Domethënia e agjërimit në Islam



Vëllezër të dashur!

Brezi ynë është në epërsi në raport me brezat e mëhershëm në pikëpamje të shfrytëzimit të mirave të shumta. Sot është më lehtë dhe kryhet më shpejtë ardhja deri te të dhënat e ndryshme dhe dija. Edhe parimet e fesë sonë të lartë islame kemi mundësi t'i kuptojmë më mirë dhe më shpejtë jo vetëm me zemër por edhe me zemër t'i kuptojmë duke e shqyrtuar gjerësinë e domethënies dhe rëndësisë së tyre për njerëzinë.

Kësaj i ndihmojnë përvojat gjithnjë e më të pasura dhe numri në rritje i hulumtimeve shkencore, me të cilat zbulohen kuptimet bazore të shehadetit, namazit, agjërimit të ramazanit, zekatit, haxhit etj.. Edhe pse për muslimanët e bindur mjaftojnë ajetet kur'anore të cilat flasin për këtë, kur i pranojnë me plotësinë e zemrës së tyre, njohuria i forcon, kurse njerëzit më pak stabil i bind ta pranojnë rrugën e Islamit dhe që ai t'u bëhet përcaktim jetësor.

Së këndejmi është detyrë ta përdorim arsyen si dhuratë të paçmueshme të Allahut, t'i përcjellim të arriturat shkencore dhe ta harmonizojmë praktikën tonë me përcaktimet e burimeve bazike, sepse këto gjithnjë e më shumë na bindin se sa të mëdha janë dobitë nga detyrat islame për përparimin e gjithanshëm të çdo njeriu, familjeje dhe tërë bashkësisë njerëzore.

Rruga e Islamit i mbulon shtigjet e të dy botëve dhe sjellë deri te caqet e tyre. Ai është universal dhe i natyrshëm për të dy botët. Hazreti Omeri r.a. ka thënë: "Mos u privoni nga bota për shkak të ahiretit, as nga ahireti për shkak të botës. Përpiquni t'i përvetësoni të dyja botët."!

Ky është perceptim madhështor i mësimit islam. Brezat e respektuar të as'habëve të Pejgamberit i kanë përvetësuar të dy botët kurse i janë robëruar dhe e kanë madhëruar vetëm Allahun xh.sh.. Ata ia kanë prezantuar Islamin njerëzisë në shkëlqimin e tij të përsosur dhe burimor.

Agjërimi, si e përcakton sheriati islam, ka dispozita të tij të përsosura dhe nuk mund të përcaktohet me agjërimet në traditat e tjera, sipas cakut të tij as sipas pasojave. Ai është objekt i vëmendjes gjithnjë e më të thellë, sidomos të medicinës dhe shkencave me të të afërme. Shoqëria moderne konsumuese, duke prodhuar gjithnjë e më shumë ushqim dhe pije jo të shëndosha për sofrën e vetë, e rrezikon shëndetin njerëzor dhe ndihmojnë lindjen, zhvillimin dhe përhapjen e sëmundjeve të shumta. Në tubimet shkencore për shëndetin fizik dhe mental gjithnjë e më fuqishëm theksohet kërkesa për maturi dhe për ushqim dhe pije të shëndosha, kurse një varg sëmundjesh po tentojnë t'i mjekojnë me agjërim, si me dietë vis-a-vis konsumimit të tepruar të gjithë asaj që vjen në duar të njeriut të kësaj periudhe. Zbulimet se te muslimanët nuk ekzistojnë disa sëmundje të cilat janë gjithnjë e më të përhapura te të tjerët, udhëzojnë në faktin se ata e praktikojnë agjërimin vjetor një muaj ditë, çdo ditë falin pesë namaze, rregullisht e ruajnë pastërtinë e tyre dhe e kanë të ndaluar alkoolin dhe konsumimin e prodhimeve të mishit, gjakut të derrit dhe coftirat.

Duke e bërë agjërimin detyrim (El-Bekareh, 183-187) Islami shprehimisht përcakton se ky detyrim fetar ka qenë detyrim edhe në të gjitha shpalljet e mëhershme si pjesë e ibadetit për pasuesit e pejgambereve të mëhershëm. Me ndërrimin e teksteve të shpalljeve burimore hyjnore në religjionet e tjera është zbehur apo është zhdukur obligueshmëria e kësaj dispozite. Mirëpo, asnjë nga ato tradita fetare nuk e ka hedhur agjërimin, duke e kuptuar se nuk ka rrugë më efikase për ngritje shpirtërore të besimtarëve dhe edukim të njerëzve se sa me agjërim. Në historinë shpirtërore të Lindjes, agjërimi ka qenë përcjellësi i rregullt i të gjithë mendimtarëve, mistikëve, e shpesh edhe i poetëve dhe shtetarëve, të cilët janë tërhequr në vetmi, duke tentuar të lirohen nga tanishmëria profane e jetës së përditshme dhe të ngrehen sidomos mbi nevojat e tyre trupore. Filozofia më e thellë e agjërimit është vështirë e kuptueshme për perëndimorët të zhytur në shfrenimet botërore. Ajo është ndërtuar, para së gjithash, në detyrimin e privimit dhe të vetëkontrollit. Nuk ka fitore mbi epshet dhe dobësitë, nëse po kjo vepër e njëjtë nuk i bindet shpirtit. Agjërimi dhe namazi janë rrugët bazore për këtë. Për këtë qëllim kemi hadithe të shumta që Muhammedi a.s. i ka thënë për agjërimin. Në transmetimin që e përcjell Ebu Hurejre r.a. ceket se Muhammedi a.s. ka thënë: "Umetit tim i janë dhënë pesë gjera në ramazan që nuk i është dhënë askujt para tyre: aroma nga goja e agjëruesit është më e këndshme për Allahun se sa aroma e miskut; për agjëruesit kërkon falje edhe peshku në det deri sa ata nuk e ndërprejnë agjërimin e tyre, Allahu çdo ditë e zbukuron xhenetin", e pastaj thotë: "Robët e mi të respektuar sa nuk e kanë hedhur nga vetja barrën e tyre botërore dhe nuk erdhën te ti, në këtë muaj shejtanët e këqij vendosen në pranga ashtu që nuk mund të bëjnë keq të cilat zakonisht i bëjnë jashtë ramazani, natën e fundit të ramazanit agjëruesve iu falet". Pas këtij fjalimi as'habët pyesin: "O Pejgamberi i Zotit, a është kjo nata e fundit, lejlet'ul-kadri"? Ai iu përgjigj: "Jo, ka të bëjë me atë se ai që ka dhënë angazhim, shpërblimin e tij do ta merr kur ta mbarojë punën", (Ahmedi, El-Bezzari dhe El-Bejhekiu).

Agjërimi është theksuar shumë sepse dobitë e tij janë të shumta:

- Ia lehtëson vetëkontrollin njeriut mbi epshet dhe dobësitë e tij,
- Ia forcon shpirtin, ia çelikos karakterin dhe njohjen ia kthjelltëson,
- I jep kënaqësi më të madhe atyre të cilët ibadetin e kryejnë me sinqeritetin e zemrës së tyre,
- E forcon vullnetin, vendosmërinë dhe maturinë,
- E forcon durimin dhe rezistencës ndaj mëkateve dhe dëfrimeve të skajshme,
- E ndërton sistemin e jetës krahas vetëdisiplinimit të çdo individi veç e veç,
- E përparon shëndetin mental dhe fizik të agjëruesit,
- E përforcon besimin te njerëzit dhe iu jep kënaqësi për këtë.

Pa marrë parasysh sezonin në të cilën bie ramazani, kurse është sistemuar ashtu që barabartë t'i ngarkojë besimtarët e hemisferës lindore, perëndimore, veriore dhe jugore, sepse lëviz çdo vit për dhjetë ditë më para, agjërimi sjellë shumë dobi për agjëruesit. Disa prej tyre janë të jashtëzakonshme, sepse vetëm ramazani mund të sjellë, si p.sh., largimi nga shprehitë e shëmtuara dhe të ndaluara. Asnjë terapi tjetër nuk ka ndihmuar në mënyrë aq efikase te njerëzit si agjërim. Së këndejmi, gjithnjë e më shumë po përcaktohet agjërimi si ilaç për numër të madh të sëmundjeve somatike apo mentale nga autoritete të njohura që nuk janë muslimanë. Synimi i përgjithshëm për maturi, më së lehti arrihet me disiplinën e agjërimit.

Muslimanët e mirë nuk agjërojnë për shkak të dobive të cekura, këtë e bëjnë për shkak se e kanë detyrë dhe bindje ndaj Zotit, kurse ato dobi janë vetëm pasoja dhe shpërblimi. Natyrisht, dhuratat e ramazanit janë të shumta. Në mënyrë figurative shumë prej tyre i shohim në transmetimin vijues nga as'habi Selman Farisiu r.a., i cili transmeton se ditën e fundit të muajit Sha'ban Pejgamberi i Allahut iu është drejtuar as'habëve: "O njerëz, po ju vjen muaji i madh, i bekuar. Në të gjendet nata më e vlefshme se një mijë muaj. Ky është muaji ditët e të cilit Allahu i bëri të detyrueshëm që në ta të agjërohet, kurse faljen e namazit të teravisë në netët e tij i bëri të rekomanduar. Ai i cili në këtë muaj i afrohet Allahut me bërjen e veprave të mira, qoftë edhe të vogla, do të shpërblehet sikur të ketë qenë farz në ndonjë kohë tjetër. Kurse kush bën farz, do të shpërblehet sikur i ka bërë shtatëdhjetë farze kur nuk është ramazan. Ky është muaji i durimit, kurse shpërblimi për durimin e mirëfilltë është xheneti. Po ashtu, ky është muaj i afërsisë me të afërmit. Në këtë muaj shtohet nafaka e besimtarit. Kush i përgatit agjëruesit iftar, shpërblimi do të jetë falja e mëkateve dhe shpëtimi prej zjarrit të xhehenemit. Dhe do ta fitojë shpërblimin të njëjtë sikur të agjëruesit, e që atij mos t'i mungohet asgjë".

Imam Gazaliu i ka ndarë agjëruesit në tri grupe: grupi mesatar, i veçantë dhe i jashtëzakonshëm. Të parët, kryesisht, privohen nga ushqimi, pija dhe nga epshet nëpërmjet agjërimit, të dytët privohen nga sjelljet dhe fjalët e këqija; kurse të tretët privohen edhe nga idetë e këqija. Shumica e agjëruesve janë në grupin e parë, apo ndërmjet grupit të parë dhe të dytë dhe është e natyrshme që nuk i përjetojnë të gjitha kënaqësitë e agjërimit të përsosur.

Sikur edhe namazin, shpesh agjërimin e kryejmë me ngadalësi, mekanikisht dhe zbehtë, pa futjen e ndjenjave, përjetimeve dhe vullnetit, që përkujton në hadithin e Muhammedit a.s.: "Të mira ka shumë, por pak janë ata që e kryejnë".

Ramazani duhet të jetë muaji i dritës dhe përparimit, që familjarët do ta presin në shtëpinë e rregulluar, në qetësi dhe disponim, të gatshëm ta kthejnë kokën drejt Krijuesit dhe t'i binden tërësisht.

Në ramazan muslimanët kanë arritur fitore të mëdha, ato të cilat e kanë kthyer historinë e gjinisë njerëzore: fitorja në Bedër, çlirimi i Mekës etj.. Është e qartë se ata janë besimtarë të shkëlqyeshëm dhe agjërues të mirë të cilët duke agjëruar arritën fitore në mejdanet më të rënda. Ramazani është muaj i kujdesit reciprok. Ai kërkon nga myslimanët t'i ndiejnë nevojat e të tjerëve dhe të Bashkësisë.

Ky është muaj i kujdesit për detyra të da'ves-misionit të Bashkësisë Islame të cilat zhvillohen nëpërmjet fondit për ndihma, në të cilat derdhen mjetet e sadekat'ul-fitrit dhe zekatit, kurse të cilat i japin besimtarët e ndërgjegjshëm duke e zbatuar ibadetin material nëpërmjet pastrimit të agjërimit dhe pasurisë së tij.

Qortimi i hasreti Omerit duhet të qëndrojë gjithnjë para syve të çdo myslimani: "Mos t'ju mashtrojë përkushtimi i njeriut në namaz dhe droja e tij, por shikojeni si sillet me paratë dhe arin e tij".

Të përpiqemi që agjërimin ta bëjmë përmbajtësor. Të shkojmë me familjarët tonë në xhami në namazet ditore dhe teravi, në mukabele dhe vaze. Me gëzim dhe hare ta presim syfyrin, kurse në iftaret tona krahas prindërve dhe kushërinjve le të ketë edhe fqinjë dhe varfanjakë. T'i falënderohemi Allahut që na e dhuroi tërë këtë. Agjërimi është mbrojtja jonë, në ramazan dhe më vonë, nga sëmundja, mëkati dhe dobësia. Rezultatet e tij na çojnë kah fati në të dy botët. Ky është synimi ynë skajor i mirësjelljes sonë në këtë botë kalimtare.

E lus Allahun ta përsosi agjërimin tonë dhe të na bëj muslimanë të sinqertë!



Autor: Mr. Muharrem OMERDIQ
Përktheu: N. IBRAHIMI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...