Rrënjet e Tasavvufit (Misticizmit)



Rrënjët e Sufizmit përbëhen nga 10 pika:

1). Të pendohesh (tevbe) pas çdo mëkati, ky qoftë i madh apo i vogël. Tevbe do të thotë të pendohesh për punën dhe sjelljen e keqe, të largohesh nga ajo, të vendosësh që të mos e përsëritësh më të njëjtin gabim. Nëse mëkati ka lidhje me persona të tjerë atëherë t'u jepët atyre e drejta dhe t'u kërkohet të falur. Nëse njeru e përsërit mëkatin pa dashje dhe pendohet përsëri sipas kushteve të përmendura, ajo i pranohet. Zoti (xh.sh.) e di shumë mirë se kush bën tevbe me ndërgjegje dhe nuk gënjehet nga ata që bejnë tevbe jo në mënyrë të sinqertë.

2). Të dish të përmendësh të mirat e Zotit (xh.sh.) duke filluar nga jeta, mendja, besimi, shëndeti e të mira të tjera të pa numërta që është vështirë të numërohen, pasi çdo e mirë që na vjen është dhunti nga Zoti (xh.sh.).

Kush na kryen një kërkesë, na plotëson një nevojë, na ndihmon për një punë ose na ruan nga një rrezik ne i shprehim mirënjohje dhe e falenderojmë atë për atë që na ka bërë, pra mendoni pak se si duhet falenderuar Zoti (xh.sh.) për gjithë ato të mira që i ka dhënë njeriut? pejgamberi (a.s.) e ka falenderuar Zotin (xh.sh.) për çdo rast. Ashtu duhet të jetë sofia (personi i cili merret me sufizëm) i cil nuk duhet të lër në harresë asnjë herë të mirat e Zotit (xh.sh.).

Kur e dimë se çfarë na vjen prej të mirave hyjnore, duhet të jemi shumë të kënaqur dhe të falenderojmë Zotin (xh.sh.). Gjithashtu duhet ta falenderojmë Zotin (xh.sh.) edhe kur na vjen ndonjë gjë ose ngjarje që nuk na pëlqen, sepse ajo gjë ose ajo ngjarje mund të ishte edhe më e keqe prandaj duhet falenderuar Zotin (xh.sh.). Në këtë rast njeriu ka shpërblimin e durimit nga Zoti (xh.sh.), gjë e cila përmendet shumë herë në Kur'anin e madhërueshëm.

Të njohësh të mirat e Zotit (xh.sh.) do të thotë t'i përdorësh ata ashtu siç ka urdhëruar Ai, p.sh.: 'sytë për të parë të mirat, veshët për të dëgjuar të mirat, jetën për ta jetuar në pëlqimin e Tijë'.

3). Të durosh vështirësitë dhe fatkeqësitë që pëson njeriu gjatë jetës si sëmundje, varfëri, vetm,, vdekje e fëmijëve ose prindërve etj.. Pejgamberi (a.s.) ka lindur jetim, në moshën 6 vjeç vdes dhe nëna, pas pak kohe i vdes edhe gjyshi i cili e kishte marrë nën kujdesje, kur u rrit u martua dhe u bë prin por i vdiqën të gjithë fëmijët kur ai ishte në jetë përveç Fatimes (r.anha) e cila ndërroi jetë 6 muaj pas Pejgamberit (a.s.). Pejgamberi (a.s.) gjatë jetës së tijë ka patur skamje, luftra, vetmi e tortura nga armiqt e tijë e megjithatë ai kurrë nuk u ankua për sprovat që kaloi gjatë jetës së vet.

Pra të jesh sufi do të thotë të durosh të keqen e të këqijave, me zemër të hapur, me falje për të tjerët ashtu siç i madhi fal të voglin. Nuk ka kuptim të ankohesh, kujt t'i ankohesh, Zotit (xh.sh.)? Prandaj për fatkeqësitë duhet vetëm durim.

4). Të pëlqesh e të pranosh gjëndjen që na ka dhënë Zoti (xh.sh.), qoftë me ngjyrë, në sistem trupor, në shëndet, në pasuri, në die etj., pasi tek Zoti nuk lartësohesh me trup, me bukuri, me pasuri, me prestigj etj., por lavdërohet me besim e me sjellje të mira.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë se Zoti (xh.sh.) nuk i shikon fytyrat e trupat tuaj, Ai shikon zemrat dhe punët tuaja.

Pra, të jesh kushdo, në çfarë do vendi të banosh, në çfarë do kohe të jetosh, lidhe zemrën me Zotin (xh.sh.), përherë puna dhe sjllja jote të jetë e tillë që t'i pëlqejë Zotit (xh.sh.), mos u frikëso se nuk është tjetër kush më i miri për prestigj, për dijë, për pasuri etj., sepse të gjithë jemi rob të Zotit (xh.sh.) dhe kërkojmë pëlqimin e Tijë.

5). Të kesh një prijës, më të mirë, më të ditur, më të afërt ndaj Zotit (xh.sh.) se ti vetë, të cilin t'a kemi mësues, edukator e model për sjellje. Këtë e njeh si prinjës në rrugën e gjatë të jetës me gënjeshtra e dredhira, me lakmi të ndryshme, me habitje etj., i cili na vëren në sjelljet tona, në fjalët tona, në punët tona, në gjendjet tona, në synimet tona, si: "doktor shpirtëror", që na mëson të pastrojmë zemrën, të përmendim Zotin (xh.sh.), të synojmë që në jetën tonë të sigurojmë pëlqimin e Zotit (xh.sh.).

Sharaniu shkroi disa libra dhe ia paraqiti imamit të vet Aliut, djalit të Havasë, por ai i kërkoi që ti fshihte ato që ka shkruar. Më vonë kur prinjësi i tijë shikoi se u pjek në rrugën e Zotit (xh.sh.) i tha të shkruaj libra, dhe Sharaniu shkruajti disa libra që me të vërtetë janë libra të mirë dhe me nivel të lartë besimi e me efektin e duhur edukativ që rrjedh nga përmbajtja e tyre.

Nëse nuk e gjen atë dritë, atë prijës që ta ndjekësh në bazë të besimit e të mirësjelljes, atëherë merru me dhikër (përmend shpesh Zotin (xh.sh.)), bjer salavat mbi Pejgamberin (a.s.), bjer istigfar. Me këto zëvëndëson prijësin që nuk është aty ose është larg teje.

Mësuesit ose prijësit që pasohen janë nga katër medh'hebet, si Medh'hebi Hanefi, Medh'hebi Hanbeli, Medh'hebi Shafi dhe Medh'hebi Maliki. Përveç këtyre ka edhe prijës të tjerë që janë përpjekur të largojnë jetën e tyre nga luksii kësaj jete si Xhuvejdi, Seri Sakati, Marufel Kerhi, Ahmed Ruafi, Abdul Kadir Gejlani, Ahmed el-Bedeva, Ebul Hasan Shadhiliri, Muhammed Khalvet, Abdullah Nakshibendi e pasuesit e tyre njerëz të mëdhenjë të njohur për dije të lartë, për përbuzje të kësaj jete, për sjellje të mirë që i pëlqejnë Zotit (xh.sh.).

nëse gjeni njerëz të tillë shërbeni si ata, mësoni prej fjalëve të tyre, prej ibadeteve të tyre, prej sjelljeve të tyre, qëndroni shërbëtor si ata, atëherë do të fitoni çfarë të dëshironi dhe më tepër se dëshironi.

6). Të përpiqesh të mos hash shumë, përtë qëndruar pak i uritur, sepse kështu pastrohet zemra, të pakësosh gjumin, sepse përmirësıhet sjellja, shtohet bukuria e zemrës, kujtohet varfëria e të varfërit, sepse thotë një shprehje e urtë: 'Ai që ha shumë, pi shumë, fle shumë, humb shumë të mira'.

Pejgamberi (a.s.) kalonte me familjen e tijë më tepër se një muaj pa ngrënë ushqime të ndryshme, me përjashtim të ushqimit me hurma. Edhe agjërimi i ditëve të hena dhe të enjte është një sprovë e mirë për të zbutur zemrën në pikëpamje të mos ngrënies shumë.

7). Të largohesh e të mos përzihesh me njerëz, veçse kur është e nevojshme, veçanërisht me ata që janë të rënduar me faje e gabime për këtë jetë e jetën tjetër. Zemra e errët e tyre mund të lëshojë errësirë në zemrën tënde, në sjelljen tënde, në mungesat tuaja ndaj Zotit (xh.sh.). Kjo jetë të ndihmon për të ndriçuar zemrën, e bën atë më të ndritshme, kur sheh përfitimet që ke, kur nuk bshkohesh me zemrat e errëta. Duke pasur zemrën e pastër mund të përfitojnë edhe të tjerët nga drita e zemrës tënde. Një prej atyre grupeve që përfiton xhennetin pa asnjë vështirësi, është ai që përmend Zotin (xh.sh.) me lot në sy në vetmi, larg njerëzve.

8). Të flasësh pak, jo shumë, vetëm kur të jetë nevoja, sepse ai që flet shumë gabon, ndoshta detyrohet të ndërhyjë në jetën e të tjerëve, duke i marrë ata në gojë, të gënjejë, të bjerë në sëmundjen e zilisë e të zemërimit e sa e sa gabime të tjera që sjlell fjala pa nevojë. Siç dihet, çfarë flet goja, gjithçka regjistrohet dhe një ditë do të jepet llogari.

Pejgamberi (a.s.) ka folur pak, vetëm kur ka qenë e domosdoshme dhe gjithmonë ka përmendur Zotin (xh.sh.).

Ebu Hanifeja njëri nga prijësit e njërit nga katër Medh'hebet, ka folur pak dhe kur është pyetur përse fliste kështu, ai tha se vepron në këtë mënyrë, sikur uji që vjen ngadalë në vijën e kullimit. Ai që flet pak ka mundësi t'a kufizojë veten, t'a ruajë nga mëkati dhe kohën që e ka në dispozicion të mos e shpenzojë kot, por t'a shfrytëzojë për të përmendur Zotin (xh.sh.), që i shpërblehet për të mirën e tijë.

Një fjalë e urtë Arabe thotë: "Gjuha yte është kali yt, nëse e ruan, të ruan". Thuhet se njeriu është zot i fjalës vet, para se të flasë të mendojë mirë, se kur të flasë bëhet rob i fjalës që flet. Siç dihet mëkatet më të shumta njeriut i vijnë nga gjuha, nga fjala, nga mendimet e pa kontrolluara, prandaj duhet të tregojmë shumë kujdes në pğërdorimin e tyre.

9). Të flesh pak natën, sepse siç dihet nata është koha e qetësisë, gjithçka natën pushon, makinat, zërat e njerëzve e të kafshëve pakësohen ose shuhen fare, pra në këtë kohë të qetë zgjohet zemra për të përmendur Zotin (xh.sh.) e për t'a adhuruar Atë, për të lexuar Kur'an, përtë kujtuar të mirat e pa fund që Zoti (xh.sh.) i ka dhënë njeriut. Të gjitha këto bëjnë një efekt të mirë tek njeriu të cilit i dridhet zemra nga frika, derdh lot nga kujtimi i vetmisë na varr, i vetëm pa shokë, pa dritë, pa familje, pa pasuri, pa fuqi, pa asgjë, siç u thotë Zoti (xh.sh.) njerëzve të gënjyer nga pasuria e fuqia ( erdhët të vetmuar, si ju kemi krijuar, nuk po keni me vete çfarë u kemi dhënë në jetën e kaluar). Zoti (xh.sh.) na tregon në Kur'anin e bekuar se Pejgamberi (a.s.) me shokë kalonin gjysmën e natës, herë më pak e herë më shumë, duke u falur e duke përmendur Zotin (xh.sh.).

Dimë se Ebu Hanifeja e disa dijetarë të tjerë në të kaluarën e kalonin të gjithë natën me adhurim, falnin dy rekate namaz pastaj lexonin Kur'an. Prej sofisë nuk pëlqehet të qendrojë natën deri vonë i zgjuar e më pas të fle në kohën e seherit (koha para namazit të sabahut) dhe pas namazit të sabahut deri sa të dalë drita.

10). Të mendosh për krijesat e Zotit (xh.sh.), duke filluar me veten. Njeriu është një libër plot sekrete, ai nuk di si mendon, si flet etj.. Krahas vetes duhet të mendosh edhe për krijesat e tjera, të mendosh për të mirat e Zotit (xh.sh.) dhe për dhuratat që na ka dhuruar neve gjatë jetës, në çdo moment të sajë. Nuk ka gjë më të mirë se besimi e shëndeti, këto janë kryesoret, pastaj vijnë më mijëra të mira të tjera që nuk numërohen dot. Sa më shumë të mendojë njeriu për të mirat e Zotit (xh.sh.), aq më tepër forcohet besimi, të shtohet dashuria për Zotin (xh.sh.), e cila të shtyn për të qenë përherë nën pëlqimin e Zotit (xh.sh.). Një fjalë e vjetër thotë: 'Ai që do dikë, ai i bindet atijë'.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: "Duajeni Zotin (xh.sh.) për të mirat që u sjellë dhe më duani mua, shtu sikur Zoti më do mua".

Ky mendim me të vërtetë e mbush jetën e njeriut me kënaqësi e frymëzim për sjellje e punë të mira, e nxit për ta plotësuar formimin e vet me virtyte të lavdërshueshme e për të jetuar në çdo pikëpamje sipas mësimeve, urdhërave, detyrave dhe porosive të Zotit (xh.sh.).

Këto motra e vëllezër mysliman, janë rrënjët, shtyllat e kushtet e Tasavvufit (Misticizmit), që duhen njohur e zbatuar mirë, me korrektësi e sinqeritet e vazhdimisht në jetën e përditshme.



Autor: Vehbi Sulejman GAVOÇI
Përgatiti: Ardit HOXHLLAKU

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...