Agjërimi dhe Namazi për Gratë e pambuluara



Pyetje:

A pranohet agjërimi dhe namazi i gruas që është e pambuluar?


Përgjigje:

Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, dhe pastaj:

Natyrisht se pranohet, në Islam çdo gjë ka llogarinë e tij, sipas fjalëve të Lartëmadhërishmit: "Ai që ka punuar ndonjë të mirë, qoftë ajo e vogël madje sa thërmia, do ta shohin atë, kurse ai që ka punuar të keqe, qoftë madje sa thërmia - do ta shohin atë", [ez-Zelzele, 7-8].

Por unë dua të them: Sa u përket vajzave dhe motrave tona, se nuk është e lehtë që njeriu ta jetojë jetën e tij duke kryer diçka që e ka ndaluar nga Allahu, do të thotë, nëse zbulimi i kokës, i krahëve dhe pjesëve tjera të trupit është haram, atëherë muslimanja që e bën këtë mëkat dhe jeton kështu, do të thotë, ajo jeton gjithë jetën e saj duke e kryer këtë haram në vazhdimësi, dhe kjo është një fatkeqësi e madhe, sepse harami është kur njeriu e kryen njëherë dhe pastaj e lënë, mirëpo, nëse ai gjithmonë dhe vazhdimisht bën haram, dhe e jeton jetën e tij duke bërë haram, kjo nuk lejohet, sepse vazhdimësia në mëkate të vogla i bën ato mëkate të mëdha, ndërsa vazhdimësia në mëkate të mëdha i bën ato edhe më të mëdha.

Për këtë arsye, unë i këshilloj muslimanet e pambuluara që të mbulohen, në vend se të jetojnë gjatë gjithë jetës së tyre duke kryer haram.

Kjo nga njëra anë, kurse nga ana tjetër, ajo e shkakton edhe një haram tjetër, sepse i ekspozon edhe të tjerët për të bërë haram.

Do të thotë, unë tash po mbaj mësim apo ligjëratë, dhe para meje janë disa vajza të mbuluara dhe disa të pambuluara, dhe shikimi im në vajzën e pambuluar - në flokët e saj është haram - edhe ajo merr pjesë në kryerjen e këtij harami.

Pra, nuk është e logjikshme që unë ta mbuloj shikimin tim prej tyre, apo që tu flas atyre nga një dhomë tjetër, siç mund të gjeni shembull në disa vende ku profesori a pedagogu ligjëron në një dhomë, ndërsa studentet e përcjellin nga një dhomë tjetër. Ky është proces i çuditshëm, sepse ku po mbetet ndërveprimi midis studentëve dhe ligjëruesit?! Ndërveprimi duhet të ekzistojë.

Muslimanja e cila shkon e pambuluar hyn në haram edhe për secilin që e shikon atë, sepse ajo e implikon në kryerjen e haramit kur ai shikon në trupin e saj të zbuluar.



Autor: Jusuf EL-KARDAVI
Nga gjuha arabe: Miftar AJDINI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...