Leximi i Kur'anit në varreza



Ulemaja islame është pajtuar që leximi i Kur'anit në varreza nuk është haram. Shumica e ulemasë islame nga hanefinjtë, shafiinjtë dhe hanbelinjtë e konsideron leximin e Kur'anit në varreza të lavdërueshme për arsye të hadithit i cili transmetohet nga Enesi r.a.: "Kush hynë në varreza dhe e lexon në të suren Jasin, atyre do t'u lehtësohet kurse këtij do t'i jepen vepra të mira sa është numri i tyre". [1]

Mendimin e tillë ata e bazojnë edhe në hadithin në të cilin thuhet se Omeri r.a. ka porositur se me rastin kur ai të varroset le të lexohet fillimi i sures El-Bekare dhe fundi i saj. [2]

Sa u përket malikinjve ata leximin e Kur'anit në varreza e konsiderojnë të qortuar. Ky është mendimi i malikinjve të vjetër. Dijetarët mëvonshëm malikinjë konsiderojnë se yk veprim është i lejuar.

Imam Ed-Derdir El-Maliki thotë: "Dijetarët e mëvonshëm kanë qëndrim se nuk ka problem për leximin e Kur'anit dhe dhikreve, faljes së sevapeve për të vdekurit dhe se i vdekuri ka dobi nga kjo". [3]

Ibn Kudame thotë: "Çfarëdo ibadeti që afron të bëhet dhe t'i falen sevapet për të vdekurin, ata do t'i bëjnë dobi ... Disa dijetarë thonë: "Nëse lexohet Kur'ani te i vdekuri apo i falen sevapet, sevapet e leximit të Kur'anit do t'i shkojnë lexuesit të Kur'anit, kurse i vdekuri do të ketë sevap dhe dobi sikur ai që e dëgjon leximin e Kur'anit dhe mbi të cilin lëshohet mëshira". Kurse qëndrimi ynë (i Ibn Kuddames) është sikur që kemi përmendur (se sevapet i arrijnë) sepse në këtë çështje është arritur ixhma' (konsensus) i ulemasë islame në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet, sepse të gjithë dijetarët e kanë lexuar Kur'anin dhe ia kanë falur sevapet të vdekurve të tyre pa ua mohuar këtë dikush". [4]

Sheh El-Usmani thotë: "Dijetarët janë pajtuar që sevapi i istigfarit, duasë, sadakës, haxhit dhe lirimit të robërve ju shkon të vdekurve dhe u bënë dobi atyre, kurse leximi i Kur'anit në varreza është e lavdëruar". [5]



Autor: Sami XHEKO



_________________________

[1] - El-Mugni, Ibn Kudame, 2/225, Tuhfetul Ahvezi, El-Mubarekfuri, 3/275.
[2] - Ibid.
[3] - Esh-Sherh'il-Kebir, Ed-Derdir, 1/423.
[4] - El-Mugni, Ibn Kudame, 2/225.
[5] - Rahmet'ul-Ummeti fi ihtilaf'il-E'immeh, El-Usmani.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...