Rëndësia e sistemit të mendimit të Imam Maturidiut tek Shqiptarët Musliman



Rëndësinë e Imam Maturidiut nëse do e matim nga aspekti i sistemit të mendimit duhet paraqitur në vendin e parë në listën e dijetarëve të sistemit të mendimit islam ngase Imam Maturidiu nuk e fitoi famën e tij në mesin e teologëve tradicional përmes famës së mësuesve të tij, e as përmes përpjekjes së nxënësve të tij, por, e fitoi për shkak të arritjeve të tij intelektuale dhe origjinalitetit të tij teologjik.

Prandaj, Imam Maturidiu është një ndër dijetarët më të rëndësishëm në botën islame, por megjithatë emri i tij mund të shikohet edhe si një nga profilet i cili gjatë historisë, nëpërmjet shkollës së tij, ka ndikuar në zhvillimin e formimit të njohjes së fesë te shqiptarët. Zhvillimi i metodës së tij nëpërmjet sistemit të te'vilit (interpretimit), i mbështetur në Kur'an, sunnet (traditën pejgamberike) dhe në të drejtën zakonore, e përbën esencën e njohjes së fesë tek shqiptarët.

Të trajtuarit e gjithë mendimit të Maturidiut do të thotë se ky është si një sistem ose të shikuarit atë vetë si një sistem. Mendimet e ndryshme të Maturidiut në fushën e religjionit janë përcaktime të realizimit të një qëllimi që është në harmoni me njëra-tjetrën ose si një thurje dhe të formuarit një doktrinë religjioze që mbështetet në të. Në themelet e kësaj doktrine bën pjesë një "tërësi të parimeve" që janë të gërshetuara me njëra-tjetrën. Elementet kryesore të cilat e përbëjnë këtë tërësi janë: el-aklu (logjika), el-vahj (shpallja), es-sunne (tradita pejgamberike) dhe el-urf (e drejta zakonore). Thënë ndryshe, këto nga një aspekt janë elemente kryesore dhe komponenta të domosdoshme të këtij sistemi.

Në sistemin e mendimit të Maturidiut këto komponenta ndërmjet tyre harmoninë e arrijnë nëpërmjet "te'vilit (interpretimit)". Te'vili e përbën themelin e cilësisë së sistemit dhe ia jep ngjyrën esenciale, sepse "te'vili" është vepra dhe suksesi i mendjes. Këtu te te'vili (interpretimi), mendja zgjedh njërën nga kuptimet supozuese, thënë ndryshe, zgjedh atë që është në dobinë e njeriut.

Të realizuarit të kësaj metode ndryshon sipas fushës dhe gjendjes së çështjes që referohet ndërmjet këtyre bazave të cilat janë: "Istidlali (inferenca)", "kijasi (analogjia)", "ixhtihadi (rezonimi personal)", etj..

Në këtë sistem mendja, shpallja dhe sunneti janë treshi që nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. Por, në qeverisjen dhe kontrollimin e sistemit, përgjegjës është mendja. Në fushën e mendjes domethënie i jep vahji (shpallja) dhe sunneti (tradita pejgamberike). Ndryshe thënë, shpallja merret për bazë direkt atëherë kur kuptimi është i qartë sipas mendjes, ndërsa kur është i paqartë atëherë i referohet te'vilit. Sipas Maturidiut të gjitha tefsiret (komentimet e Kur'anit) pas periudhës së sahabëve (shokëve të Pejgamberit s.a.v.s.) janë te'vil (interpretime). Te'vili i shpalljes i përfiton funksionalitet në çështjet praktike dhe në të gjitha fushat e jetës.

Ndërsa në fushën e etikës për të vërtetuar të mirën dhe të keqen ka një harmoni të brendshme ndërmjet mendjes dhe shpalljes. Sipas kësaj harmonie mendja duhet të jetë patjetër para shpalljes dhe se detyra e shpalljes në etikë është të përforcojë vendimet (përcaktimet) e logjikës. Sepse, ndërmjet akl'us-selim (mendjes së shëndoshë) dhe shpalljes nga aspekti kreativ asnjëherë nuk ekziston përplasje dhe kundërshtim. Kështu që në këtë ndihma dhe përkrahja e shpalljes është për kapacitetin e njerëzve të cilët për të kuptuar ato duhet të studiojnë shpalljen, të drejtohen asaj dhe nga ajo t'u tërhiqet vërejtja për disa çështje.

Në këtë sistem në çështjet ameli (praktike) qasja më tepër rëndësi i jep shpalljes dhe sunnetit, ndërsa në çështjet ittikadi (besimit) dhe ahlaki (etikës) më shumë rëndësi i jepet mendjes. Në fushën e praktikës (çështjet ameli) shpalljes i jepet përkrahje nga sunneti, ndërsa në disa çështje të besimit bëhet me qasje të përmbajtur, si p.sh. Mrekullia e ndodhisë së Mi'raxhit (ngritja e Pejgamberit s.a.v.s. në qiejt dhe deri në sidret'ul-munteha), kjo ndodhi nuk tregohet në detaj në shpallje (Kur'an), por ka transmetime jo frekuentive (haber ahad) atëherë ne në këtë çështje nuk mund të themi diçka.

Në të gjitha këto duke marrë në konsideratë qëllimin është që të zhvillohet një kuptim religjioz që nuk është kundër mendjes dhe shqisave. Me këtë relacion mund të themi se në këtë sistem shkaku i rrugës së te'vilit është arritja ndërmjet relacionit të elementeve, thënë më drejtë shkaku i ekzistimit të sistemit duhet të jetë shembull te të gjithë njerëzit duke e lënë jashtë Islamin nga kultura arabe dhe nacionaliteti emevit, pra të bërit Islamin universal me qasje adekuate që popujt e tjerë ta pranojnë (adoptojnë) formimin e një kuptimi të religjionit. Nga kjo e shohim se muslimanët shqiptarë e kanë borxh ekzistimin e kësaj qasje që quhet kuptimi i fesë te shqiptarët.

Populli shqiptar gjatë historisë duke pranuar fe të ndryshme dhe duke ndryshuar ato ashtu duke qenë brenda një kërkimi dhe në fund numri i madh i popullit shqiptar mbështetet në Islam, kjo për shqiptarët është shumë e rëndësishme. Për njohjen e fesë te shqiptarët duhet shikuar sistemin e mendimit të Maturidiut që me përfitimin e atyre elementeve realizohet një profit dhe sukses intelektual.

Qëllimi kryesor në gjithë këtë sistem të cilin duke marrë në konsideratë është sigurimi i të ngelurit mysliman pa ndryshuar trashigimin e kulturës (zakonit) shqiptare. Nga kjo shihet se Maturidiu ka dhënë përpjekje të madhe prej krye deri në fund që të tregoj për atë i cili pranon fenë (i ri në fe) që të mbroj edhe trashigimin kulturore të vete. Thënë ndryshe, Maturidiu kërkon ndjekjen e rrugës e cila bën qasje në atë se si ai i cili pasi që e ka pranuar fenë dhe zotëron një kulturë gjatë historisë së tij ta përfshijë edhe atë (kulturën), thënë ndryshe, ta bëjë pjesë në vete fenë dhe kështu qasja e nacionalitetit siç është në kulturë ashtu të qaset edhe te feja. Imam Maturidiu me këtë qëllim sipas lidhjes së çështjes dhe gjendjes ka ngelur shumë fortë i lidhur në metodën dhe aplikimet e Ebu Hanifes. Prandaj, nga kjo në sistemin e mendimit të Maturidiut te'vili ka pozitë dhe rëndësi qendrore.

Ngase feja islame, e cila mbështetet në Kur'an dhe Sunnet, me përfitimin e mundësisë së te'vilit nga këto themele bëhet trajtimi i qasjes së metafizikës së fesë, gjithashtu dimensioni universal që është pastruar pjesërisht gjatë historisë që ka qenë e ndikuar me kulturën arabe dhe me elementet jo në esencë të fesë. Kështu që nga një aspekt feja e re e pranuar te njeriu nuk duhet të jetë një element i huaj, por një hapësirë e mendimit brenda kulturës së tij, kështu që me këtë është siguruar shikimi i një përbërje të re dhe adaptimi sa më shpejt në fenë. Prandaj, për këtë shkak sistemi i mendimit të Maturidiut është një nga themelet e elementeve bile më mirë thënë nga më të rëndësishmet në jetën e mendimit të shqiptarëve dhe kulturës shqiptare. Nga e gjithë kjo mund të themi se ky sistem i cili e përbën esencën e kuptimit të fesë te shqiptarët nëse interpretohet me mjete të ndryshme dhe në forma të ndryshme pa i devijuar, atëherë populli shqiptar në zhvillimin e sistemit të ri botëror do të jetë në fushën e mendimit dhe mundësinë e mendimit që shumë lehtë do të përshtatet në të me kulturën e tij dhe duke mbrojtur vlerat kombëtare të tij.



Autor: Muin Sulejmani



Referenca:

Ebu Mansur El-Maturidi, Te'vilat Ehlis-Sunne, (verifikoi) Dr. Mexhdi Baslum, Bejrut, 2005.
Ebu Mansur El-Maturidi, Kitabut-Teuhid, (verifikoi) Bekir Topaloglu & Muhamed Aruçi, Stamboll, 2001.
Hanifi Ozxhan, Imam Maturidide Bilgi Problemi, Stamboll, bot. III, 2012.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...