Bilalli në vizitë te Varri i Pejgamberit Alejhis-Selam



Ibni Asakiri transmeton një ngjarje nga Ebu Derda r.a. me një sened të mirë, për vizitën e Bilall b. Rebahas që ia bëri Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në Medinë. Dihet fakti se pas vdekjes së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme Bilalli kishte shkuar në Sham, respektivisht në një qytezë të quajtur Dareja në Siri. Në kohën kur Omer b. Hatabi e kishte çliruar Kudsin, Bilalli kishte parë një ëndërr në të cilën e kishte parë të Dërguarin e Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme duke i thënë:

" ما هذه الجفوة يا بلال ؟ أما آن لك أنتزورني " - "Ç'është tërë kjo ftohtësi – zemër ngurtësi o Bilall, a nuk është koha të më vizitosh?"

Pas ëndrrës, Bilalli u zgjua nga gjumi i frikësuar dhe i shqetësuar dhe menjëherë vendosi të udhëtojë për në Medinë, për ta vizituar Pejgamberin alejhis-selam.

Shkoi në Medinë, e vizitoi varrin e Pejgamberit alejhis-selam duke qarë te varri i tij. Aty i takoi nipat e të Dërguarit të Allahut, djemtë e Aliut r.a., Hasanin dhe Husejnin të cilët i përqafoi dhe i puthi. Ata kërkuan nga Bilalli duke i thënë: "Na ka marrë malli ta dëgjojmë ezanin tënd ashtu siç e thërrisje në kohën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme".

Atëherë Bilalli u ngjit në vendin e tij ku ngjitej për ta thirrur ezanin në kohën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e kur tha: "Allahu ekber", u dridh e tërë Medina. Kur tha "Eshhedu en lailahe il-lall-llah", u shtua edhe më shumë dridhja e Medinës. Kur tha: "Eshhedu en-ne Muhameden resulull-llah", dolën gratë nga shtëpitë tyre dhe thanë: "U zgjua Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme".

Nuk mbahet mend ndonjë ditë në historinë e Medinës që të jetë qarë në të më shumëse këtë ditë pas vdekjes së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Disa dijetarë thonë se Bilalli asnjëherë nuk ka thirrur ezan pas vdekjes së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme përveç kësaj dite, pra ditës që e vizitoi Pejgamberin alejhis-selam. [1]



Autor: Dr. Taxhedin BISLIMI



_________________________

[1] - El-Husejni Sejid Muhamed b.Alevi El-Maliki, Ez-Zijaretun nebevije bejne sherijeti vel bidati, f. 30.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...