Mbi Natën e Kadrit



Emërimi i Natës së Kadrit:

Ekzistojnë disa mendime për emërimin e kësaj nate me këtë emër tek dijetarët islam:

- Ka thënë Muxhahidi: 'Nata e Kadrit është nata e vendimit të përcakaktuar (hukmit-vendimit përplot urtësi)'. Kështu mendon edhe Ibn Kutejbe dhe dijetarë të tjerë. Është emëruar kështu për shkak se në të përcaktohet dhe ndahet çdo gjë për vitin që vie pas saj. Pra, në këtë natë vendosen dhe ndahen urdhërat dhe caktimet për vitin e ardhshëm, siç thotë Allahu: 'Vërtet, Ne e kemi zbritur atë (Kur'anin) në një natë të begatshme. Në të ndahet çdo çështje me urtësi (në mënyrë të prerë)', (Duhan: 3-4).

Kjo ka kuptimin se është quajtur Nata e Kadrit ngase në të përcaktohet çdo gjë në mënyrën më precize, në kohën, masën, vendin, personin dhe formën e duhur dhe më të mirë.

- Dijetarë tjerë mendojnë se është emëruar kështu për shkak të vlerës, nderit, çmueshmërisë dhe pozitës së saj. Siç thuhet tek arabët: 'Filani ka kadr (emër, famë, pozitë, nderë dhe vlerë)'.

Pra, është emëruar kështu për shkak të rëndësisë dhe veçimit të saj prej netëve tjera. Është natë që nderohet dhe çmohet. Ndërsa, argument i këtij mendimi është fjala e Allahut: 'Ata (jobesimtarët) nuk e njohen (vlerësuan-çmuan) Allahun ashtu siç i takon ...', (El-En'am: 91, Ez-Zumer: 67). I këtij mendimi është Zehriu dhe të tjerë.

- Sipas disa dijetarëve të tjerë kjo natë është emëruar kështu për shkak se adhurimet, namazi, leximi i Kur'ani, të përmendurit e Allahut dhe lutjet që bëhen në të kanë vlerë dhe shpërblime të mëdha. Çmohet, vlerësohet dhe shperblehet çdo vepër e mirë e robërve në këtë natë nga Allahu i Mëshirshëm.

- Grup tjetër i dijetarëve mendojnë se është quajtur kështu për shkak të ngushtimit dhe rëndimit të tokës nga zbritja dhe prezenca e madhe e melaikeve në këtë natë. Siç thotë Allahu i lartësuar: 'Me lejen e Zotit të tyre në të (Natën e Kadrit) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje', (el-Kadr: 4).

Kurse, agrument se fjala 'kadr' ka kuptimin e ngushtimit, rëndimit dhe vështirësisë është ajeti kuranor, ku Allahu i Lartësuar thotë: '... e ai që është ngusht nga pasuria ...', (Talak: 7).

- Dijetarë tjerë mendojnë se është quajtur kështu ngase çdo person që e gjallëron këtë natë me namaz dhe adhurime tjera, dhe nuk ka patur më herët emër, famë apo nder e vlerë, i garantohet që do ti ketë të gjitha këto. Është natë që njeriun e bënë të ndershëm, të çmueshëm, të respektuar dhe të vlefshëm.

- Disa dijetarë tjerë mendojnë se kjo natë është quajtur kështu për arsye se në të kanë ndodhur dhe ndodhin shumë çështje me kadr - rëndësi e vlerë të madhe: është zbritur Kurani, Libri i vlefshëm dhe i çmuar (Libri me kadr), si dhe në të zbret mëshirë e madhe (me kadr) dhe zbresin melaike të ndreshme, të mëdha, të rëndësishme dhe me pozita të larta (me kadr) tek Allahu i Lartësuar.

Të gjitha këto mendime rreth emërimit të kësaj nate madhështore tregojnë për vlerën, rëndësinë dhe karakteristikat e larta të saj. Çdo mendim rreth emërimit të Natës së Kadrit paraqet një aspekt të madhështisë së saj.

Vlerat e Natës së Kadrit dhe dobitë e saj për besimtarët:

Nata e Kadrit është natë e çmueshme, Allahu e veçoi atë me shumë veçori të mëdha, të cilat tregojnë për vlerat dhe madhështinë e saj, prej tyre:

1. Është nata në të cilën ka zbritur në të Kur'ani, siç thotë Allahu i Madhëruar: 'Vërtet, Ne e kemi zbritur atë (Kur'anin) në Natën e Kadrit', (El-Kadr: 1).

Veçimi i saj me këtë është tërheqje e vërejtjes për çmueshmërinë dhe vlerën e madhe të saj, ku në të Allahu zbriti Përkujtuesin më të madh dhe Librin më të çmueshëm. Në këtë natë zbriti Kur'ani, në të cilin është tërë udhëzimi për njerëzimin, lumturia e tyre dhe shpëtimi në këtë dhe në botën tjetër. Me këtë ngjarje të madhe që ka ndodhur pikërisht në këtë natë, forca e mendimit njerëzor nuk mund të arrijë kuptimin e plotë të rëndësisë së saj. Thotë Allahu: 'E çka të bëri ty të dish se çka është Nata e Kadrit', (El-Kadr: 2). D.m.th.: të kuptuarit tënd nuk mund të arrijë domëthënien kulmore të vlerës dhe rëndësisë së saj.

Kjo formë e pyetjes është përdorur për madhërim të vlerës dhe rëndësisë së saj, dhe sqaron se kuptimi i vlerës së saj është jashtë suazave të të kuptuarit njerëzor, nuk di askush për madhështinë e saj, përveç Allahut të Lartësuar. Tërë kjo rëndësi dhe madhështi e kësaj nate nuk ka të bëj asgjë me bestytnitë e kota që janë përhapur mes njerëzve. Kjo natë është e vlefshme për arsye se Allahu e zgjodhi atë për fillimin e zbritjes së Kuranit. Zbritja e kësaj drite mbi gjithë krijesat, përhapja e paqes që erdhi prej Allahut mbi përgjegjësinë njerëzore dhe mënyrën e jetesës së tyre, si dhe ajo që përmban ky Kuran prej besimit, koncepteve, ligjeve dhe edukatës bëjnë që të përhapet paqja, rahatia dhe harmonia në tokë dhe në përgjegjësinë njerëzore.

2. Allahu e cilësoj këtë natë se është e begatshme dhe e bekuar, me fjalën e Tij: 'Vërtet, Ne e kemi zbritur atë (Kur'anin) në një natë të begatshme (të bekuar)', (Duhan: 3). Kjo natë është e begatshme për të mirat e shumta dhe vlerat e mëdha të saj. Gjithashtu, për shkak se atij që këtë natë e gjallëron me adhurim duke patur iman dhe llogaritje e shpresë tek Zoti i tij , Ai i dhuron prej të mirave të shumta dhe shpërblimeve të panumërta.

3. Njoftimi për të nga Allahu i Lartësuar, me fjalën e Tij: 'Në të ndahet çdo çështje me urtësi (në mënyrë të prerë)', (Duhan: 4), do të thotë: ndahet nga Levhi Mahfudh në fletushkat e melekëve çdo çështje e caktuar që ka të bëj me njerëzit, për jetën dhe çështjet tjera në vitin që vjen, si rrizku, veprat, ndodhitë, caktimet dhe çështje tjera të përcaktuara sipas dijes së Allahut të Lartësuar, urtësisë së Tij, dëshirës dhe fuqisë së Tij. Tërë kjo sqaron çmueshmërinë dhe rëndësinë e kësaj nate.

4. Fjala e Allahut të Lartësuar: 'Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj', (Kadr: 3), që tregon për vlerën e namazit dhe shpërblimet e veprave në të, me gjithë shtimin dhe shumëfishimin e shpërblimeve të veprave. Adhurimi ndaj Zotit dhe ajo që fiton robi prej shpërblimeve në të është më e mirë sesa adhurimi që bëhet për njëmijë muaj, e që nuk ka në to ndonjë natë të Kadrit. Kështu mendojnë Muxhahidi, Katade, Ferrau, Zuxhaxh, Ibn Kutejbe e komentues tjerë të Kur'anit dhe shumica e dijetarëve. Kjo është përafërsisht sa tetëdhjetë e tri vite e katër muaj.

Për shkakun pse është përmendur dhe përcaktuar vlera e kësaj nate pikërisht me njëmijë muaj, dijetarët kanë dhënë disa shpjegime:

- Transmeton Muxhahidi se: ka qenë një besimtar prej Beni Israileve që kalonte natën në namaz e adhurim deri në agim, pastaj vishej e armatosej për ti luftuar pabesimtarët deri në mbrëmje. Këtë e kishte bërë për njëmijë muaj. Për këtë arsye Allahu zbriti këtë ajet kuranor: 'Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj', (Kadr: 3), që sqaroj se kalimi i kësaj nate në adhurim është më mirë se puna e këtij njeriu. Gjithashtu, transmetohet se i Dërguari u kishte treguar shokëve të vet për këtë njeri, kurse ata kishin menduar se e kanë të vështirë arritjen e shpërblimeve të tij, për këtë shkak është zbritur ky ajet që sqaron se adhurimi në këtë natë ka shpërblimin më të mirë se të njeriut në fjalë. Kjo është një shenjë treguese e mirësisë së Zotit dhënë këtij umeti, duke ua mundësuar arritjen e shpërblimeve të mëdha për një kohë shumë më të shkurtër sesa umeteve tjera.

- Tranmetohet se tek popujt e mëhershëm është dashur që njeriu ta adhuron Allahu njëmijë muaj për të arritur epitetin rob (abd). Ndërsa, Allahu zgjodhi që ky popull (muslimanët) të jenë më të denjë dhe meritor të quhen robër të Allahut. Zgjodhi për ta një natë që adhurimi në të u jep epitetin më të lartë se të popujve të mëhershëm. Adhurimi që bëjnë për një natë është më i mirë se adhurimi i popujve tjerë i bërë për njëmijë muaj.

- Thuhet se me fjalën e Allahut: '... më e mirë se njëmijë muaj'. është për qëllim tërë koha, ngase arabët përdorin fjalën 'njëmijë' për shumë çështje që kanë për qëllim zmadhimin e saj (hiperbollimin).

- Thuhet, gjithashtu, se i Dërguari (s.a.w.s.) ka parë jetëgjatësinë e umetit të tij se është më e shkurtër sesa e popujve tjerë. Kjo e ka brengosur atë (s.a.w.s.) se ndoshta umeti i tij nuk do të arrijë prej të mirave dhe shpërblimeve sikur që kishin arritur popujt e tjerë, e të cilët kishin jetëgjatësi më të madhe. Për këtë arsye, Allahu ia dhuroj Natën e Kadrit, dhe e bëri atë më të mirë e më të vleshme sesa njëmijë muaj të popujve tjerë.

Kur vepra e mirë numërohet shumëfish dhe iu shumëfishohen shpërblimet gjatë Ramazanit, si do të ishte kur kjo ndodh në Natën e Kadrit? Askush nuk e di përveç Allahut të Lartësuar se sa shpërblehet për të ai që e gjallëron këtë natë me namaz e adhurim duke patur iman dhe shpresë e llogaritje në shpërblimet e mëdha dhe të shumta.

5. Zbritja e melekëve, në këtë natë, në tokë me të mira, begati dhe mëshirë për besimtarët; siç ka thënë i Lartësuari: 'Me lejen e Zotit të tyre zbresin në atë natë engjëjt dhe Xhibrili për çdo çështje. Ajo është paqe derisa të lind dielli', (Kadr: 4-5).

Është e ditur se melaiket nuk zbresin veçse me të mira, begati të shumta dhe mëshirë. Për këtë arsye, ajo është natë e qëtësisë dhe prehjes (rehatisë), shtohet në të shpëtimi nga dënimi (Xhehennemi) dhe shtohet ndihma e lehtësimi në nënshtrueshmërinë e Falësit, Pendimpranuesit.

6. Është vertetuar në dy librat e haditheve të sakta (Sahihan) se i Dërguari (s.a.w.s.) ka thënë: 'Kush e gjallëron Natën e Kadrit me namaz dhe adhurim duke patur iman dhe llogaritje e shpresë të plotë tek Zoti, i janë falur mëkatet e bëra më heret', (Buhariu, 1910; Muslimi, 760). Është natë në të cilën falen mëkatet, hapen dyert e të mirës, rriten shpërblimet dhe lehtësohen çështjet.

7. Zoti i Lartësuar për këtë natë zbriti komplet një kaptinë (sure) në Kuran, e cila lexohet deri në Ditën e Gjykimit. Duke u treguar, kështu, dhe duke i vetëdijësuar të gjithë njerëzimin për vlerën, pozitën dhe rëndësinë e saj tek Allahu. Kjo kuptohet më së miri gjatë leximit të kësaj kaptine, ku lexuesi sheh se vet Allahu publikoj rëndësinë e saj. Në këtë aspekt, shumë komentues të Kur'anit kanë transmetuar një hadith, që nuk dihet vërtetësia, nga i Dërguari (s.a.w.s.): 'Kush e lexon kaptinën Kadr, do të ketë shpërblimin sikur ta ketë agjëruar Ramazanin dhe ta ketë gjallëruar Natën e Kadrit me namaz e adhurim'.

Për shkak të këtyre vlerave të larta të kësaj nate janë transmetuar shumë hadithe (thënie të të Dërguarit a.s.) të vërteta që arrijnë shkallën absolute të vërtetësisë nga i Dërguari (s.a.w.s.), e të cilat nxisin në përpjekjen e gjetjes së kësaj nate në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, sqarojnë vlerën e saj, mënyrën se si i Dërguari (s.a.w.s.) e gjallëronte këtë natë me namaz, se si udhëzonte shokët e tij në përpjekjën e përmbajtjës dhe kujdesit ndaj saj; çka bënë të zgjohet interesi i kërkuesve të Ahiretit (Botës së ardhshme) dhe i atyre që duan lirinë, faljen me shumë shpërblime dhe të arritura, si dhe në pasimin e kësaj me mirësjellje, duke u përmbajtur për hir të kënaqësisë së Mëshiruesit dhe për fitoren e gjërësisë së Xhenneteve.

"Vërtetë, kjo është përkujtim për atë që ka zemër apo ka vënë dëgjimin dhe është dëshmitar", (Kaf: 37).

Ta pyesim veten se sa jemi të përkushtuar në adhurim e afrim tek Zoti ynë gjatë tërë vitit? Sa do jemi të devotshëm e besimtarë të denjë edhe nëse na u jipen njëmijë muaj jetë?!

Te bindemi se një lutje e pranuar në këtë natë është e njejtë në shpërblim sikur të lutemi çdo ditë apo natë për njëmijë muaj rresht. Një lëmoshë e dhuruar në këtë natë ka shpërblimin sikur të dhuronim çdo ditë në njëmijë muaj po aq lëmoshë. Dy rekate namaz në këtë natë ka më shumë shpreblim sesa të faleshim çdo natë nga dy rekate për njëmijë muaj rresht. E kështu me radhë, çdo vepër e mirë do ketë shpërblimin e shumëfishuar!

"E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën ...", (El-Mutaffifin: 26).



Përmblodhi dhe punoi: Remzi NURA

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...