Kurban Bajrami një traditë e kamotshme tek shqiptarët



Kurban Bajrami apo Bajrami i Vogël siç njihet tek ne, e që në realitet Bajram i Madh është Kurban Bajrami, është festa e sakrificës, e cila ndërlidhet ngushtë me Haxhin.

Për këtë i dërguari i fundit, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, tha: "Jam i dërguar që t'i përsos virtytet e moralit".

Këtë e gjejmë edhe në Kuranin Famëlartë kur shfletojmë kapitujt e tij si një përmbledhje në tri thirrje:

Pjesa e parë: Thirrja në Besim në një Krijues të vetëm, Allahun e Madhëruar.

Pjesa e dytë: Thirrje për formën e Adhurimit ndaj Tij.

Pjesa e tretë: E cila është edhe qëllimi kryesor i muajit të Ramazanit në të cilin zbriti Kurani Famëlartë, ngritja e moralit te njeriu.

Kjo kishte bërë që edhe paraardhësit tanë mesazhin në këtë festë mos ta ndalin vetëm me përcjelljen e përshëndetjes dhe urimit te njëri-tjetri, por ata u munduan që në këtë ditë të solidarizohen me të varfrit, të dobëtit dhe jetimet, që edhe ata të jenë të buzëqeshur në këtë Festë dhe me një sofër të begatë, edhe pse në nën qiellin e asaj kohe më shumë dominonin frika dhe skamja, po kurrsesi nuk mungonte optimizmi për një festë më të madhe si kjo liria, që shenjat e saj shfaqeshin bashkë me festën e Kurban Bajramit.

Nesër është ditë feste, ditë gëzimi e hareje, edhe pse myslimanët kanë data të shumta. Në historinë islame fetarisht kanë vetëm dy festa: Festën e Fitër Bajramit dhe Festën e Kurban Bajramit. Datat historike myslimanët i përkujtojnë, ndërsa festat i festojnë.

Festa i takon Atij që ta mundësojë sot ty ta përjetosh ditën më të madhe të kësaj feste, atij që sakrifikoi gjithçka. Atij, Allahut të madhëruar i takon Hamd-i dhe të tjerëve respekti dhe falënderimi.

Këtë ditë e festojmë së bashku, pasi Allahu i Lartëmadhëruar na mundësoi pendimin, kërkesën tonë të faljes, mëshirës dhe mbrojtjes nga ferri. Festojmë ngaqë jemi të lirë shpirtërisht dhe fizikisht, të lirë nga veset qe shpeshherë mashtruan njeriun duke vrapuar vetëm pas materiales së kësaj bote dhe harroi se mban në veten e tij shpirtin.

Festojmë, ngaqë u pastruam nga mëkatet e vitit. Festo sot, ngaqë sjellja jote reflekton në tjetrin në dashuri dhe tolerancë, duke zgjatur dorën njeri-tjetrit për t'ia uruar festën e dëlirësisë, festën e faljes, festën e dashurisë, vëllazërisë, Festën e Kurban Bajramit.

Rrezja e parë e lindjes së Diellit të kësaj dite është një mesazh për ta kthyer te secili nga ne shpresën e begatisë dhe mirëqenies në realitetet tona, për t'i frenuar rrugëtimet e hutuara, shfrenuara dhe të tepruara.

Është kjo ditë e veçantë feste për të na bashkuar, sepse vetëm të bashkuar dhe duke zgjatur dorën e urimit ndaj njëri-tjetrit shprehim frymën e përkrahjes, forcimin e unitetit dhe vëllazërimit Për ta zbatuar një nga porositë e Kuranit Famëlartë ko thotë: "O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që me tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë", (Huxhurat:13).

Larg qoftë gjithë ajo që nxin apo zbeh këtë festë të myslimanit, qoftë edhe vizita e varrezave, e cila është bërë shprehi drejt nga faltorja me fëmijë për dore e te varrezat për t'u treguar nipave e mbesave se ku pushojnë stërgjyshërit tanë, a nuk gjete prej 365 ditëve të vitit ditë tjetër për pikëllime, por ditën e Festës së Kurban Bajramit.

Ky është rasti për të festuar, pasi populli është bashkuar për t'i reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes me urimin e bamirësisë dhe me lëmoshën, dy vlera këto aq të rëndësishme dhe të pastra si loti, të ruajtura mirë, falë Fesë sonë dhe porosive të të parëve tanë. Nesër do të jenë si pasuri e shumë kulturave evropiane.

Nuk do të ishim falënderues të Allahut Fuqiplotë sikur të mos jemi mirënjohës ndaj gjithë atyre familjarëve të dëshmorëve, gjakut të derdhur të këtij populli me dekada, mësuesve dhe aleatëve tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falë tyre ne sot gëzojmë shtetin tonë të lirë dhe kremtojmë festat tona në liri!



Autor: Dr. Rexhep ISMAJLI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...