Mendjemadhësia



Mendjemadhësia është një fenomen që dallohet qartë në gjeste, në të folur, dhe në mënyrën se si qëndron.

Pjesa dërrmuese e njerëzve e kanë këtë gjest kurse muslimani e di që mendjemadhësia nuk ka vend në fenë tonë dhe këtë e kemi të cekur qartë në Kur'an: "Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet", (31:18).

Dhe kur mundohemi t'i këshillojmë, që të ndryshojnë sjelljet e tyre apo të udhëzohen edhe ata në Islam, ata na përgjigjen me tallje, nënçmim madje edhe me ofendime. Kjo ka ndodhur edhe në kohërat e hershme dhe për këtë na tregon Kur'ani: "Dhe sa herë që unë i thërrisja ata për t'u falur Ti atyre mëkatet, ata i venin gishtat e tyre në veshë dhe mbulonin kokat me teshat e tyre dhe vazhdonin në atë të tyren me një mendjemadhësi të fortë", (71:7).

Interesante është se në kohërat e mëhershme mendjemadhësi kanë shfaqur vetëm të pasurit kurse sot këtë e bën çdokush dhe kjo vërehet në rastet e cekura më sipër.

Njerëzit kanë harruar se një dite do të vdesin dhe secili garon të bëjë jetën e vet sa më të rehatshme dhe nuk brengoset që me sjelljet e tij i lëndon të tjerët dhe e hidhëron Krijuesin. Kjo jetë është e përkohshme dhe e rrejshme dhe për këtë na lajmëron Kur'ani: "Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kijametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjeter pos një përjetim mashtrues", (3:185).

Allahu na ruajt që të mos devijojmë përsëri pasi të jemi udhëzuar në Islam!

Një tregim shumë interesant po më kujtohet lidhur me pasurinë dhe dobitë e saj dhe po e përmend shkurtimisht në këtë shkrim.

Paska qenë një Musliman shumë i pasur i cili para se të vdiste ia la vetëm një amanet të birit i cili nuk ishte fare i udhëzuar në Islam dhe ishte dhënë aq shumë pas epsheve dhe jetës në këtë dynja.

Ia kishte lënë amanet që kur të vdiste para se ta varrosnin t'ia mbathnin një palë çorape të leshta.

Kur erdhi ky moment i biri u mundua ta bindte imamin për këtë, por ai assesi nuk pranoi.

Pasi e varrosi të atin dhe u kthye në shtëpi, i biri vrapoi të hapte arkën ku i ati ja kishte lënë trashëgiminë e pasurisë së tij dhe kur e hapi aty gjeti një letër dhe e morri ta lexonte.

Në letër shkruante kështu: "Biri im, a po e sheh? Tërë atë pasuri që e pata sa isha gjallë nuk munda t'i marr as një palë çorape me vete në botën tjetër"!

Mendoj se kjo është një këshillë shumë e mirë për të gjithë ne.

Gjithmonë duhet të kemi parasysh që një ditë do të vdesim dhe do të dalim para Allahut xh.sh..

Gjithmonë duhet të kemi kujdes, t'i përmirësojmë sjelljet tona, të pendohemi dhe të kërkojmë falje nga Allahu xh.sh. që t'i shpëtojmë dënimit që e përshkruan Kur'ani: "Ai që shtrembëron qafën (në shenjë mendjemadhësie), e përpiqet t'i humbë njerëzit nga rruga e All-llahut. Atij do t'i takojë poshterimi në këtë jetë, ndërsa në ditën e kijametit atij do t'ia veshim dënimin e djegies (të zjarrit)", (22:9).

Allahu i udhëzoftë vëllezërit dhe motrat tona që kanë devijuar, dhe na ruajt prej xhehenemit ..., (amin).



Autor: Rejhana Çekrezi

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...