Dispozita e vetëvrasjes në Islam



Pyetja:

Esselamu alejkum!

Hoxhë i nderuar, dua të mësoj diç rreth dispozitës së vetëvrasjes dhe çfarë ndodh me atë që vepron një gjë të tillë, spese, kohëve të fundit, në vendin tim, ka filluar me të madhe të përhapet ky veprim i shëmtuar. Shpresoj në përgjigjen tuaj dhe Allahu ju shpërbleftë.


Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuari Xhelal, nuk ka dilemë mes dijetarëve islam se vetëvrasja është veprim i ndaluar (haram) sipas të gjitha argumenteve dhe parimeve islame. Një akt i tillë është mëkat prej mëkateve të mëdha, kurse në aspektin juridik ka trajtimin e veprës penale. Nga kjo nënkuptohet se një veprim i tillë, për një besimtar islam që mendërisht është i shëndoshë, nuk mund të justifikohet me asnjë arsye apo shqetësim jetësorë, pavarësisht natyrës dhe rrethanave se si ndodhë ky akt i shëmtuar.

All-llahu xh.sh. në Kur'anin Fisnik thotë: "... dhe mos mbytni veten tuaj. Vërtet, All-llahu është i Mëshirueshëm për ju", (En-Nisa :29) Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ai që e mbytë veten në këtë botë me ndonjë send, me të do të dënohet Ditën e Kiametit", (Buhariu nga Thabit b. Ed-Dahaki).

Ata të cilët kanë bërë vetëlvrasje, Pejgamberi a.s. në formë sanksioni kishte refuzuar t'ua falë namazin e xhenazë, por faljen e namzit të xhenazës ua kishte lejuar shokëve të tij. Nga kjo nënkuptohet se personi i cili ka bërë vetëvrasje, namazi i tij falet dhe varroset në varrezat e muslimanëve ngjashëm sikur të tjerët, dhe për ta lejohet lutja dhe duatë, por është e preferuar që në ceremoninë e varrimit të tij të mos marrin pjesë njerëzit me autoritete siç janë kryetari, muftitë, etj., dhe atë në shenjë të shprehjes së revoltës ndaj veprës së kryer, sepse kështu pra kishte vepruar Pejgamberi a.s. kur ai personalisht nuk ia kishte falur xhenazën, por ua kishte lejuar as'habëve ta falin.

Nga e tërë kjo nënkuptohet se personi i tillë ka bërë një vepër që radhitet nga mëkatet e mëdha, por nuk konsiderohet Kafir (i pafe), vetëm nëse ka shprehur se vetëvrasja nuk është mëkat.

Me që kjo temë është shumë e gjërë dhe mund të trajtohet edhe nga aspekti fetar islam (dijaneten) edhe nga aspoekti i kodit penal (kadaen), e ne nuk kemi mundësi tani të lëshohemi në tërë ato analiza për shkak të kohës, po e përmbyllim duke përsëritur edhe njëherë se për besimtarin islam nuk ekziston asnjë arsye që mund ta justifikojë këtë veprim, respektivisht këtë mëkat të madh.

Allahu e di më së miri!.



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...