Objektivat e Haxhit dhe të Umres



Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut!

Haxhi dhe Umre janë dy rituale, të cilat ashtu siç kanë dallim në emërtim, dallojnë dhe në statusin e tyre. Kjo, pasi pelegrini mund të kryejë Haxh pa kryer Umren dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, mes këtyre dy ritualeve ekzistojnë ngjashmëri, ndërthurje dhe paralelizma të shumta, pasi janë adhurim unik dhe kanë rite të njëjta, sidomos kur zbulojmë objektivat e secilit prej tyre. Lidhur me paralelizmat, na mjafton si fakt që Umreja nuk ceket asnjëherë e veçuar nga Haxhi në Kuranin fisnik. Thotë Zoti në Kuran: "Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh", (Bekare:196), "ai që viziton Qaben për haxh ose për umre", (Bekare:158).

Kurse i dërguar i Zotit a.s., i ka shprehur raportet e ndërthurura mes Haxhit dhe Umres me fjalët: "Umreja është e ndërthurur me Haxhin deri në Ditën e Kiametit".

Kjo ndërthurje ka bërë që tek shumë dijetarë, të lejohet që Haxhi të anulohet dhe të kryhet Umre. Ashtu siç ka bërë që ritet e përbashkëta mes Haxhit dhe Umres - tavafi dhe saji - të kryhen vetëm një herë në Haxhin Kiran. Kjo ndërthurje ka bërë që të gjithë haxhilerët të kryejnë Umren dhe Haxhin në një sezon të vetëm.

Shumica e riteve të Umres kryehet dhe gjatë Haxhit dhe për këtë, Umre njihet ndryshe si Haxhi i vogël. Nëse lidhjet mes Haxhit dhe Umres janë të tilla, ku ritet e njërës janë dhe të tjetrës ose ku njëra dallon nga tjetra vetëm nga disa rite shtesë, edhe fokusimi rreth objektivave të tyre duhet të jetë i njëjtë. Në rreshtat në vazhdim, do të sjellim objektivat sheriatikë më të rëndësishëm të synuara, bazuar në tekstet që flasin për këto dy rituale.


Haxhi është synim, nijet dhe përgatitje për rrugëtim

Baza dhe themeli i çdo adhurimi është nijeti i pastër e i sinqertë për Zotin e lartësuar, si dhe i çdo vepre që bëhet me qëllim adhurimi. Asnjë ibadet dhe asnjë vepër, nuk pranohet nëse nuk shoqërohet me nijet. Por lidhur me Haxhin, nijeti merr dimensione rëndësie akoma më të thella, në dallim me adhurimet e tjera, saqë edhe vetë emri Haxh, e përmban nijetin. Kjo, sepse nga kuptimet e fjalës Haxh, është synimi dhe orientimi drejt diçkaje, dhe të synosh diçka, do të thotë ta dëshirosh atë dhe të jesh i vendosur për ta realizuar. Prandaj, Haxhi nuk mund të jetë Haxh, derisa të shoqërohet me nijet, synim dhe orientim të qartë.

Të kryesh Haxhin, do të thotë të synosh Qaben dhe të udhëtosh drejt saj fizikisht. Kjo është ajo që secili prej nesh bën në aparencë. Por në thellësi, në zemër, të kryesh Haxhin do të thotë të synosh Zotin dhe kënaqësinë e Tij, të nisesh drejt Tij dhe askujt tjetër përveç Tij. Kështu, rrugëtimi dhe udhëtimi ynë për Haxh, në thelb është udhëtim dhe rrugëtim drejt Zotit të Qabes, jo vetë Qabes.

Bazuar në këtë, prej haxhiut pritet të besojë se është drejtuar drejt Zotit me nijet dhe zemër të pastër, me dëshirë dhe nostalgji, me vendosmëri dhe vullnet. Thotë imam Gazzali, Zoti e mëshiroftë: "Duhet të jetë e qartë se Zoti nuk pranon nga nijeti dhe veprat e haxhiut, përveçse ato që i janë dedikuar vetëm Atij. Një ndër veprat më të rënda dhe të pahijshme, është që besimtari të synojë Qaben dhe vendet e shenjta të Zotit, sakaq nijetin nuk e ka për Zotin, por për gjëra të tjera".

Besimtari ndjen mall dhe nostalgji për takimin me Zotin në botën tjetër. Gjatë gjithë jetës, ai punon dhe vepron që kur të takohet me Zotin, të fitojë kënaqësinë e Tij. Një ndër objektivat e Haxhit është që të na kujtojë Zotin dhe daljen para Tij, të na kujtojë ndarjen përfundimtare nga kjo botë dhe udhëtimin drejt botës tjetër. Tabloja që na paraqitet gjatë Haxhit, kulminacioni i të cilës është ditën e Arafatit, nuk është gjë tjetër veçse mishërim i tablosë së ditës së ringjalljes dhe qëndrimit para Zotit Ditën e Kiametit.

Haxhiut i duhet të përgatitet për rrugëtimin që e pret, duhet të furnizohet për qëndrimin, të ndahet nga familjarët, pasuria dhe vendlindja dhe këta ta shoqërojë me përjetimin se së shpejti do i duhet të ndahet nga pasuria dhe familjarët por këtë herë pa kthim. Ai duhet të furnizohet sa më shumë për këtë udhëtim të gjatë dhe po aq të rrezikshëm. Udhëtimi i Haxhit, i kujton përgatitjen për ndarjen nga njerëzit më të dashur për udhëtimin drejt botës tjetër dhe si çdo udhëtim tjetër, duhen bërë llogaritë, furnizimi me vepra të mira dhe devotshmëri. Thotë Zoti në Kuran: "Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria", (Bekare:197).

Ndër aksesorët më të rëndësishëm të devotshmërisë për atë që është nisur drejt Zotit të tij, është distancimi nga zullumet dhe padrejtësitë ndaj njerëzve. Kështu, haxhiu duhet t'u kthejë detyrimet njerëzve, t'u kërkojë falje atyre që mundet dhe të kërkojë falje e të pendohet, për ato zullume që nuk i did he nuk mund t'ua kthejë njerëzve dhe as mund t'u kërkojë hallall. Kjo bëhet me qëllim që udhëtimi drejt Haxhit të mos rëndohet dhe prangoset nga zullumet dhe gjynahet.


Haxhi shoqërohet me përkujtim të Zotit dhe lutje

Ajo që të tërheq vëmendjen në mënyrë të shpejtë dhe të fuqishme teksa lexon dispozitat që lidhen me Haxhin dhe Umren, është insistimi i vazhdueshëm për përkujtimin e Zotit gjatë gjithë kohës dhe tek çdo ritual. Thotë Zoti në suren Bekare: "E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t'i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: 'Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë'! Por, për këta, s'ka asnjë të mirë në botën tjetër", (Bekare:198-200), "Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)", (Bekare:203).

Kurse në suren Haxh lexojmë:

"që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara", "Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve", "Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t'i therur)", "Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tua,j që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar", (Haxh:28,34,36,37).

Kështu, urdhri për të përmendur Zotin dhe stimulimi për diçka të tillë, është urdhër për çdo rit të Haxhit, në çdo vend dhe kohë. Shartimi i ritualit të Haxhit me telbije, është diçka e njohur dhe vetë telbija në vetvete nuk është gjë tjetër veçse përkujtim i Zotit. Ajo preferohet vazhdon dhe përsëritet saqë shndërrohet në moton e Haxhin dhe të haxhilerëve. Vetë dita e qëndrimit në Arafat - dita më madhështore e Haxhit - nuk është gjë tjetër veçse ditë e përkujtimit të Zotit dhe lutjeve drejtuara Atij. Hadithi që thotë: "Haxhi është Arafat" do të thotë që Haxhi nuk përmban gjë tjetër veçse përkujtim të Zotit dhe lutje.

E veçanta më e madhe e Haxhit nuk janë lutjet dhe përkujtimi i Zotit të lartësuar, pasi këto mund të bëhen dhe ditët e zakonshme. Ajo që e bën haxhin të veçantë është numri i madh i besimtarëve i mbledhur në ato pak ditë, në një vend madhështor, me një panoramë që të kujton përkushtimin ndaj Zotit, gjë e cila ia inspiron haxhiut përkujtimin e Zotit instinktivisht dhe në mënyrë të pandërprerë.


Haxhi është rituali më gjithëpërfshirës dhe më i thellë

Zoti na ka nderuar dhe vlerësuar me rituale dhe adhurime të shumëllojshme, me qëllim që të gjithë njerëzit - në çdo rrethanë dhe situatë të ndodhen - tu jepet mundësia fizike dhe mendore për t'i kryer. Çdo njeri me arsye, gjen tek këto adhurime hapësira që përfshijnë fizikun e tij, mendjen, shpirtin, pasurinë dhe kohën. Kështu, namazi është adhurim për shpirtin, mendjen dhe fizikun. Agjërimi është adhurim për fizikun dhe nefsin. Zekati është adhurim që lidhet me pasurinë dhe nefsin. Xhihadi është adhurim për fizikun, pasurinë dhe nefsin. Kursi, dhikri (përkujtimi i Zotit) është adhurim i zemrës, mendjes dhe gjuhës.

Sakaq, adhurimi dhe rituali i Haxhit, i përfshin të gjithë këto. Kështu, haxhiu shpenzon jo pak nga koha e në udhëtim dhe gjatë kryerjes së riteve. Ai shpenzon dhe harxhon pasurinë që ka vite që e mbledh dhe fiton. Ai lufton (bën xhihad) dhe vuan fizikisht. Ai është i dhënë pas kryerjes së Haxhit me zemrën dhe shpirtin, lutet dhe e përkujton Zotin me shpirt e zemër, ecën me dy këmbët dhe hedh gurët me dy duart e tij.

Kështu, Haxhi është një ritual që e inkuadron pelegrinin me të gjithë qenien e tij dhe gjithçka që posedon. Gjatë Haxhit, ka lodhje, këputje, luftë me nefsin, namaz dhe lutje, përkujtim, meditim dhe durim, sadaka dhe përkrahje sociale. Bazuar në këtë, Profeti a.s. e ka konsideruar Haxhin si: "Xhihad pa luftë".

Nga ana tjetër, robi gjatë adhurimeve që shoqërojnë Haxhin, arrin gradat më të larta të nënshtrimit ndaj Zotit, saqë pranon të kryejë rite të cilat nuk ua di domethënien dhe nuk i percepton dot. E gjitha kjo bëhet si formë bindjeje ndaj Zotit dhe respekti ndaj urdhërave të Tij. Saqë transmetohet se Umer ibnul Hattabi iu drejtua gurit të zi me fjalët: "Unë e di që ti nuk je veçse një gur, nuk bën as dobi dhe as dëm. Po të mos e kisha parë të dërguarin e Zotit që të puth, edhe unë nuk do të puthja".

Thotë imam Gazzali teksa përqas ritet e Haxhit me adhurimet e tjera: "... me rite të tilla, demonstrohet shkalla e nënshtrimit dhe përkushtimit ndaj Zotit. Zekati përfaqëson shpenzimin e pasurisë, agjërimi thyen dhe dobëson epshet - të cilat janë armatimet e shejtanit - dhe e angazhon besimtarin vetëm me Zotin larg interesave të tjera. Rukuja dhe sexhdeja gjatë namazit, janë forma që shprehin modesti ndaj Zotit. Shpirti i njeriut nuk ndihet kurrë më i qetë dhe në prehje, seç ndihet kur madhëron dhe lartëson Zotin. Sakaq, rendja mes Saj-it dhe Merva-së, hedhja e gurëve në xhemerat etj. mendja e ka të pamundur ta rrokë domethënien dhe urtësinë e tyre. Rite të tilla nuk veprohen veçse si formë e bindjes së plotë ndaj urdhërave të Zotit sido qofshin, pasi janë urdhra që duhen çuar në vend. Çdo vepër që e mendja e percepton domethënien e saj, natyra e njeriut jepet pas saj sado pak. Kjo prirje e njeriut, është ndihmës dhe stimulues për të vepruar sipas urdhrit dhe komandës, por që në këtë rast nuk demonstrohet fuqishëm bindja dhe nënshtrimi i plotë. Nëse ndërgjegjësohesh për këtë, e kupton që burimi i habisë nga këto rite të çuditshme, është pamundësia për të depërtuar tek sekretet dhe urtësitë e adhurimeve".


Jo fjalëve të pahijshme dhe veprave të turpshme

Nëse haxhi është një ritual kompleks dhe i ndërthurur me disa rituale dhe adhurime të tjera - në fakt është një trajnim i përgjithshëm ritesh - ai konsiderohet edhe si një trajnim edukativ i rrallë. Thotë Zoti i lartësuar në Kuranin fisnik: "Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur"!,(Bekare:197).

Në një hadith sherif, Profeti a.s. thotë: "Kush kryen Haxhin dhe nuk flet fjalë të pahijshme e nuk vepron vepra të turpshme, do të kthehet si ditën që e ka lindur nëna".

Shkurtimisht, sipas ajetit dhe hadithit, gjatë ritualit të Haxhit ndalohet reptësisht t'i përgjigjesh epshit seksual dhe gjithçka që ka të bëjë me të dhe që e stimulon, fjalë, vepra apo sinjale qofshin. Gjithashtu, konfirmohet ndalimi për çdo shkelje të çfarëdo lloji tjetër, lidhen apo jo me fjalët dhe sjelljet e pahijshme. Bazuar mbi këtë, edhe ndëshkimi dhe gjynahu është më i rëndë, sepse gjynahet marrin dimensione më të rënda nëse veprohen në vende dhe kohë të shenjta. Prandaj, haxhiut i del për detyrë të jetë në nivelin më të lartë të vetëkontrollit dhe të veprojë konform dispozitave sheriatike. Nëse Sovrani ia ka ndaluar haxhiut edhe disa gjëra dhe vepra të lejuara jashtë sezonit të Haxhit, si marrëdhëniet seksuale brenda kuadrit martesor, gjuetinë, veshjet, parfumosjen etj. është e papranueshme për haxhiun që të mos vetëpërmbahet ndaj harameve si gënjeshtra, sharja,keqtrajtimi, zullumi, ligësitë etj..

Në Kuran, Zoti ndalon dhe polemikat gjatë Haxhit, të cilat në përgjithësi thjesht të vrasin kohën, e cila për haxhilerët është shumë e shtrenjtë, pasi lipset të kalohet në adhurim, përkujtim etj.. Veç kësaj, polemikat zakonisht shkaktojnë zënka e shamata, konflikte dhe përplasje mes njerëzve. Prandaj, prej haxhilerëve pritet që të karakterizohen nga morale të larta, vetëpërmbajtje, zemërgjerësi dhe butësi. Ata duhet ta konsiderojnë Haxhin si një shans të rrallë për ushtrimin e nefsit me modesti, qetësi, përkushtim, respekt, falje, urtësi dhe maturi. Të gjithë këto janë morale bazë për një haxh të pranuar dhe të suksesshëm. Vetëm kështu, haxhiut i mundësohet një kthim në vendlindje, i ndryshëm nga largimi prej saj, sepse është një kthim si ditën që e ka lindur nëna. Ai tashmë e ka të mundur ta frenojë zemërimin, të falë njerëzit, të keqen e ndalon me të mirë, e frenon veten nga zullumet, madje sjelljen e pahijshme të tjerëve ua kthen me maturi dhe falje.

Sakaq, ata që kthehen siç vajtën me morale të këqia, të ashpër, të dhunshëm, polemistë dhe të liq, nuk ka përfituar asgjë nga Haxhi i tij dhe nuk ka garanci për pranimin e Haxhit.


Edukata e mikut tek mikpritësi

"Për atë që nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij", (Haxh, 30).

Haxhilerët konsiderohen miqtë e Zotit, pasi ndodhen në tokën e shenjtë dhe në shtëpinë e Tij. Nëse dikush prej nesh shkon mik tek një person, gjatë gjithë kohës manifeston norma etike dhe morali të larta, sillemi me edukatë dhe xhentilesë, ruajmë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Nëse kjo na ndodh me njerëzit, ç'mund të themi nëse ndodhemi në mikpritjen e Zotit të njerëzve? Ç'mund të themi nëse mikpritësi në këtë rast është Bujari më i madh? Ç'mund të themi nëse miqtë e Tij vijnë nga çdo anë e botës? Në këtë rast, çdo shkelje konsiderohet krim dhe skandal, pasi i adresohet Mikpritësit në shtëpinë e Tij të shenjtë.

Prandaj, kujdes o pelegrin se mos vepron diçka të pahijshme dhe sillesh keq me Mikpritësin dhe Zotin tënd, rrjedhimisht sillesh keq me popullin dhe vendin tënd, vëllezërit dhe shoqëruesit e tu. Por në radhë të parë, ti i ke bërë keq vetes tënde, haxhit dhe reputacionit tënd.


Që të dëshmojnë dobitë e tyre

Thotë Zoti i lartësuar në Kuran: "Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë dhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur. Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara!", (Haxh:26-28).

Zoti e ka cekur në ajetet e mësipërme që haxhilerët vijnë në vendet e shenjta që të dëshmojnë dobitë e tyre, dobi të cilat nuk janë përkufizuar por kanë mbetur të pacaktuara, gjë e cila tregon se dobitë e Haxhit janë të panumërta dhe shumëllojshme. Padyshim që adhurimet dhe veprat e mira, renditen tek dobitë më të mëdha të Haxhit. Ashtu siç është takimi vjetor i myslimanëve në këtë vend tëshenjtë, shans dhe rast i volitshëm për shkëmbimin e dobive dhe eksperiencave.

Është madhështia e islamit ajo që çdo vit mbledh miliona njerëz në Shtëpinë e Zotit, si haxhilerë dhe vizitorë, pa i sjellë dhe pa ushtruar presion mbi ta kush. Ata vijnë të bindur, plot mall dhe nostalgji, me zemra të lidhura me shtëpinë e Zotit dhe të dërguarin e Tij, si dhe me dëshirë për t'u takuar dhe prezantuar me vëllezërit e tyre myslimanë nga të katër anët e botës.

Kështu, ty o haxhi të jepet shansi që nuk ka ekuivalent, që të ta kohesh me myslimanë nga të gjithë kontinentet, të përfitosh prej tyre, të prezantohesh dhe të njihesh me gjendjen e tyre. E gjitha kjo, në një atmosferë vëllazërore të mbushur plot dashuri, ku dallimet e ngjyrave, gjuhëve dhe pamjes nuk ndikojnë aspak. Haxhi është rasti i vetëm ku manifestohet uniteti i plotë i metit islam, me të gjithë popujt, racat dhe shtetet. Haxhi është rasti dhe shansi i çdo myslimani që ta personifikojë këtë unitet, ta shijojë dhe ti kënaqet syri, edhe pse kjo zgjat vetë disa ditë apo javë. Ky është rasti ku lidhjet dhe marrëdhëniet mes myslimanëve thellohen, është rast komunikimi është në nivelet më të larta dhe shkëmbimi i ideve, lajmeve dhe informacioneve ndodh në formën më të bukur.

Haxhi është dhe rast shkëmbimesh shkencore e kulturore. Udhëtimet dhe rrugëtimet konsideroheshin më parë, si një nga format e arsimimit dhe edukimit tek të parët tanë. Udhëtimi i Haxhit, nga zanafilla e tij gjer në fund, duhet të jetë udhëtim shkencor dhe kulturor, në çdo qëndrim dhe në çdo ulje, në çdo lëvizje dhe pushim. Shikimi i vendeve e banorëve të tyre, qëndrimi pranë dijetarëve dhe intelektualëve, pjesëmarrja në ligjërata dhe mësime fetare, vizita e vendeve të shenjta ku kanë shkelur Profeti a.s. dhe shokët e tij që nga ditët e para të islamit. Të gjithë këto, janë dije, kulturë, eksperiencë të cilën asnjë pelegrin nuk duhet ta humbasë apo të mos i kushtojë vëmendjen e duhur, sepse hyjnë tek dobitë për të cilat na fton Zoti t'i përvetësojmë, pasi hyjnë tek objektivat e Haxhit.



Autor: Dr. Ahmed Rajsoni
Përktheu: Elmaz Fida

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...