhjes së gjithçkaje që i kushtohej Ramazanit.

Menjëherë pas Natës së Kadrit fillonin përgatitjet për festimin e Fitër Bajramit. Edhe me këtë rast njerëzit e ndienin për detyrë që, përveç sadakasë së fitrit, të dhuronin sipas mundësive të tyre. Bujaria e besimtarëve ndaj nevojtarëve dukej sheshit. Të krijohej përshtypja se ekzistonte njëlloj gare kush të jepte e të kënaqte sa më shumë fukarenj. Mbizotëronte motoja: "Atij që jep, i shtohet pasuria", pra sa më shumë lëmoshë të ndash, aq më shumë ta shton e ta shpërblen Perëndia. Tregu kthehej në një lloj panairi ku shit-blerjet ishin të shumta me rastin e afrimit të ditës së Bajramit të Madh.

Çdo njeri blinte diçka të re, veçanërisht veshje, për t'u bërë qejfin fëmijëve, të afërmve të varfër dhe pse jo edhe fqinjëve. Gjatë tri ditëve të kësaj feste, tregjet, dyqanet, rrugët e rrugicat gumëzhinin nga njerëzit. Ditën e parë bëhej falja e namazit të Fitër Bajramit. Xhamitë mbusheshin me xhemat, ku, siç i thonë fjalës, nuk kishte vend për të hedhur kokrrën e mollës.

Pas faljes së bajramit, duke filluar që në xhami, besimtarët uronin me përzemërsi njëri-tjetrin për këtë festë të shënuar, falënderonin Zotin që ia arritën ta realizojnë agjërimin e ramazanit dhe luteshin që t'i gjente gjallë e shëndoshë edhe vitin e ardhshëm.

Pastaj urimet shtriheshin në familje. Pasi bënin Bajram me familjarët, zhvilloheshin vizita ngushëllimi në familjen e ndonjë të afërmi, fqinji, miku apo shoku që i kishte ndodhur fatkeqësi, për të vazhduar me vizita urimi te kushërinjtë, miqtë, shokët, etj..

Nëpër shtëpi bëheshin gatime të veçanta, vizitorët qeraseshin me ëmbëlsira të përgatitura enkas për këtë festë, ndërsa fëmijët kënaqeshin duke luajtur apo duke bërë sehir te lodrat, siç ishin: 'karrocat, dollapët, etj.'.

Në përgjithësi këto veprimtari shoqëronin kremtimin e muajit të ramazanit në Shqipëri. Këtu morëm si shembull Tiranën e viteve '30-'40, sepse ajo jo vetëm që ishte qendra e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që me themelimin e tij më 1923, por edhe sepse pikërisht në Tiranë ishin grumbulluar shqiptarë të ardhur nga çdo anë e vendit.

Pavarësisht nga sa u përmend, kjo temë është e një rëndësie të veçantë, sepse përfaqëson kulturën tradicionale të popullsisë myslimane shqiptare dhe, si e tillë, duhet studiuar e analizuar në të gjitha drejtimet, për t'u shtrirë edhe në trevat tjera, me qëllim ripërtëritjen e gjithçkaje të vlefshme në trashëgiminë kulturore të kremtimit të festave fetare të kombit tonë. [1]



Autor: Ali M. BASHA



_________________________

[1] - Botuar për herë të parë në gazetën "Drita Islame", nëntor 2001, f. 14.
.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...