Senedi (Origjina-Zingjiri) i shkollës Hanefite



Muhamedi a.s.

Muhamedi a.s. ishte pejgamberi i fundit, i zgjedhuri nga mesi i të zgjedhurve. Njeriu që edukoi një popull injorant, shoi veset e liga dhe përmirësoi sjelljet vulgare të atij populli. Atë e ndiqnin dhe e pasonin në çdo hap shokët e tij.


Abdullah ibën Mesudi

Nxënës i Pejgamberit dhe nga të zgjedhurit e shokëve të tij, padyshim, për të cilin i Dërguari tha: "Ti je një fëmijë i mençur". Ai ishte "Njeriu më i afërt me Pejgamberin për nga udhëzimi dhe vlerat morale". Ai u edukua në shkollën profetike, ndaj ishte njëri nga njohësit më të mëdhenj të Kur'anit, më i dituri për kuptimet e tij dhe më i njohuri për ligjin e Zotit.

Imam Aliu kur qe pyetur për Abdullah ibën Mes'udin, u përgjigj: "Njohësi i Kur'anit dhe sunetit". Ishte prej të përgëzuarve me xhenet. U dërgua në Kufë të Irakut si mësues, e numri i atyre që prezantonin në tubimet e tij të dijes ka qenë jashtëzakonisht i madh, mbi 4000 nxënës. Ishte njëri ndër fekihët më të mëdhenj nga sahabët.


Alkame

Alkameh ishte nxënësi i Abdullah ibën Mesudit dhe njëri ndër fekihët më të mëdhenj, atë e pyesnin njerëzit ndonëse në prezencë të tij kishte edhe sahabë. Abdullah ibën Mesudi për Alkamen ishte shprehur: "Nuk di ndonjë gjë, e që të mos ketë njohuri Alkamja". Transmeton Xheriri nga Kabusi, i cili thotë: "E pyeta babain tim: "Si po shkon te Alkamja e po i lë anash shokët e të Dërguarit të Allahut"?! Ai më tha: "O djali im, edhe shokët e të Dërguarit të Allahut e pyetnin atë, e ai kishte udhëtuar (në Sham) tek Ebu Derdaja, tek Omeri, Zejdi, tek Aisheja (në Medine), e kështu ai mblodhi dijen nga vendet e ndryshme"".


Ibrahim Nehaiu

Nehaiu ishte nxënësi i Alkames dhe padyshim ishte personalitet i rrallë dhe ndër fekihët më shquar nga bota islame. Mugire ishte shprehur: "E prisnim Ibrahimin sikur pritja e sunduesit (me frikë e respekt)". Kur Seid ibën Xhubejrin e pyesin banorët e Irakut rreth fesë, ai u drejtohej atyre: "Po më pyesni mua e në mesin tuaj është Ibrahim Nehaiu".

Imami i madh Shabiu ishte shprehur: "Ai nuk la pas vete dikë më të dijshëm se ai". Dikush i tha: "As Hasen el-Basriu dhe Ibën Sirini"? Ai tha: "Po (as ata)". As nga banorët e Basrës, e as nga Kufja, e as nga Hixhazi. E sipas një transmetimi tjetër: "E as nga banorët e Shamit".


Hamadi

Hamadi, nxënësi dhe fekihu më i dalluar i Nehaiut, llogaritet njëri ndër dijetarët më eminentë dhe më të mençur, i cili ka transmetuar shumë nga Enes ibn Maliku, Seid ibn el-Musejjeb, Hasen el-Basriu dhe nga shumë të tjerë. Mësimet në lëmin e Fikhut i mori nga Ibrahim Nehaiu, ku tek ai ishte më i zgjedhuri i nxënësve të tij, më i dituri, më i mençuri dhe më largpamësi.


Ebu Hanife

Ebu Hanife është Ebu Hanife dhe njerëzimi nuk pati fekih sikurse ai. "Ai është imami, fekihu-juristi i miletit, dijetari i Irakut ...", (imam Dhehebiu). "Njerëzit ishin të fjetur ndaj Fikhut-jurisprudencës, gjersa i zgjoi ata Ebu Hanife me sqarimet e tij ...", (Ibën Shumejl).

Kolosi i madh Ahmed ibën Haxher el-Mekij, i cili është nga shkolla juridike shafite, për Ebu Hanifen, mes tjerash ka thënë edhe këto fjalë: "Ebu Hanife është begati e Allahut (ni'metullah) ndaj krijesave të Tij (ala halkihi)".

Ai vjen nga një lozë fekihësh që rrënjët dosido takohen me Pejgamberin e Allahut, sepse ai pati mësues fekihun Hamad, e Hamadi pati Ibrahim Nehaiun, e Nehaiu Alkamen, përderisa Alkamja pati Abdullah ibën Mesudin, e Abdullah ibën Mesudi fenë e mësoi nga i Dërguari i Allahut. Ky njëherit është senedi (lidhshmëria-origjina) i medhhebit hanefij. E, pas gjithë kësaj a kanë vend akuzat dhe poshtërsitë e disave ndaj medhhebit hanefij?



Autor: Ejup HAZIRI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...